Vajza dhe Zogu

vajza dhe zogu perralla shqip

VAJZA DHE ZOGU

Në një shtëpi të vogël si kutizë jetonin gjyshi, gjyshja dhe mbesa, një vajzë e bukur flokëgështenjë. Mbesa kishte miqësi me një zog. Ata luanin së bashku dhe vetëm nata i ndante. Kur vinte pranvera të dy futeshin në pyll dhe, ndërsa vajza mblidhte lule zogu këndonte. Papritur, një ditë trokiti dimri. Jashtë bënte ftohtë. Vajza rrinte ne dritare dhe shihte borën që binte shtruar-shtruar. Shpesh dëgjohej ulurima e erës dhe vogëlushja dilte në dritare ku rrinte zogu, miku i saj. Ata bisedonin me njëri-tjetrin për ditët plot diell të verës, për dallëndyshet që kishin ikur larg, në vende të panjohura. Kur shihte borën që s’pushonte, vajza i lutej zogut të hynte brenda në shtëpi. Ai futej, rrinte pak dhe dilte prap jashtë. Vajza i hidhte në parvazin e dritares thërime buke dhe e shihte si hante… -Pse nuk vjen të jetosh me ne? – i tha ajo njëherë. – A ti them gjyshit të të bëjë një kafaz të vogël që të mos rrish jashtë, se është ngricë? – Të faleminderit, po unë nuk jetoj dot në kafaz, se më merret fryma… – cicëriti zogu. Një ditë prej ditësh vajza flokë gështenjë u sëmur. Faqet iu skuqën dhe kolla e ngacmonte shpesh. Zogu, kur e shihte si rënkonte, ndihej i trishtuar. S’e shikonte dot mikeshën e tij që përpëlitej në shtrat. Prandaj rrinte te dritarja dhe s’ia hiqte sytë. Kur qetësohej disi, zogu futej brenda dhe i qëndronte te koka. – Do të shërohesh, mos u mërzit… Kur të vij pranvera, prapë do të luajmë bashkë në pyll. Ti do të mbledhësh manushaqe, kurse unë do të këndoj… Sa bukur do të jetë! Vajza buzëqeshte, mbyllte sytë një hop dhe i dukej se po shikonte pranverën. – Ah, sikur të vij sa më shpejt pranvera. Vetëm atëherë do të shërohem fare, – thoshte ajo dhe vazhdonte: – Do të mbledh gjithë ato manushaqe erëkëndshme për gjyshin e gjyshen, për shokët e shoqet… Kur i hipte zjarrmia, zogu dilte i druajtur nga dhoma dhe rrinte te dritarja. Mbështetej i heshtur pas xhamit. Një ditë ai nuk u duk në dritare. Vajza u shqetësua. Ç’i kishte njgjarë? Mos kishte ngrirë nga të ftohtit? E priti një ditë, dy, po zogu nuk erdhi. Sytë e vogëlushes u pikëlluan. Ku ishte miku i saj i shtrenjtë? Vajza ato dy ditë bëri një gjumë të trazuar. Ditën e tretë, ndërsa flinte, në xham u dëgjua një trokitje. Vajza hapi syçkat. Në parvaz rrinte zogu. Ajo u ngrit, celi dritaren, kur… c’të shihte? Zogu mbante te sqepi tre manushaqe të brishta… Vajza s’po u besonte syve. Zogu hyri brenda, ia dha vajzës lulet dhe me gjuhën e vet i tha: Po vjen pranvera… Ajo pa edhe një herë tej dritares borën që kishte mbuluar gjithcka dhe nuk po e kuptonte ku i kishte gjetur miku i saj tri manushaqet. Ku vallë? Mes bëborës? Në dhera të tjera? Apo në zemrën e vet?… Vajza e ndjeu veten të shëruar dhe e përqafoi e lumtur mikun, që i solli pranverën në mes të dimrit!

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!