Dhe Gomari Më S’duroi

Dhe Gomari Më S’duroi

Një natë te komshia
po qante fëmija,
kërkonte çorape,
çorape me vija…
Ia solli mamaja
çorapet e saja,
të gjitha të mira,
me lule, me ngjyra.
S’pushonte fëmija,
i donte me vija…

U ngrit edhe babi
me vrap nga krevati:
– Ç’të bëj moj amani,
është mbyllur dyqani.

S’i di tregëtia
kusuret e mia,
do natën fëmija
çorape me vija…

Dëgjohen në porta
trokitje të forta…
U zgjuan komshinjtë
dhe fërkojnë sytë,
pastaj nëpër rafte,
në komo, dollape
kërkojnë çorape,
çorape me vija,
se plasi fëmija!

Fëmijët e tjerë
po flenë si shqerrë,
veç “shpirti i babit”
qan majë krevatit
sa tundet shtëpia:
– Më blini çorape,
çorape me vija,
tani… në këtë çast,
o unë do pëlcas!

Një goxha gomar,
që flinte në stallë,
u zgjua nga gjumi,
durimin e humbi,
i tha qaramanit
i nxehur tej mase:
– Aman, se na plase!

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!