Gjiganti egoist

Gjiganti egoist

Dikur, disa fëmijë luanin çdo pasdite në kopshtin e gjigandit. Në kopshtin e bukur kishte dymbëdhjetë pemë pjeshkash. Në pranverë, ato shpërthenin lule të bukura. Në vjeshtë pemët rëndoheshin nga frutat. Zogjtë uleshin në degë e cicëronin aq ëmbël sa fëmijët mahniteshin dhe e linin lojën për të dëgjuar.

Pas shtatë vjetësh gjiganti u kthye në kopshtin e tij dhe pa se kopshti ishte pushtuar nga lojrat e fëmijëve. Ai ngriti një mur të lartë rretheqark kopshtit që fëmijët të mos futeshin më aty.

–Ky është kopshti im. Askush nuk do të luajë këtu. –tha gjiganti.

Erdhi pranvera. Kudo shpërthyen lulet dhe cicëronin zogjtë, por në kopshtin e gjigantit vazhdonte një dimër i gjatë. Zogjtë nuk këndojnë aty dhe nuk ka fëmijë.

Një herë një lule e bukur ngriti kokën e saj delikate, por kur nuk dalloi fëmijë rreth e rrotull, e trishtuar u mblodh në vete dhe nuk i bëhej të ngrihej më. Dëbora dhe mjegulla nuk përmbaheshin nga gëzimi.

Ato lumturoheshin që pranvera e kishte harruar kopshtin e madh dhe ftuan si mikeshën e kopshtit të tyre, erën e veriut. Era e veriut u end rreth e rrotull kopshtit dhe rrëzoi gjithçka.

Çdo ditë era e veriut, endej në çatinë e kështjellës gjersa i rrëzoi tjegullat përdhe. Pastaj ajo iu sul rretheqark kopshtit me një shpejtësi të çmendur. Ajo ishte veshur me një rrobë gri e kur shfrynte lëshonte acar e akull.

Pranvera dhe vera nuk guxonin të afroheshin aty. Vjeshta erdhi e mbushur plot me fruta në të gjithë kopshtet e tjerë, por jo në kopshtin e gjigantit.

Një mëngjes kur gjiganti ishte i shtrirë në shtrat u zgjua nga ca tinguj muzikorë të ëmbël gjer në mahnitje. Nga një e çarë e mureve, fëmijët ishin futur brenda në kopshtin e tij. Ata ishin ngjitur dhe ishin ulur në degët e pemëve.

Në çdo pemë qëndronte një fëmijë i vogël. Fëmijët tundnin pëllëmbët me përkëdheli. Zogjtë filluan të fluturojnë në kopshtin e gjigandit. Lulet po mundoheshin të çelnin në barin e gjelbërt.

Një djalë i vogël, një gishto, qëndronte i pezmatuar në një qoshk të kopshtit. Ai nuk e arrinte e nuk ngjitej dot në degën e pemës.

Gjiganti e mori në pëllëmbën e tij të madhe dhe e ngriti lart në majën e pemës. Ai u tha fëmijëve se që nga ajo ditë kopshti i tij do të ishte përgjithnjë kopshti i fëmijëve.

Ai ndjehej i vrarë për atë çfarë kishte ndodhur më parë dhe i hapi dyert e kopshtit. Fëmijët e morën gishton dhe vrapuan tutje. Gjiganti kënaqej me vrapimin e tyre të hareshëm.

Kopshti lulëzoi përsëri. U bë edhe më i bukur se më parë.

Fëmijë të tjerë kudo që ishin, kur e kuptuan se gjigandi nuk kishte zemër të keqe u afruan në kopshtin e tij. Gjiganti i rrëzoi muret e kopshtit dhe filloi të luante me fëmijët.

Çdo ditë fëmijët vinin me përjashtim të gishtos. Gjiganti i pyeti fëmijët për të. Ata i thanë se nuk e kishin parë kurrë më parë dhe nuk e dinin ku jetonte ai.

Gjiganti u trishtua. Çdo ditë, pas mbarimit të mësimeve, fëmijët vinin të luanin me gjigantin në kopshtin e tij. Gishtoja kurrë nuk u duk aty.

Erdhi një kohë që gjiganti u plak. Ai nuk mund të luante më, por ulej në një karrike e shihte fëmijët që luanin në kopshtin e tij. Një mëngjes dimri ai pa se lulet nuk ishin tharë dhe pemët ishin veshur me një lulëzim të bardhë.

Krahët e tyre ishin ngarkuar me fruta me ngjyra të arta dhe me fruta në ngjyrë argjendi. Gishtoja qëndronte nën pemë. Ai i buzëqeshi gjigantit dhe i kërkoi të luanin bashkë në kopshtin e tij. Gjiganti pranoi.

Kur erdhën fëmijët, gjiganti ishte shtrirë përdhe i mbuluar përgjithnjë me lule të bardha.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!