Peshku i arte

peshku i arte

Peshku i arte

Na ishte një herë një ishull i vogël i fshehur në heshtjen madhështore të detit. Në qendër të ishullit kishte një barakë të vjetër të rrënuar. Në atë barakë jetonin, në varfëri të madhe, një plak dhe një plakë. Plaku kishte thurur me mundim një rrjetë dhe shkonte çdo ditë në breg të detit për të peshkuar.

Kjo ishte e vetmja mundësi për të siguruar bukën e përditshme. Një ditë plakut i ndodhi diçka e çuditëshme. Me ta hedhur rrjetën ndjeu rëndimin e saj dhe filloi ta tërhiqte. Ndërsa e tërhiqte, rrjeta po i dukej gjithnjë dhe më e rëndë. Kurrë nuk i kishte ndodhur kështu më parë.

Plaku mendonte sesa shumë peshk do të kishte zënë. Kur e nxorri rrjetën, pa se kishte një peshk të vetëm. Peshk të tillë nuk kishte zënë asnjëherë. E ndjeu se nuk bëhej fjalë për një peshk dosido, por për një peshk të artë.

Peshku i artë iu lut plakut:

-Më lësho, të lutem! Po të më hedhësh përsëri në ujë; unë të jap fjalën se do të plotësoj çdo dëshirë tënden. Mjafton të më thuash: “Peshk i artë, dil nga thellësitë e ujit! Ktheje fytyrën nga bregu dhe bishtin nga deti i pafund.”

Plaku u çudit me peshkun e artë dhe i tha:

-Nuk besoj se do të mund të më shërbesh ndonjëherë, por megjithatë po të hedh në thellësitë e detit.

Me të thënë dhe me të bërë; plaku e hodhi në ujë peshkun e artë dhe u kthye në shtëpi.

Plaka kishte dalë si zakonisht ta priste tek dera e barakës. E pyeti plaka plakun:

-Hë more plak, zure gjë peshk sot?

Plaku që nuk e kishte marrë veten nga çudia, i tha plakës:

-Zura një peshk të artë, por e hodha prapë në thellësitë e detit. Më premtoi se do të na plotësonte çdo dëshirë. Më erdhi keq për peshkun e artë.

Plaka u bë xhind:

-Ah, more plak torollak! Të paska ardhur fati në dorë dhe e paske flakur. Mund t’i kishe kërkuar të paktën ca bukë. A e di se nuk na ka mbetur më asnjë kore e thatë në kanistër dhe nuk kemi asgjë për të vënë në gojë.

Plaka nuk pushonte së qortuari plakun. Ky nuk duroi dot më dhe u kthye në breg të detit dhe thirri peshkun e artë: “Peshk i artë, dil nga thellësitë e ujit! Ktheje fytyrën nga bregu dhe bishtin nga deti pafund.”

Peshku me të vërtetë e dëgjoi plakun dhe u afrua tek bregu i detit:

-Ç’dëshiron nga unë o plak!

-Plaka më është bërë si xhind. Kërkon pak bukë për të thyer urinë; nuk na ka mbetur asnjë thërrime në kanistër.

-Kthehu në shtëpi o plak, -i tha peshku i artë plakut.

Plaku u kthye në shtëpi dhe e pa sofrën shtruar.

-A u kënaqe moj plakë?

Plaka ishte zevzeke e madhe e nuk kënaqej kurrë. Ajo i tregoi plakut govatën e kalbur.

-Sofra u shtrua, por një tjetër bela më ka gjetur. Govata është kalbur dhe nuk kam se ku mund t’i laj rrobat. Shko në det tek peshku i artë dhe kërkoji që të na japë një govatë të re.

Plaku shkoi në breg të detit.

-Peshk i artë, dil nga thellësitë e ujit! Ktheje fytyrën nga bregu dhe bishtin nga deti i pafund.

Peshku u shfaq në çast.

-Ç’hall të ka rënë o gjysh?

Plaku psherëtiu.

-Plaka më është xhindosur. Më kërkon një govatë të re për të larë rrobat.

Peshku e priti qetësisht kërkesën e plakut.

-Shko në shtëpi o gjysh. Govata është në shtëpi.

Me të vënë këmbët tek praku i shtëpisë, plaku u gjend para plakës së xhindosur.

-Shko menjëherë tek peshku i artë dhe kërkoi të ndërtojë një shtëpi të re. Në barakën tonë është e pamundur të jetohet!

Edhe një herë plaku u kthye në breg të detit.

-Peshk i artë, dil nga thellësitë e ujit! Ktheje fytyrën nga bregu dhe bishtin nga deti i pafund.

Menjëherë peshku u afrua duke notuar.

-Hë gjysh si e ke hallin?

-Plaka më kërkon një shtëpi të re. Krejt xhind është bërë dhe nuk më lë të qetë, nuk do të jetojë në një barakë që bie copa copa.

-Mos u mërzit o gjysh! Kur të kthehesh, shtëpia do të jetë ngritur.

Plaku u kthye dhe në vend të barakës së vjetër gjeti një shtëpi prej lisi. Por sërish plaka e priti me këmbët e para duke i bërtitur:

-Dëgjo, plak matuf! Shko tek peshku i artë dhe thuaji se dua të bëhem mbretëreshë.

Me kokën e përkulur mbi gjoks, plaku shkoi në bregun e detit. Mori frymë dhe bërtiti:

-Peshk i artë, dil nga thellësitë e ujit! Ktheje fytyrën nga bregu dhe bishtin nga deti i pafund.-

Peshku i artë erdhi në çast.

-Çfarë të nevojitet akoma, gjysh?

-Plaka është çmendur, kërkon të bëhet mbretëreshë.

-Mos u shqetëso plak. Kur ti të kthehesh tek ajo, dëshira do të plotësohet.

Plaku u kthye dhe i iku mendja. Në vend të pallatit pa një kështjellë me kupola të arta; gjithkund roje me pushkë në supe dhe pas kështjellës një park i madh. Plaka, e veshur si mbretëreshë, doli në ballkon dhe vetëm pak më vonë parakaloi rëndë rëndë para ushtarëve. Kërcisnin daullet dhe muzika oshëtinte.

-Urra- thërrisnin ushtarët.

Kaloi përsëri ca kohë dhe plaka u mërzit së qënuri mbretëreshë dhe dërgoi ushtarët ta thërrisnin plakun. U desh goxha kohë gjersa ta gjenin, pastaj, më në fund, një roje e zbuloi në një cep të humbur të kopshtit. Ja çuan përpara mbretëreshës.

-Dëgjo, plak morracak, -oshëtiu mbretëresha. -Shko tek peshku i artë dhe thuaji se nuk më mjafton qenja mbretëreshë. Dua të jem perëndesha e detrave e oqeaneve dhe që të gjithë peshqit e artë ku janë e ku nuk janë të më binden mua!

Plaku u mblodh sa një grusht; s’kishte ç’të bënte dhe akoma edhe një herë, shkoi në breg të detit.

-Peshk i artë, dil nga thellësitë e ujit! Ktheje fytyrën nga bregu dhe bishtin nga deti i pafund.

Prit e prit plaku, por peshku i artë nuk doli nga thellësitë e detit si ngaherë! Plaku e thirri edhe një herë tjetër: përsëri hiç! E thirri shumë herë… Papritmas deti u egërsua; e humbi qartësinë dhe kaltërsinë e u nxi i tëri.

Plaku pa peshkun mes dallgëve.

-Çfarë kërkon o plak?

-Gruaja ime është çmendur dhe kërkon të bëhet perëndeshë e detrave e oqeaneve dhe të sundojë mbi të gjithë peshqit e artë!

Peshku u zhyt në thellësitë e detit pa thënë asnjë fjalë. Plaku u kthye nga kishte ardhur e shtangu kur nuk e pa më as pallatin, as kopshtin dhe as rojet. Të gjitha ishin zhdukur! Përpara tij qëndronte vetëm kasollja e vjetër e shumë kohëve më parë.

Hyri brenda dhe pa gruan me rroba me arna. Dy pleqtë u kthyen në jetën e dikurshme… Plaku filloi përsëri të peshkonte, por pak peshk mbetej në rrjetën e tij. Peshk të artë nuk kapi kurrë më.

Lexoni edhe Peshku me i madhPerroi dhe peshku i vogelDjali dhe peshkuPeshku i madh e zemerkeqPerbindeshi me nje sy

BLINI LIBRIN PERRALLA E PESHKATARIT DHE E PESHKUT TE ARTE

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!