Zogu dhe Elefanti

Zogu dhe Elefanti

Zogu dhe Elefanti

Na ishte një pemë në një pyll të madh. Në këtë pemë ishte një fole, ku jetonte një zog me të vegjlit e vet. Një ditë erdhi afër pemës një elefant dhe filloi të kruante kokën në trungun e saj. Pema e vjetër filloi të tundej. Zogjtë e vegjël thirrën:

-Oh, mami! Ç’po bëhet kështu? Kemi frikë se mos biem. Zogu nënë i tha elefantit:

Të lutem, shko në një pemë tjetër! Fëmijët e mi mund rrëzohen Në pyll ka plot drurë të tjerë.

Elefanti s’foli. E pa një herë zogun me sytë e tij të vegjël dhe u largua.

Ditën tjetër, elefanti erdhi përsëri. U afrua te pema dhe filloi të kruante kokën në trungun e saj. Pema plakë filloi të tundej, kurse zogjtë e vegjël u trembën shumë.

Zogu nënë i thirri elefantit:

– Mos e tund pemën, ndryshe do të të jap një mësim të mirë! Elefanti qeshi e tha:

-Ti je zog i vogël. E ç’mund të më bësh ti mua?

-Do ta shikosh, – i tha zogu.

Ditën tjetër elefanti erdhi përsëri. Ai e kruajti kokën pas pemës më shumë se më parë.

Atëherë zogu fluturoi e u fut drejt e në veshin e elefantit. Elefanti tundi kokën, po zogu s’doli. Ai tundi veshët e tij të mëdhenj, po zogu s’doli që s’doli.

Si e pa kështu, elefanti iu drejtua zogut:

Të lutem, dil nga veshi im! Unë s’do të vij më te kjo pemë. Zogu iu përgjigj:

– Edhe unë t’u luta që të mos e tundje pemën. Po ti, a më dëgjove? Jo, jo, unë s’dal që këtej.

Elefanti u inatos. Ai tundi kokën, shkundi veshët, po zogu s’donte t’ia dinte. Ai s’dilte që s’dilte nga veshi.

Më në fund, elefanti u lodh shumë dhe thirri:

– I dashur zog i vogël, dil nga veshi, të lutem! Unë s’do të vij më afër pemës sate..

Atëherë zogu i vogël doli nga veshi dhe fluturoi te fëmijët e vet. Dhe elefanti nuk vajti më kurrë në atë pyll.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!