Dimri i madh dhe cërri i vogël

dimri i madh dhe cerri i vogel perralla shqip

Dimri i madh dhe cërri i vogël

 

Me të rënë gjethet e verdha të vjeshtës, dimri doli në majat e maleve. – Erdhi koha ime! – klithi fort dhe anembanë fishkëllyen erërat me ngricë. – Tani unë nuk dua më lëvizje të qënieve të gjalla, as fluturime shpendësh, as cicërimë zogjsh.

Kështu dimri nisi udhën e tij plot me erëra e suferinë, me gjëmime e vetëtima, me borë e acar. Ndërsa mbulonte malet me borë, në kodra e në fusha dërgonte re të zeza me shi. Dukej sikur ishte shpuar qielli. Përrenjtë e lumenjtë u mbushën me ujë buzë më buzë. Po megjithë këtë jeta nuk po ngrinte në vend, siç kërcënoi dimri. Sapo ndalonte pak shiu, njerëzit fillonin nga punët, kafshët dilnin në kullotë, shpendët fluturonin, zogjtë e vegjël cicëronin.

Dimri shfrynte nga zemërimi. Ai donte ta shpinte në vend fjalën e tij, prandaj urdhëroi erërat e ftohta që t’i zbrisnin retë e borës edhe në kodra e deri në fusha. Nuk vonoi shumë dhe bora mbuloi gjithçka. Kudo u bë acar. Njerëzit nga dimri i madh u futën në shtëpitë e tyre. Kafshët shkuan nëpër strofkat e veta. Zogjtë u strukën ndër fole. Të fundit u strukën harabelat dhe gushëkuqët. Çdo gjë po dukej e shkretë.

Vetëm një zog i vockël kishte mbetur jashtë e po cicëronte pa iu trembur fare dimrit të madh, që kishte pushtuar me bardhësinë e tij të të gjithë natyrën. Atëherë dimri iu afrua shpendit të vockël dhe e pyeti. – Cili qënke ti, që cicëron e fluturon sa andej-këndej e nuk dashke t’ia dish për mua, dimrin e madh e gjithë acar?! – Unë jam një mbret, – ia ktheu zogu i vogël. – Ti na qeke mbret?! – i tha me habi dimri i madh. – Po si të quajnë ty? – Unë jam Cërri i Vogël, që këndoj dhe në palcën e dimrit me acar. – E në ç’vend na bretëroke ti?! – Unë jam mbret në botën time. Unë mbretëroj midis ferrave dhe drizave. Mbretëria ime fillon nga Ferrasi dhe mbaron në Drizanë.

Kështu iu përgjigj cërri dimrit e pastaj vazhdoi prap cicërimën e tij. Atëherë, kur e pa aq trim, dimri i madh i tha cërrit: – Të çmoj për guximin tënd. Dhe, meqë qenke kurajoz, mua më pëlqen të jemi tok e të ecim bashkë. – Mirë, – pranoi cërri me krenari e vazhdoi cicërimat e tij.

Dhe ashtu, të dy, dimri i madh me cërrin, shëtisnin tok në kohë të ftohtë e me acar. Mirëpo një ditë, në mbarim të shkurtit, dimri nisi të largohej nga fushat e nga kodrat. – Dale, dale, – i foli cërri dimrit, – ku po shkon ti? Pse po më le vetëm? Si e patëm fjalën?… – Po iki, se kaq e pata kohën time, – i tha dimri me një zë si gjëmim i largët. – Pse s’qëndroke dot më shumë?! – A s’e sheh se po çelin bajamet? – Le të çelin bajamet. – Po kjo do të thotë se po vjen pranvera. Ngrohet moti dhe mua më shkrin i gjithë trupi që e kam prej bore me acar.

Kështu, pas shumë stuhish e suferinash, dimri iku, kurse cërri i vogël ngeli trim e i fortë në mbretërinë e tij midis gardhesh plot me ferra e driza.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!