Miu dhe elefanti

miu dhe elefanti perralla shqip per femije

Miu dhe elefanti

Një mëngjes, një mi i vogël që shkonte e vinte me nxitim nëpër njomishte, ndaloi i çuditur ndërsa shihte një elefant të madh që ecte ngadalë, shumë ngadalë në skaj të pyllit. Elefanti ishte ngarkuar rëndë dhe mbi shpinë mbante një kabinë të madhe turistike të ndonjë familjeje të pasur që kushedi se ç’udhë të gjatë kishte nisur.

-Ndoshta ai plakushi është ndonjë mbret dhe ajo plakushja ndonjë mbretëreshë… Paska dhe një papagall, dhe një majmun, dhe një qen, dhe një mace…

Miu po përshkruante imtësisht ngarkesën e elefantit. Elefanti tundi një herë noçkën, shfryu nga miu dhe vazhdoi udhën e tij mospërfillës me hapa të ngadalta. Miu u fye nga mospërfillja e elefantit dhe mendoi se kishte ardhur dita të matej me një elefant e ndoshta të shkruante një faqe të veçantë në historinë e përbuzur të fisit të minjve. U vërtit disa herë rreth elefantit dhe pastaj i krekosur i zuri udhën.

-O elefant këtu është mbretëria ime e nuk të lejoj të kalosh. Këtu mbret jam unë!

Elefanti qëndroi. I vinte keq ta shkilte miun e vockël, aq të vockël sa nuk ta zinte syri, me këmbët e tij të rënda.

-O mi, ç’thua? Minjtë nuk kanë patur kurrë as mbretëri dhe as mbret, por kam këtu dikë që e njeh mirë historinë e minjve, -tha elefanti dhe tregoi maçokun që mbante mbi shpinë.

Maçoku që elefanti kishte mbi shpinë, nuk priti ndonjë fjalë tjetër, por hapi deriçkën e hekurt dhe u hodh mbi miun që besonte se ishte mbret dhe se kishte ngritur mbretërinë e minjve.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!