Shetitja e nje hutaqi

Shetitja e nje hutaqi

Shetitja e nje hutaqi

Nënë, do të dal të shëtis!

-Mire, Xhovan, vetëm shiko si ta kalosh rrugën!

-Mire, nënë. Mirupafshim!

Xhovani doli i gëzuar dhe në fillim ishte mjaft i kujdesshëm. Kohë pas kohe ndalej dhe prekte trupin e vet.

-A jam i tëri? Po, -dhe qeshte me vetveten.

Ai ishte i lumtur që ishte syqelë, që kërcente si zog, mirëpo pas pak u habit pas vitrinave, pas veturave, pas reve dhe, kuptohet, filluan pakënaqësitë.

Një zotëri iu drejtua me mirësjellje:

-A po sheh sa je habitur? Tanimë e ke humbur njërën dorë.

-O, keni të drejtë. Qenkam habitur fare.

Filloi të kërkojë dorën, mirëpo në rrugë gjeti një kanoqe të koka-kollës. Vallë vërtet është e zbrazët? Haj ta shoh. Po çfarë do të ketë pasur para se të bëhej e zbrazët? Me siguri në fillim nuk do të ketë qënë e zbrazët…

Xhovani harroi se ishte nisur të kërkojë dorën, kështu që më vonë e harroi edhe kutinë, sepse një qen i çalë i doli përpara dhe ja, duke dashur ta arrijë qenin, para se ai të kthehej te këndi, e humbi edhe këmbën. As këtë nuk e hetoi, por vazhdoi vrapin.

Një grua e mirë i thirri:

-Xhovan, Xhovan! Këmbën!

Por më kot, ai nuk dëgjoi fare.

Eh, s’ka gjë, — tha gruaja e mirë, -do t’ia shpie nënës tënde.

Shkoi ajo në shtëpiné e Xhovanit:

-Zonjë, ja ku e keni këmbën e birit tuaj.

-Ah, biri im harraq. Nuk di më ç’të bëj dhe çfarë të them.

-E, zonjë, të gjithë fëmijët janë të tillë.

Pas pak erdhi një grua tjetër e mire.

-Zonjé, e gjeta këtë krah, mos është i Xhovanit?

-PO, kuptohet se është i tij, sepse e njoh sipas gishtave të përlyer. Ah, sa i dalldisur është biri im. Nuk di më çfarë të bëj dhe çfarë të them.

-Ashtu është, të gjithë fëmijët janë të tillë.

Pas pak kohe erdhi një plakë. Pas asaj, çiraku i bukëpjekësit. Pastaj një vozitës i tramvajit. Madje edhe një mësuese e pensionuar… Dhe çdo njëri solli ndonjë pjesë të trupit të Xhovanit: këmbë, vesh, hundë…

Po vallë, mund të ketë ndonjë fëmijë më hutaq se biri im?

-Eh, zonjë, të gjithë fëmijët janë të tillë.

Më në fund, duke kërcyer me një këmbë, ia mbërriti vetë Xhovani: pa veshë, pa duar, por i

hareshëm si çdoherë, i hareshëm si një zog, kurse nëna ia lëmoi kokën, e rregulloi dhe e puthi:

-A e sheh nënë, se nuk më mungon asgjë? A nuk jam, nënë, i dëgjueshëm?

Po, Xhovan, ti vërtet je shumë i dëgjueshëm, -iu përgjigj ajo.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!