Kecat dhe Ujku

Kecat dhe Ujku

Na ishte një herë dhia me shtatë kecat. Ata jetonin në një shtëpi të bukur me një oxhak të madh. Shpesh dhia shkonte në treg për tu blere kecave ushqim. Gjithmonë para se të dilte nga shtëpia i porosiste kecat të mos ia hapin derën askujt, pasi ujku mund ti mashtronte ato.
Një ditë prej ditësh ujku i uritur fshihet pas pemëve dhe pret aty derisa dhia të niset për në treg. Kur shikon që kecat jane në shtëpi vetëm afrohet tek dera dhe troket. Kecat nga ana tjeter e derës pyesin:
– Kush është?
– Jam une dhia nëna juaj, hapeni derën vogëlushët e mi, – i thote ujku me zërin e tij të trashë.
– Nxirre këmbën poshtë derës, – i thonë kecat pasi e kuptojn se ai nuk është zëri i nënës së tyre.
Ujku bën sic i thonë kecat, dhe fut poshtë derës këmbën e tij të madhe e të zezë.
Kecat i thone menjehere:
– Largohu, ti nuk je nëna jonë, ajo e ka zërin e hollë dhe të ëmbël, ndërsa ti e ke të trashë, ajo e ka këmbën e bardhë si bora, e jotja është e zezë si nata, e dimë qe je ujku prandaj nuk të duam.
Ujku i zhgënjyer nga dështimi i tij largohet, por nuk dorëzohet. Merr një thes me miell dhe fut këmbën brenda derisa ajo bëhet e bardhë, pastaj merr mjaltin dhe fillon të hajë derisa zëri i tij bëhet i hollë si ai nënës dhi.
Ndërkohë kecat e zgjuar, duke e ditur që ujku do të rikthehej, vendosin ti ngrenë një kurth. Vendosin mbi zjarrin e oxhakut një kazan plot me ujë.
Ujku rikthehet tek shtëpia e kecave. Troket ne dere :
– Jam nënë dhia , bijtë e mi, hapeni derën, – thotë ujku me zërin e hollë.
– Na e trego këmbën, – i thonë kecat.
Ujku i tregon këmbën poshtë derës, por gjatë rrugës mielli kishte rënë prandaj këmba e tij ishte sërisht e zezë. Kecat e kuptojnë që është ujku por vendosin ta hedhin në kurth.
-Nëna dhi, kemi humbur celësin, por ti mund të hysh nga oxhaku, po të presim, na ka marr shumë malli për ty.
Ujku mendjelehtë, i gjithe shend e verë ngjitet në oxhak pa menduar se aty poshtë mund te ketë një zjarr qe digjet. Hidhet poshtë nga oxhaku dhe përfundon në kazanin me ujë të nxehtë që kecat kishin përgatitur.
Kecat e lumtur që i kishin dhënë një mësim të mirë ujkut, kërcenin nëpër shtëpi, ndërkohë që ujku ulërinte në zjarr. Kur nëna dhia kthehet në shtëpi, kecat i tregojnë se cfarë kishte ndodhur, dhe ajo i përgëzon të vegjëlit e saj që ia kishin dëgjuar fjalën.
Që nga ajo ditë ujku nuk guxoi më të kthehej tek shtëpia e kecave.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!