33 Vjersha per Femije

33 Vjersha per Femije

Lapsi magjik.

Lapsi im, sa çudi,
bën një pikë, bën një vijë,
bën një hundë, bën një sy,
bën një dorë, e bën një tjetër,
një njeri krijon në letër.
 
Pyet lapsi:
-Ç’kërkon tjetër?
 
-Një arush dhe një ketër,
doemos dhe zonjën dhelpër.
 
Lapsi im, sa çudi,
kush ta dha, këtë magji?

Drenusha.

Hop e hop, hop e hop,
Drenushë e vogël
ti po nis udhët sot,
apo je në lodër?

Hop e hop, hop e hop,
në mal e në fushë,
ti kërcen si një valltare,
hop e hop drenushë.

Hop e hop, hop e hop,
nis udhën e madhe,
qoftë e bukur rrugë e jetës,
hop hop si një valle.

Enderr.

Kërcen e bën shkumbë,
ngre dallgë një delfin,
më merr me vete,
ç’dehje, ç’gëzim…

Më merr me vete,
ku më çon s’e di,
dhe deti, dhe qielli,
vetëm kaltërsi.

Dhe deti dhe qielli,
vetëm kaltërsi,
si më kthen në breg,
kurrë nuk e di

Vjeshta.

Vjeshta është piktore
motra kështu tha,
ngjyrat iu mbaruan,
veç të verdhë ka.

Ngjyrat iu mbaruan,
qielli bëhet gri,
vjeshta zemërohet,
erë edhe shi.

E ngjyrosi vjeshta
Gjithçka në të verdhë,
thellë në shpirtin tim,
ka gaz, ka pranverë.

Rosaku.

Një ditë të ftohtë,
një ditë një rosak,
shëtiste i vetëm,
shëtiste në park.

I vetëm shëtiste,
shëtiste në park,
dhe buzë një pellgu,
qëndroi ky rosak. 

Në ujin e ftohtë,
u afrua dhe pak,
pa brenda në ujë,
një tjetër rosak.

Sa shumë dridhej,
atë ditë në park,
po dridhej në ujë,
një tjetër rosak.

U largua ngadalë,
ngadalë sa çudi,
a mbeti në pellg
dhe hija e tij?

Ngrohtësi zemre.

Dimër i egër,
akull kallkan,
akull edhe ngricë;
një zog dridhet,
ftohtë ka,
ftohtë edhe frikë…
Një zog dridhet,
frikë ka,
frikë edhe ftohtë,
në zemrën time,
 do ta mbaj,
do të ndjehet ngrohtë…
Në zemrën time,
do ta mbaj,
do të ndjehet ngrohtë,
si zemra vallë,
a të ngroh,
ndonjë zjarr në botë?

Gjyshi dhe gjyshja

Arolinga, torolinga,
gjyshi mbathur me opinga…

Gjyshi mbathur me opinga,
arolinga, torolinga.

Me opinga vjen nga ara
gjyshja vrap i del përpara.

Gjyshja vrap, zbret në baçe,
pa këpucë, pa çorape.

Ç’i sjell gjyshi vallë nga ara?
Pse vrapon gjyshja e para?

Pse vrapon gjyshja në baçe,
pa kepucë, pa çorape?

Arolinga torolinga
zbathi gjyshi dy opinga.

Vrapon gjyshi, me çorape,
vrap tek gjyshja, atje në baçe.

Arolinga, torolinga,
gjyshi humbi dy opinga…

Kështjella e rërës.

Në breg të detit, ngaherë në verë
Luajmë, ngrejmë, kështjellë në rërë.
 
Një dallgë shkon, një tjetër vjen
Kështjellën lodër, na e rrëmben.
 
Dhe ikën dallga, nuk di se ku
Kështjella rrënojë, mbetet këtu.
 
Dhe dallga vjen, është vapë, është verë,
rrëzohen me dhimbje, kështjellat në rërë

Natën bufi nuk fle.

Buf, buf
Është natë
Shko dhe shtrihu
Ti në shtrat.

Sonte pa gjumë
Pa gjumë dhe mbrëmë…
Kush ta vret gjumin
netëve me hënë?

Ç’bën i vetëm
netëve me shi,
gjumin buf,
kush ta vret ty?

Ç’ëndërr buf
të tremb ty
Që rri mbi degë
E nuk mbyll sy?

Vala.

Gjer në breg vjen ngadalë
dhe e kaltër, dhe e bardhë,
vjen nga larg e seç më thua
vjen në breg luan me mua.
 
Çfarë më thua nuk e di,
luaj unë e luan ti…
Nuk e di çfarë më thua
vjen nga larg e unë të dua

Papagalli.

Rrethuar me tela,
mbyllur në kafaz,
zhurmon çdo ditë,
pendët përplas.

Herë në mëngjes,
herë në mesnatë,
fjalë pakuptim,
një klithmë e gjatë.

Mbuluar me dhimbje,
sytë si me lot,
me mundim rreh krahët,
e s´fluturon dot.

Çdo ditë, çdo orë,
më sheh me zili,
çdo ditë, çdo orë,
ka mall për liri…

Lepurushi në dritare,
është i trembur, s’ka gjumë fare.

Dhelpra qesh dhe e ngacmon,
ujku dhëmbët, i tregon.

Dhelpra mbylli njërin sy,
ujku sytë i mbyll të dy.

Veç arushi, babaxhan,
i afrohet aty pranë.

Mos ki frikë ti lepurush
Luajmë bashkë, s’të prek kush.

Dordoleci

Dordolec, dordolec,
i vetëm ti në arë.
Diell i nxehtë
nuk të djeg?
S’të përvlon
kjo vapë?

Ç’bën atje,
në mes të arës
ti mor dorodolec?
Vjen një zog
Dhe të çukit
Herët në mëngjes.

Vjen një zog
dhe të çukit
në sy dhe në ballë,
ti i heshtur
nuk lëviz nuk flet
asnjë fjalë.

Dordolec,
dordolec,
mos rri më në arë.
Dielli i nxehtë
po të djeg
të përvëlon
kjo vapë.

Dhelpra

Eh ç’dinake
Është kjo dhelpër
Thur me vete
një gënjeshtër…

Shtiret
Si e dashur shumë
Zogjve u këndon
Ninullë

Zogjtë
Cicërijnë lehtë
Nëpër çerdhe
degë më degë.

Ç’është kjo këngë,
ç’është kjo ninullë?
Si mama
ju vë në gjumë?

Qeshin zogjtë
Hahaha,
ti je dhelpër
s’je mama

E trishtuar është
Kjo dhelpër
Mendon prapë
Për një gënjeshtër.

Mollë e kuqe

Mollë e bukur,
kuq e zi,
në ëndrrën time,
endesh ti.

Mollë e bukur,
qëndro dhe pak,
pse hap krahët,
pse shkon larg?

Vrapoj pas tej,
mollë e vogël,
humbas në udhë,
humbas në lodër.

Mbrëmje si në përralla

Mbrëmja xixa xixa,
qielli ndizet flakë,
nata rrëzon yjet,
si një shi të zjarrtë.

Retë çelin lule,
kjo mbrëmje e rrallë,
na ulet mbi supe,
butë si në përrallë.

Ngjyra dhe muzikë

Pylli i dendur,
në vjeshtë,
çdo ditë,
thur me gjethe,
ngjyra, muzikë.

Harbojnë gjethet,
fëshfërijnë në erë,
frymëzim i bukur,
simfoni e verdhë.

Nis bien ngadalë,
dhimbshëm ca gjethe,
dhe pylli trishtohet,
dridhet në ethe.

Dehur në ngjyra,
fëshfërima, muzikë,
vjeshta magjishëm,
mbretëron çdo ditë.

Flutura

Në barin e gjelbërt,
krahët i rreh,
lart ngrihet, eh ç’magji,
qielli i kaltërt,
krahët i mbyll,
e merr, e fsheh, në gji.

Qielli i kaltërt, krahët i hap,
dhe kthehet përsëri,
dhe lehtë shkon,
dhe lehtë vjen,
si ëndërr, si magji.

Dhe shkon, dhe vjen,
si ëndërr, si magji,
dhe çon në qiell,
dhe zbret në tokë,
vetëm bardhësi.

Era dhe retë

A e dini
vallë kush
e kthen një re
në lepurush?

Kush vallë
Si në përrallë
E kthen një re
në Borëbardhë?

Vjen Hirushja
Në kështjellë
Jo mbi karro
Por mbi re.

Era retë
I shtyn përpara
Ç’u bë Hirushja
Dhe Borëbardha?

Shtyn era,
re të bardha,
enden retë,
si në përralla.

Si një mjellmë e bardhë

Gjumë i ëmbël, gjumë i butë,
ja ngadalë po vjen,
mjellmë e bukur, mjellmë e bardhë,
ëndrra të rrëmben.

Mjellmë e bukur, mjellmë e bardhë,
në ëndrrat e tua,
lere hapur ti një shteg,
merrmë edhe mua.

Lere hapur ti një shteg,
do të vij ngadalë,
do t’í tund krahët lehtë,
tek ti mjellmë e bardhë.

Gjumë i ëmbël, gjumë i butë,
ja ngadalë po vjen,
vjen ngadalë gjumi yt,
fshehtas më rrëmben.

Balona

Endem në qiell
në pafundësi,
ndjehem dhe fllad
dhe kaltërsi…

Ndjehem dhe fllad
dhe kaltërsi
dhe qiell dhe ajër
dhe pafundësi…

Mëngjeseve pazbardhur,
e mbrëmjeve gjer vonë,
endem në ëndërr,
mbi një balonë…

Lodrat

Kush më vjen
fshehtas në gjumë?
Në dritare
kush troket?
Kush këndon
një ninullë?
Kush ngadalë
më thërret?

Bëj të fle
e nuk jam vetëm,
pranë kam një arush,
zë e qesh
lehtë me vete,
dhe me gaz
dhomën e mbush.

Lodrat të gjitha,
janë trishtuar,
gjumi jo
nuk i ka marrë,
eh, unë lodrave,
u kam premtuar,
t’i vë në gjumë
me një përrallë.

Lodrave nis dhe u rrëfej,
rrëfej ngadalë,
s’bëj dot ndryshe,
për princesha
dhe luanë,
për fantazma
dhe dallëndyshe.

Kërkoj t’i vë
lodrat në gjumë,
fjalët po i gjej
me zor,
shtirem unë
si një gjysh,
shtirem unë,
si një aktor.

Gjumi vjen dalëngadalë,
Gjumi sytë,
më mbyll mua,
lodrat qeshin,
ç’po ndodh kështu?
Unë mbyll sytë,
lodrat janë zgjuar.

Njeriu i dëborës

Një kapelë ka në kokë
dhe për hundë një karrotë.
Eh ç´ftohtë bën, bora zbardh,
mbështjellë qafën me një shall.

Eh ky plak kërkon sy,
gjejmë një thëngjill të zi.
Sytë rrotullon ngadalë,
Me thëngjill çfarë sheh vallë?

Sythëngjill vallë çfarë sheh,
që kaq shumë buzëqesh?

Pëllumbat

Trumba,
trumba,
trumba,
qiellin e mbuloi,
një re
me pëllumba.

Rrokulliset qielli,
bën kollotumba,
një re me pëllumba,
trumba,
trumba,
trumba…
Eh,
këta pëllumba…

Trumba,
trumba,
trumba,
një re me pëllumba,
në qiell,
në tokë,
mbi supe,
mbi kokë.

Eh, këta pëllumba…
Luajnë ca pëllumba,
një qiell
me kollutumba,
trumba, trumba,
trumba…

Luajnë ca pëllumba,
eh ç’gaz,
e hare,
një valle pëllumbash,
atje lart,
në re.

Kali lodër

Hyjo kalo, ato jele,
kush t’i thuri kaçurrele?

Hyjo kalo, hi, hi, hi,
e ç’të bëjmë në shtëpi?

Në shtëpi, s’na rrihet sot,
hyjo kalo, me galop.

Hyjo kalo, ato jele,
kush t’i thuri kaçurrele?

Ato jele, dredha,dredha,
erdhi, i rrëmbeu era.

Eh u çmend, u çmend dhe era,
nëpër jelet, dredha dredha.

Hyjo kalo, ato jele,
unë t’i thura, kaçurrele

Ketrushi

Herë në një degë,
herë në një tjetër,
ngjitet dhe zbret,
luan në drurë, një ketër.

Dhe rrok një arrë,
dhe kap një gogël,
fluturon mes drurësh,
në lodër.

Dhe flak një arrë,
dhe flak një gogël,
e s´ndjehet kurrë,
i vogël.

Kur flak një Sto arrë,
kur hedh një gogël,
jetën e kthen
në lodër.

Pranvera

Dikush më solli
lule me mijëra,
qoftë gjithnjë
plot lule dhe ngjyra

Dikush, pallton e madhe-
ma mori nga krahët
këpucët m’i hoqi,
më veshi sandalet.

Dikush më bëri
të lehtë, gogël,
ndaj renda pas lulesh,
ndaj humba në lodër.

Dikush më thirri,
më prisje dhe erdha,
ishte e shtrenjta,
e bukura pranvera.

Shtëpiza e përrallave

Shtëpizë e përrallave,
nuk e di ku je,
shfaqesh në një pyll,
zhdukesh bëhesh re…

Herë ngjan me kështjellë,
herë krejt e vogël,
gishtoja troket,
e ti bëhesh gogël.

Djemtë i shndërron në yje,
drenushat në vajza,
humbasin në pyje,
ujqër e fantazma.

Gjyshja aty fle,
e mbulojnë lulet,
fëmijëria ime,
në përrallë lëkundet.

Xixëllonjë

Mbrëmje vere, mbrëmje vonë,
xixa xixa, xixëllonjë.

Yje, xixa, meteorë,
vezullojnë, mbrëmjes, vonë.

Shkojnë dhe vijnë, vijnë dhe shkojnë,
xixa xixa, xixëllojnë.

Ndizen, shuhen, varg me drita,
xixa, ngjyra, ngjyra, xixa,

Në ëndrrën time, natën vonë,
xixëllon, një xixëllonjë.

Çelin lulet

Në oborrin tim, lule çeli dardha,
dridhen si në ethe, të bukura, të bardha.

Në oborrin tim, lule çeli molla,
vallëzojnë hareshëm, të bukura të holla.

Në oborrin tim, ka dhe një qershi,
lule tufë tufë, ç’është kjo magji?

Në oborrin tim, lule çeli pjeshka,
dehur nga lulet, ulem, shkruaj vjersha.

Çelin lulet

Në oborrin tim, lule çeli dardha,
dridhen si në ethe, të bukura, të bardha.

Në oborrin tim, lule çeli molla,
vallëzojnë hareshëm, të bukura të holla.

Në oborrin tim, ka dhe një qershi,
lule tufë tufë, ç’është kjo magji?

Në oborrin tim, lule çeli pjeshka,
dehur nga lulet, ulem, shkruaj vjersha.

Macja ime

Macja ime
Fle në gjumë,
Prane zjarrit
Gërhet shumë

Macja fle,
Festë e madhe.
Miushi tundet,
si në valle.

“Fli ti mace
Dhe një çikë
Ngjajnë gërhimat,
me muzikë.

Mace si ti,
jo nuk ka,
fli në gjumë
edhe ca.”

Macja ime,
Gërhet shumë.
Pranë zjarrit
Fle në gjumë.

Shi, shi,
baba, shi,
kush të thirri “baba” ty?
Shi, shi,
baba shi,
plaka nuk është në mulli…

Shi, shi, baba shi,
çelën lulet përsëri,
harliset bari në lëndina,
po na dehin trëndëlinat,
plasi gonxhet trëndafili,
s’mbahet dot, këndon bilbili…

Shi, shi,
baba shi,
plaka nuk është në mulli,
me ne po kërcen në shi…
Shi, shi, baba shi,
e ngjall jetën përsëri…

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!