Tre Vellezerit

Tre Vellezerit

Na ishte një herë një baba që kishte tre djem. Djalin e madh e quanin Bim; djalin e mesëm e quanin Bed dhe më të voglin e quanin Bat. Ata ishin shumë të varfër dhe kur u rritën ca, babai i këshilloi të kërkonin fatin e tyre.

Një ditë, mbreti njoftoi se ai djalë që do të priste trungun e arrës së madhe dhe do të shponte një pus gjersa të dilte ujë i ftohtë, do të merrte për nuse vajzën e tij të bukur. Por kjo nuk ishte një gjë e lehtë sepse arra ishte një pemë magjike dhe pallati mbretëror ngrihej mbi një kodër të lartë.

Batit, vëllait më të vogël, nuk i shqitej nga mendja njoftimi i mbretit. Ishte nga ato raste kur jeta mund të ndryshojë. E ndërsa ishte i përhumbur në mendime, u çudit kur pa një sëpatë që pa e mbajtur kush në dorë, po priste trungun e një druri.

Atij i shkëlqyen sytë nga gëzimi. Nuk kishte dyshim se ishte një sëpatë magjike. E hodhi sopatën në krah dhe nxitoi të takonte sa më shpejt vëllezërit e tij.

Vëllezërit filluan të qeshin e të bënin shaka, kur ai u tha se kishte gjetur një sopatë magjike. Ai nuk i kushtoi vëmëndje ngacmimeve të tyre, por vazhdoi tutje.

Bati kishte ecur goxha. Befas shtangu e nuk po i besonte syve tek po shihte një bel që po gërmonte vetë tokën pa e mbajtur kush në dorë. Nuk dyshonte se ishte një bel magjik. E mori në krah dhe belin magjik dhe vazhdoi udhën. Në udhë e shoqëronte kënga e zogjve.

Kishte bërë goxha udhë dhe arriti buzë një lumi. Batit i shkrepi në kokë të zbulonte se ku buronte lumi. Mbajti vesh dhe shushurima e ujit i ngjante një kënge. Ajo këngë thoshte se lumi buronte tek një lëvozhgë arre. U lodh goxha por sytë i shkëlqyen përsëri kur e gjeti lëvozhgën e arrës magjike nga ku buronte lumi. Zogjtë mbi kokën e tij këndonin:

Oh ri ri, oh ri ri! Bati endet në magji…
Sa çudi ditë e natë e pret trungun një sëpatë
Oh ri ri, oh ri ri, shembet trungu sa çudi…
Dhe një bel sa çudi, punon tokën pa njeri…
Oh ri ri, oh ri ri…Në çdo hap një magji…
Oh ri ri, moj magji…Ku lind lumi a e di?…
Eh ky lumi shkumëbardhë, buronjë ka, një kokërr arrë…
Oh ri ri, oh ri ri! Bati endet në magji…

Ndërkohë, vëllezërit e Batit kishin arritur në pallatin e mbretit. Ata kishin provuar fatin e tyre, por më kot. Meqë nuk kishin arritur ta prisnin trungun e madh dhe as të hapnin pusin e thellë, u kishin hapur vrima në veshë për t`i dënuar.

Bati arriti në pallatin e mbretit dhe fillimisht me sëpatën magjike preu, trungun e trashë të arrës. Pastaj me belin magjik, hapi pusin e thellë. Hodhi brenda në pus edhe lëvozhgën magjike nga ku buronte lumi.

Mbreti u lumturua. Bimi dhe Bedi nuk e ngritën kokën lart që ta shikonin në sy.

Mbreti e mbajti fjalën dhe i dha vajzën e tij, princeshën për nuse. Që nga ajo ditë Bati jetoi i lumtur me gruan e tij, por edhe vëllezërit i ndihmoi sa mundi. Ditët e tyre të vështira kishin mbetur pas.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!