Bilbili Guguftuja dhe Kaposhi

bilbili guguftuja dhe kaposhi perralla shqip

Bilbili Guguftuja dhe Kaposhi

Një bilbil e kishte bërë folenë e tij në një pemë, ku të gjithë kohën e lirë e kalonte duke kënduar. Po në atë pemë e kishte bërë folenë edhe një guguftu. Ajo, sa herë që i vinte fëmijët e vet në gjumë, u këndonte një këngë:
“Gugu ftu
Ç’bën kështu
Bëj fustan
Për mamanë”
Kaposhi, që punonte aty pranë tyre, i tha guguftusë:
-Na mërziti ajo kënga jote. Kur s’di të këndosh, më mirë mos këndo fare.
-Unë këndoj për të vënë fëmijët në gjumë, -ia ktheu guguftuja.
-S’je e lindur për këngë ti, -u mburr kaposhi, -për këngë jam vetëm unë.
Bilbili me zërin e tij të ëmbël mundohej të kënaqte edhe ai njerëzit kur shkonin në punë nëpër ara. Kaposhit mëndjemadh nga cmira e keqe nuk priti, por i tha edhe bilbilit:
-Mjaft ti, o bilbil, se na u bëre si gjinkallë. Sado mirë të këndosh, ti kurrë s’bëhesh dot kaposh.
-Unë s’këndoj që të ta kaloj ty. Unë këndoj se kështu jeta më duket më e gëzuar dhe më e bukur, -i tha bilbili. – Pas punës kënga më jep kënaqësi.
– Mirë thua, se nuk ma kalon dot, -dëgjua kaposhi mburravec. -As ti as ndonjë shpend tjetër nuk ma kalon dot mua.
-Ç’do të thuash me këtë? – Pyeti bilbili
-Zëri im është madhor edhe urdhërues, -iu përgjigj kaposhi. -Kur këndoj unë në mëngjes, njerëzit zgjohen nga gjumi dhe nisen për në punë. Bagëtia dalin në kullotë. Zëri im është urdhër për ta. Po të mos këndoj unë në mëngjes, as njerëzia s’dalin në punë, as bagëtia nuk shkojnë në kullotë. Çdo gjë do të mbetej në gjumë.
-Nuk i kam qejf mburrjet, -i tha bilbili.
Një natë kaloi nga ajo anë një dhelpër bishtgjatë. Kaposhi e ndjeu dhe u struk pas trungut atje lart në degën e madhe. Gjithë atë natë kaposhi nuk vuri gjumë në sy nga frika. Ai e priti agimin pa nxjerrë zë dhe shihte si po shërndahej errësira. Kur u bë dritë njerëzit dolën në punë, bagëtia kullosnin, patat dhe rosat notonin nëpër kanale e zhuzhisnin.
-E sheh, ore kaposh, edhe pse s’këndove ti sot në agim, s’mbeti në gjumë. Njerëzit shkuan në punë, fëmijët po venë nëpër shkolla, bagëtia kanë dalë në kullotë.
Kurse guguftuja ia priti nga ana e saj:
-Kush s’ka mend, flet pa vend.
Kaposhi i erdhi inat pse ndodhi kështu. Ai iku nga pema ku flinte çdo natë në degën e drurit dhe shkoi në majën e një pirgu me pleh. E kuptoi se ishte mburrur kot dhe ishte bërë qesherak. Por ai ishte mëndjemadh dhe s’mund ta ulte veten para të tjerëve, prandaj u largua dhe u veçua atje në majë të plehut. Atje këndon me mburrje edhe sot e kësaj dite.

Lexoni edhe Dimri i madh dhe cerri i vogelPeshku i madh zemerkeq

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!