Zogu i vogel Ciuciu

zogu i vogel ciu ciu perralla shqip per femije

Zogu i vogel ciuciu

Ai ishte një zog i bukur, krejt i ndryshëm nga të gjithë zogjtë e atij pylli të madh. Mamaja natyrisht, kur kishte ardhur në jeté i kishte vënë edhe një emër, por atë emër nuk e mbante më mend askush. Të gjithë e thërrisnin Ciuciu.

Ndoshta kjo nofkë, ky emër i dytë me të cilin e njihnin të gjithë, i kishte mbetur që nga ditët e para të ardhjes në jetë, jo nga mamaja natyrisht, por nga të tjerët dhe e kishte fshirë thuajse përgjithnjë emrin e tij të vërtetë.

Ciuciu i kishte mbetur sepse ai ishte një zog shumë qaraman dhe, me apo pa shkak, nga mëngjesi e gjer në mbrëmje vonë, shpallej nga cicërimat alarmuese.

Ai cicërinte e çmendëte të madh e të vogël, para se të hante mëngjesin, pas ngrënies së mëngjesit, kur mamaja largohej për të përgatitur drekën apo për diku tjetër, pasdite e mbrëmjeve vonë.

Gjer këtu gjithsesi, të gjithë zogjtë, e jo vetëm zogjtë, por edhe banorët e tjerë të pyllit, argëtoheshin në një lloj mënyre me cicërimat e tij.

Por, kur pas një dite të lodhshme, sapo mbyllnin sytë, ai përmendej sërish e fillonte me cicërimat e tij alarmante e zgjonte të gjithë pyllin.

Kulmi i cicërimave alarmante, kishte arritur atëherë kur mamaja kërkonte ta mësonte të fluturonte. Sa frikë që kishte dridhej e cicërinte i trembur dhe të gjithë zogjtë e tjerë silleshin rretherrotull duke qeshur. Ai tmerrohej dhe cicërinte frikshëm gjithnjë edhe më shumë. Sa frikacak që ishte.

Gjithsesi ditët, javët e muajt kalonin dhe përmes cicërimave alarmante dhe frikës drithëruese ai rritej dhe filloi të fluturonte gjithnjë e më shumë e të shkonte gjithnjë e më larg. I pëlqente sidomos të fluturonte i vetëm.

Kur ishte i vetëm guxonte të shkonte më tutje e të kuptonte se ç’mund të bënte. Kur lodhej kërkonte degët e ndonjë druri apo ulej në lëndinëzat shumëngjyrëshe mes pyllit.

Ai nuk e kuptonte se duke kaluar ditët, dalëngadalë, ai nuk ishte më një zog qaraman, por po shndërrohej në një bukurosh buçko ngjyrë portokalli, bukuria e të cilit po habiste e shtangëte të vegjël e të rritur.

Kjo bukuri që i rritej pakuptuar, tërhiqte vëmendjen e të gjithëve, sidomos në fluturime kur vetvetiu shoqërohej nga këngët e tij.

Në vend të atyre klithmave alarmuese të cicërimave të dikurshme, ai krijonte ca ritme melodioze krejt të veçanta, të cilat zogjtë e tjerë, edhe pse mundoheshin t’i imitonin nuk arrinin kurrë t’i përsërisnin aq mrekullisht.

Tingëllimat e tyre të magjepsnin e të bënin të harroje lodhjen.

Ai në mëngjes, në mesditë, në mbrëmje thurte melodi të reja e çdo ditë më shumë kushdo që i dëgjonte, mbetej gojëhapur, linte mënjanë çdo punë që kishte e thoshte: “Po këndon zogu Ciuciu”.

Lexoni edhe Zogu mbi pisheZogu i vogel pushverdhVajza dhe zoguPulebardha dhe balena

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!