Princi i vogël

Princi i vogël

  1. Kur isha gjashtë vjeç

Kur isha gjashtë vjeç, më ra në duar një libër i titulluar “Histori të vërteta të natyrës”, ku flitej për një pyll të moçëm. Aty kishte një vizatim të një gjarpëri boa që po gëlltiste një kafshë të egër.

Poshtë vizatimit shkruhej se boat nuk e përtypin, por e gëlltisin gjahun dhe u duhen gjashtë muaj për ta tretur. Unë u përpoqa ta ilustroj këtë fakt me një laps me ngjyra. Pas shumë përpjekjesh arrita të realizoj vizatimin tim të parë dhe e quajta “Vizatimi numër një”. Në atë vizatim paraqisja një boa duke gëlltitur një elefant. Unë ua tregoja vizatimin tim të rriturve dhe i pyesja nëse ata trembeshin ndopak.

-Përse duhet të trembemi nga një kapelë? -çuditeshin ata.

Të rriturit nuk ishin në gjendje ta kuptonin vizatimin tim.

Me sa kuptoja, vizatimi im i parë nuk ishte i qartë për të rriturit dhe unë vendosa të bëja një vizatim tjetër që e quajta “Vizatimi numër dy”. Aty kisha vizatuar një boa që kishte gëlltitur një elefant.

Këtë herë të rriturit u treguan të prerë e përçmues ndaj vizatimit tim dhe më këshilluan të mos merresha me vizatime, por t’i kushtohesha mësimit të gjeografisë, të historisë, të arithmetikës dhe të gramatikës. Unë arrita të kuptoja se të rriturit kërkojnë gjëra të sakta dhe përshkruese, kështu që në moshën gjashtë vjeçare, kur braktisa ëndrrën për t’u bërë artist, më lindi pasioni për t’u bërë pilot. Gjeografia që kisha mësuar me zell, më shërbeu në fluturime. Unë kam fluturuar pothuajse në të gjithë globin dhe pjesën më të madhe të kohës e kam kaluar me të rriturit. Sa herë që takoja ndonjërin prej tyre, provoja sërish t’u tregoja vizatimin tim të parë dhe kushdo që e shihte, më thoshte se ishte një kapelë. Unë vendosa që me të rriturit të bisedoja vetëm për tema tepër të njohura.

  1. Aksidenti

Gjashtë vite më parë, aeroplani im pësoi një difekt në motor dhe u rrëzua në shkretëtirën e Saharasë. Në shkretëtirë nuk kishte jo më mekanik, por as edhe ndonjë kalimtar që të më ndihmonte. Vendosa të merresha vetë me motorin. Ndreqja e motorit ishte një çështje jete dhe vdekjeje për mua. Uji që kisha me vete, mund të më mjaftonte ndoshta për një javë. Natën e parë fjeta në rërë dhe ndjehesha më i vetmuar se një marinar i pashpresë që ka mbetur mbi një varkë të braktisur në mes të oqeanit.

Në mëngjes, gati në të zbardhur, u zgjova nga një zë tepër i butë që më thoshte:

-Të lutem, a mundesh të më vizatosh një qengj?

– Çfarë?

-Dua të më vizatosh një qengj!

Isha krejt i habitur. Unë picërrova sytë dhe vështrova me vëmendje rreth e rrotull. Fare pranë kisha një princ të vogël e të hareshëm që më shikonte me vëmendje.

Vizatimi im nuk ishte aq i bukur dhe kjo është e kuptueshme. Të rriturit e goditën dëshirën time për të vizatuar kur isha vetëm gjashtë vjeç dhe që nga fëmijëria, unë nuk provova më të vizatoja. Ai, njeriu i vockël, nuk dukej si ndokush që kishte humbur në rërën e shkretëtirës e nuk shfaqte shenja raskapitjeje, urie, etjeje apo paniku. Unë nuk kisha dëgjuar ndonjëherë për humbjen e ndonjë fëmije në një thellësi të tillë të shkretëtirës, më shumë se njëmijë milje nga banesa më e afërt.

-Po ti ç’bën këtu? -e pyeta rëndë

Ai përsëriti me një ton të theksuar, sikur të ishte duke folur për një çështje shumë të rëndësishme.

-Të lutem më vizato një qengj.

Kur e panjohura të befason, njeriu e ka të vështirë të kundërshtojë. Këputa një fije letër nga blloku dhe nxorra stilografin nga xhepi i vogël. Atë çast u përmenda se në shkollë, isha i përkushtuar në mësimin e gjeografisë, të historisë, të arithmetikës e të gjuhës, prandaj i thashë Princit të vogël se nuk di të vizatoj. Ai nuk ndryshoi mendje:

-Nuk ka rëndësi. Unë dua të më vizatosh një qengj.

Ngaqë nuk kisha provuar të vizatoja kurrë një qengj, përsërita për të vizatimin tim numër një. Shtanga kur princi i vogël më tha:

-Jo,jo, jo! Unë nuk dua një elefant që e ka gëlltitur boa. Një boa është tepër e egër dhe një elefant është shumë i madh për mua. Aty ku unë jetoj çdo gjë është e vogël dhe prandaj më duhet një qengj.

Unë vizatova tre qengja të ndryshëm. Ai nuk pëlqeu asnjë nga qengjat që vizatova për të. Edhe pse durimi im kishte sosur, bëra një përpjekje të fundit për të vizatuar dhe u përpoqa t’i shpjegoj Princit të vogël, vizatimin tim.

-Brenda kësaj kutie janë qengjat që ti kërkon.

Vizatimi e lumturoi Princin e vogël.

Por ai nuk besonte se atje, në vendin e tij të vogël, tre qengjave do t’u mjaftonte bari për të ngrënë.

  1. Planeti i panjohur

Një kohë të gjatë unë u përpoqa të merrja mend se ku jetonte Princi i vogël. Ai më bënte pyetje të çuditëshme dhe ngulmonte gjersa të merrte përgjigjet e tyre.

-Ç’është kjo gjëja këtu? -më pyeti një çast.
-Ky është një fluturues, një aeroplan. Ky është aeroplani im, -thashë unë me një lloj krenarie. Ai klithi i habitur.

-Çfarë? Ti ke rënë nga qielli?

-Po, -i thashë unë butësisht. -Sa çudi!

Pas pak ai shtoi.

-Nga cili planet ke ardhur?

Unë nuk e prisja një pyetje të tillë dhe përfitova nga rasti të shqiptoja pyetjen time.

-Po ti nga cili planet ke ardhur?

Princi u mendua ca, pastaj tha prerë:

-Atje ku unë jetoj, çdo gjë është e vogël.

Planeti nga vinte Princi i vogël, nuk ishte më i madh se një shtëpi. Por ky fakt nuk mund të thuash se më habiti kaq shumë. Unë e di se ka me qindra planete tepër të vegjël, aq sa nuk mund të dallohen me teleskop. Kur një astronom zbuloi njërin prej tyre, nuk i dha një emër por e quajti “Asteroidi 325.” Unë kam shumë motive të besoj se planeti nga vjen Princi i vogël, njihet si asteroidi B−612. Ky asteroid është diktuar vetëm një herë me teleskop nga një astronom turk në vitin 1909.

  1. Baobabët

Ditët që erdhën më pas, unë fillova të mësoj për planetin e Princit të vogël, për largimin dhe udhëtimin e tij misterioz. Informacioni që merrja nga bisedat e çoroditura e të ndërprera me Princin e vogël, ishte shumë i ngadaltë dhe vetëm ditën e tretë të takimt tonë, unë mësova për rrënimin që mund t’i vinte planetit nga baobabët.

Më shumë se një herë, Princi i vogël më kishte falenderuar për qengjat dhe unë nuk arrija ta kuptoja pse duhej ta përsëriste aq shpesh falenderimin e tij.

-A është e vërtetë që qengjat pëlqejnë të hanë filizat e sapoçelur të bimëve? -më pyeti ai një çast.

-Po, është e vërtetë, -thashë unë.

-Sa mirë! -tha Princi i vogël i gëzuar. -Kjo do të thotë se ata mund të ushqehen edhe me filizat e porsaçelur të baobabëve!

Unë u mundova t’i shpjegoj Princit të vogël se baobabët ishin drurë gjigantë me përmasat e kështjellave. Edhe një tufë elefantësh nuk do të ishin në gjendje të mbaronin gjethet e një baobabi të vetëm. Kur përmenda tufën me elefantë, Princi i vogël filloi të qeshte.

-Atje, në planetin tim, nuk ka vend për një tufë elefantësh, por ne mund t’i vendosim elefantët me kate, njëri sipër tjetrit, -tha ai. Pak më vonë shprehu një mendim të mençur: -Fillimisht, më parë se të rriten aq shumë, baobabët çelin si filiza.

-Kjo është e saktë, -thashë unë. -Po përse kërkon që qengjat të hanë filizat e porsaçelur të baobabëve?

Dhe kështu, unë mësova se baobabët ishin kërcënim i madh për planetin e Princit të vogël. Rrënjët e tyre, kur të shtriheshin thellë në brendësi, do ta shkatërronin planetin delikat.
Princi i vogël më tha se ashtu si kudo, edhe në planetin e tij, rriteshin bimë të mira dhe të këqia. Ai tregohej i vëmendshëm për të shkulur bimët e këqia në çastin kur ato mbinin. Nëse ato, bimët e këqia, do të rriteshin do të ishte vonë. Ai më tregoi për një planet ku jetonte një dembel.

Dembeli nuk tregoi vëmendje ndaj tre filizave të baobabëve dhe rrënjët e tyre e shkatërruan planetin e tij.

Një ditë, Princi i vogël më kërkoi që të bëja një ilustrim të tregimit të tij për tre baobabët. Kishte dëshirë që fëmijët të mësonin se çfarë rrënimi ndodh nga mosvëmendja dhe dembelizmi. Ju e dini fjalën e mençur: “Puna e sotme sotme nuk duhet lënë për nesër”, por, kur bëhet fjalë për baobabët, edhe një ditë më vonë është shkatërrimtare. Ashtu siç më kërkoi Princi i vogël, unë bëra një vizatim që fëmijët të kuptojnë sesi baobabët e shkatërrojnë një planet.

  1. Princi i vogël dashuron perëndimet

Oh, more Princ i vogël! Ngadalë, por gjithnjë dhe më shumë, unë nisa të kuptoj të fshehtat dhe të panjohurat e trishtimit tënd. Një kohë të gjatë, soditja e perëndimeve të diellit, ishte kthyer në frymëzim e kënaqësi
dhe i kishte dhënë kuptim jetës tënde.Unë e zbulova këtë rastësisht mëngjesin e ditës së katërt të njohjes sonë.

-Unë mrekullohem nga perëndimet. Eja të sodisim një perëndim bashkë, -më kërkove ti.

-Atëhere duhet të presim, -thashë unë.

-Për çfarë duhet të presim? -më pyete ti.

-Perëndimin, -thashë unë. – Duhet të presim të perëndojë.

Fillimisht ti u befasove shumë, pastaj fillove të qeshësh pakufi dhe dikur më përmende mua.

-Unë gjithnjë mendoj se jam në planetin tim.

Këtu është ndryshe. Kur në Amerikë është ende mesi i ditës, në Francë nis dhe perëndon. Nëqoftëse do të ishte e mundur, që sa hap dhe mbyll sytë të gjendeshe në Francë do të shijoje në çast perëndimin. Por atje, në planetin tënd, mjafton të lëvizësh karrigen pak hapa dhe mund të ndjekësh, sa herë të duash, largimin e ditës dhe muzgun që bie.

-Një ditë, -më the ti, -sodita perëndimin dyzetekatër herë. Dhe pak më vonë ti shtove:

-Unë mendoj, se dikush dashurohet me perëndimet e diellit kur është i trishtuar. -Kjo do të thotë se në ditën e dyzetekatër perëndimeve ti ishe i trishtuar? -pyeta unë.

  1. Princi i vogël dashuron një lule

Ditën e pestë në shkretëtirë, pas përsëritjes edhe një herë të falenderimeve për qengjat, të fshehtat e jetës së Princit të vogël, po shpaloseshin lehtësisht para meje. Çuditërisht, pa ndonjë përpjekje për të folur me nënkuptime, ai e shkoqiti problemin që e shqetësonte aq shumë dhe më tepër se mua, pyeti veten:

-A i hanë qengjat edhe lulet?

Por, Princi i vogël nuk e kishte harruar pyetjen e tij dhe nuk nguronte ta përsëriste. Unë, isha i nervozuar nga bulloni problematik dhe pa u menduar i thashë diçka për të kaluar radhën.

-Lulet nuk i kanë gjembat për t’u mbrojtur. Gjembat u krijohen sepse janë inatçesha.

Princi i vogël nuk ishte nga ata që mund të kalonin diçka në heshtje. Ndjehej i pakënaqur me përgjigjen time.

-Unë nuk besoj se është kështu siç mendoni ju. Lulet janë të pafajshme si fëmijët. Ato i nxjerrin gjembat për të trembur ngacamanët, -më tha ai. Unë që vazhdoja të merresha me bullonin që më kishte shkaktuar aq probleme, nuk u përgjigja.

Princi i vogël, si zakonisht nguli këmbë…

-A beson se lulet…

-Jo, jo, -i thashë unë i penduar. -Unë fola siç më erdhi në mendje. A nuk e sheh se unë po merrem me diçka më të rëndësishme, me diçka që është jetike për mua? Princi i vogël më vështroi me përçmim.

Për të çekani që mbaja në duar, gishtërinjtë e nxirë dhe bulloni, ishin rëndomtësira. Pak më vonë ai m’u drejtua përsëri me përçmim.

-Tani po sillesh edhe ti si gjithë të rriturit…

Edhe pse më kishte fyer, nuk donte të dinte. Ndjehej shumë nervoz dhe mundohej gjoja të rregullonte flokët që ia merrte era.

-Unë njoh një zotëri kuqalosh në një planet pranë meje, -më tha, -që kurrë nuk u merr erë luleve, kurrë nuk vështron yjet dhe kurrë nuk e ka kuptuar se ç’është dashuria. Dhe e pakuptueshme është se, ai, sillet si një njeri me rëndësi të veçantë.

Princi i vogël nuk e la fjalën.

-Lulet kanë patur gjemba që kur janë krijuar, -më tha. -Që në kohët e lashta, delet kanë ngrënë lulet. A nuk është e rëndësishme beteja midis deleve dhe luleve? A nuk ka kjo më shumë rëndësi se pamja e atij kuqaloshit që mendon se është dikush? Unë njoh një lule që është më e veçanta në univers dhe që rritet vetëm në planetin tim. Por, problemi është, se një qengj i vogël, një ditë, mund ta këpusë me dhëmbët e tij si çdo bimë të zakonshme, pa e ditur se çfarë po bën. A mendon se kjo nuk është e rëndësishme?

-Nëqoftëse dikush dashuron një lule dhe kjo lule gjendet vetëm në njërin nga miliona e miliona yje, kaq mjafton që ai të lumturohet kur shikon yjet. “Ja atje larg, mes yjesh, është lulja ime”, mund të thotë ai heshtazi me vete. Por nëqoftëse qengji e ha lulen pakuptuar se ç’bën, për atë tjetrin në çast qielli do të nxihet e yjet nuk do të shkëlqejnë më.

Dhe ju mendoni se kjo nuk është e rëndësishme?

-Lulet kanë patur gjemba që kur janë krijuar, -më tha. -Që në kohët e lashta, delet kanë ngrënë lulet. A nuk është e rëndësishme beteja midis deleve dhe luleve? A nuk ka kjo më shumë rëndësi se pamja e atij kuqaloshit që mendon se është dikush? Unë njoh një lule që është më e veçanta në univers dhe që rritet vetëm në planetin tim. Por, problemi është, se një qengj i vogël, një ditë, mund ta këpusë me dhëmbët e tij si çdo bimë të zakonshme, pa e ditur se çfarë po bën. A mendon se kjo nuk është e rëndësishme?

-Nëqoftëse dikush dashuron një lule dhe kjo lule gjendet vetëm në njërin nga miliona e miliona yje, kaq mjafton që ai të lumturohet kur shikon yjet. “Ja atje larg, mes yjesh, është lulja ime”, mund të thotë ai heshtazi me vete. Por nëqoftëse qengji e ha lulen pakuptuar se ç’bën, për atë tjetrin në çast qielli do të nxihet e yjet nuk do të shkëlqejnë më.

Dhe ju mendoni se kjo nuk është e rëndësishme?

Princi i vogël nuk mundi ta shtjellonte më tej mendimin. Lotët kishin mbushur sytë e tij. Ishte natë. Unë i flaka veglat që kisha në duar dhe munda të kuptoja se lumturia e mikut tim të vogël ishte më e rëndësishme se çdo gjë. E mora në krah dhe e përkunda si në djep. U përpoqa të lehtësoja sadopak dhimbjen e tij.

-Lulja që rritet vetëm në planetin tënd, nuk do të jetë kurrë e rrezikuar. Unë do të vizatoj një turizë në fytyrën e qengjit
për të mbrojtur lulen tënde.

Lulen do ta rrethoj edhe me një gardh. Dhe…

Nuk e kuptoj pse kur flisja, ndjehesha si në faj dhe i lidhja fjalët me mundim. Do të bëja gjithçka që lotët e tij të mos rridhnin më.

  1. Lule në planetin e Princit të vogël

Vazhdimisht mësoja diçka të re për lulen e tij. Zakonisht, lulet në planetin e Princit të vogël kishin një radhë petalesh dhe nuk tërhiqnin vëmendjen për ndonjë vlerë. Në mëngjes ato shfaqeshin mbi bar dhe në mbrëmje ulnin kokën të venitura. Kaq ishte jeta e tyre. Por një mëngjes, princi i vogël kishte ndjerë lindjen e një luleje ndryshe, fara e së cilës kushedi nga ç’planet kishte ardhur. Ajo nuk ngjante me asnjë nga lulet dhe bimët që rriteshin në planetin e tij.

Fillimisht, kur filizi sapo ishte shfaqur, ai, i trembur, kishte menduar se po çelte ndonjë Baobob ndryshe. Por, ndërsa e ndiqte me vëmendje, pa i hequr sytë, duke u kthyer e rikthyer tek ardhja e re, Princi i vogël po mrekullohej. Ai mendonte se mrekullia për të, vinte nga larg. Shtati ndryshe i krijesës së re, po rritej shëndetshëm dhe shpejt u krijua gonxhja e parë. Gonxhja nuk po nxitonte të shpërthente njëherësh siç ndodhte me të gjitha lulet e tjera të planetit të tij. Ajo po e thurte qetësisht, mbuluar në gjethet e gjelbërta, plotësinë e bukurisë së saj.

Fillimisht po krijonte nuancat delikate të ngjyrave, më pas po kujdesej për format e bukura të petaleve. Ajo, dukej se kërkonte të arrinte përkryerjen e bukurisë. Kishte një lloj ndrojtje e pushtohej nga ethet për të kuptuar sesi bota do ta priste bukurinë e saj. Dhe nga njëra ditë në tjetrën, qetësisht, thurte bukurinë saj.

Pastaj një mëngjes, kur dielli sapo ishte ngritur, me një pamje sikur po ngrihej nga gjumi, ajo po shfaqte plotësinë e saj.

-Uh… Sa më flihet… Më fal që jam kështu, si nga gjumi, e pakrehur…

Por Princi i vogël, mendja e të cilit kishte fluturuar, nuk u përmbajt më.

-Oh! Sa e bukur që jeni…

-Me të vërtetë? – u përkëdhel lulja. -Paskam lindur në të njëjtin çast me diellin.

Me kalimin e ditëve, edhe pse herë herë sikur e lodhte me kotësinë e saj përkëdhelëse, Princi i vogël nuk qëndronte dot

pa lulen e bukur. Një ditë, ajo i kishte thënë atij të mos trembej nga kthetrat e tigrave se do ta mbronte ajo me gjembat e saj. -Nuk ka tigra në planetin tim, -ishte përgjigjur Princi i vogël, -edhe po të vijnë, ti mos u tremb, tigrat nuk gjuajnë barishtet. -Por unë nuk jam barishte, -kishte kundërshtuar e fyer lulja e bukur.

-Nuk të kuptova, -kishte thënë Princi.

-Mua nuk më trembin tigrat, por korentet e erës, -kishte thënë lulja e bukur. -A mund të më mbrosh nga era?

Princi i vogël, lehtësisht e kuptoi se lulja e porsa çelur, ishte ca tekanjoze dhe e çmonte shumë veten e saj, por ajo ishte aq e bukur sa ai ndjente një lloj hutimi dhe nazet e saj i pëlqenin. -Unë kam uri. A mund të më përgatisësh diçka për mëngjes? -tha lulja pak çaste më vonë. Princi i vogël nxitoi të merrte ujitësen dhe filloi ta spërkaste me kujdes si të trembej se mos i lëndonte petalet e bukura.

-Të të mbroj nga era? -kishte pëshpëritur me vete Princi i vogël. -Sa krijesë e ndërlikuar është kjo lule…

-Natën do të doja të më mbulonit me një glob qelqi. Këtu tek ju është shumë ftohtë. Andej nga vij unë…

Dhe ajo e kishte lënë tregimin që kishte nisur të rrëfente sepse ishte përmendur se kishte ardhur në planetin e Princit të vogël në formën e një fare. Ajo nuk kishte patur mundësi të dinte ndonjë gjë për botën që e rrethonte e sidomos për botën nga vinte. E turpëruar ngaqë kishte dashur të thurte një gënjeshtër, lulja u kollit dy a tri herë që t’i shkaktonte keqardhje Princit të vogël.

-A solle ndonjë mbulesë për mua?

-Mbulesë?! Unë po shkoja të kërkoja diçka, por ju nisët të tregonit dhe unë qëndrova t’u dëgjoja.

Ajo filloi të shtirej si e sëmurë e të kollitej më fort që ai të vuante. Princi i vogël, edhe pse i dashuruar me lulen e kuqe, filloi të dyshonte në çdo gjest e fjalë të saj. Dhe duke dyshuar në fjalët, në historinë e gënjeshtërt që kishte nisur të tregonte, ai filloi të luhatej.

Nga vuajtjet dhe zhgënjimi që i kishte shkaktuar dashuria për lulen, ai e kishte braktisur planetin e tij të vogël. -Unë nuk duhej t’i kushtoja rëndësi fjalëve që thoshte, -më tha me zë të ulët një ditë. -E rëndësishme ishte që ajo kishte hijeshur dhe mbushur më aromë tjetër planetin tim. Edhe tregimin për kthetrat e tigrave dhe të gjembave të saj, nuk duhej ta kisha shpërfillur, por duhej të isha treguar më i ndjeshëm.

Po me zë të ulët, ai më kishte pëshpëritur me dhimbje:

-E ç’rëndësi kishin fjalët dhe përkëdhelitë e tepruara? Rëndësi kishte që ajo më kishte dhënë një frymëmarrje tjetër. Nuk duhej ta kisha braktisur. Ajo ishte e dashuruar me mua, por unë nuk e dija se çfarë ishte dashuria.

  1. Largimi nga planeti

Ai ishte larguar nga planeti me zogjtë shtegtarë. Para se të largohej kishte rregulluar me kujdes çdo gjë. Ishte kujdesur edhe për dy vullkanet aktivë ku gatuante dhe ngrohej mëngjeseve të ftohtë. Në planetin e tij kishte edhe një vullkan të fjetur për të cilin Princi i vogël, mendonte se ndoshta edhe ai do të zgjohej një ditë nga gjumi. Ai ishte kujdesur që vullkanet e tij, të shpërthenin butë, si zjarri bubulak në vatrën e oxhakut.

Dhe nga kujdesi, vullkanet e tij digjeshin pa shkaktuar dëme. Në planetin tonë, në tokë, ne nuk kujdesemi për vullkanet dhe ndoshta është ky një nga shkaqet pse ata janë aq shkatërrimtarë. Princi i vogël kishte shkulur edhe filizat e baobabëve të rrezikshëm që kishin mbirë, edhe pse nuk mendonte se do të kthehej më në planetin e tij…

Para nisjes, me një keqardhje lënduese, ai ishte kujdesur për çdo gjë që kishte qenë aq e afërt dhe e rëndësishme për të. Dhe, kur po ujiste për herë të fundit lulen e bukur dhe po e vendoste në glob, nuk dinte si t’i ndalonte lotët. -Lamtumirë, -i kishte thënë lules së bukur.

Ajo nuk ishte përgjigjur.

-Lamtumirë, -kishte përsëritur ai.

Lulja ishte kollitur edhe pse nuk ndjente ftohtë. -Jam treguar ca budallaçkë me ty, -ishte munduar të shfajësohej. -Të kërkoj ndjesë për të gjitha lëndimet. Qofsh i lumtur.

  1. Planeti me mbret

Princi vogël, pasi kishte udhëtuar ca kohë gati symbyllur, e ndjeu se gjendej në brezin e asteroideve 325, 326, 327, 328, 329 dhe 330.

Ai zbriti në asteroidin më të afërt. Në këtë asteroid jetonte një njeri i vetëm dhe ky ishte mbreti. Ai kishte veshur një mantel madhështor dhe qëndronte rëndë në kolltukun mbretëror.

-Ah, më në fund një banor në mbretërinë time, -tha mbreti i lumtur.

-Si më quan mua banor të mbretërisë së tij kur nuk më ka parë kurrë më parë ? -pyeti Princi i vogël veten.

Ai nuk e dinte se mbretërit mendojnë se të gjithë njerëzit janë banorë të mbretërive të tyre.

-Afrohu të të shoh më qartë, -tha mbreti që më në fund kishte mundësinë të mbretëronte mbi dikë.

Princi i vogël po kërkonte një vend ku mund të ulej, por, për fat të keq, i gjithë planeti ishte mbuluar nga manteli i mbretit. Princi i vogël ishte i detyruar të qëndronte më këmbë dhe ngaqë ndjehej i lodhur filloi të gogësinte.

-Nuk është e sjellshme të gogësish para mbretit, -i tha mbreti. -Të urdhëroj të mos e përsërisësh më.

–Gogësimat nuk komandohen dot, -tha me ndrojtje Princi i vogël. Unë vij nga një udhëtim i gjatë dhe nuk kam fjetur, -Atëherë, -tha mbreti, – Unë të urdhëroj të gogësish. Ka shumë vite që nuk kam dëgjuar gogësima. Gogësimat më duken interesante.

-Gogësimat u trembën… Unë nuk mundem të gogësij më, -pëshpëriti Princi i vogël me ndrojtje.

-Hëmm… Hëm… Atëherë unë të urdhëroj që kur të vijnë gogësimat të gogësish dhe kur nuk të vijnë të mos gogësish, -tha mbreti dhe Princi i vogël i hutuar, diçka belbëzoi me vete.

Për mbretin kishte rëndësi që të ndjente se po urdhëronte dikë tjetër dhe ai tjetri t’i bindej. Ai nuk e pranonte mosbindjen. Por meqë ishte edhe një njeri fisnik, mundohej të jepte urdhëra të arsyeshëm.

-Nëqoftëse unë urdhëroj një gjeneral, -ai po mundohej të sillte një shembull, -nëqoftëse unë i jap urdhër një gjenerali të kthehet në një zog deti dhe gjenerali nuk bëhet dot zog deti, ky nuk është faji i gjeneralit. Urdhëri im ka qenë i gabuar.

-A mund të ulem? -tha me ndrojtje Princi i vogël.
-Unë të urdhëroj të ulesh, -tha mbreti duke i treguar një cep të mantelit.

Princi i vogël qëndronte i menduar. Planeti i dukej tepër i vogël. Ku mbretëronte vallë ky mbret?

-Madhëri, a mund t’u bëj një pyetje?

-Unë ju urdhëroj të më bëni një pyetje, -nxitoi të thoshte mbreti.

-Madhëri mbi kë mbretëroni ju?
-Mbi gjithçka, -tha mbreti duke e vështruar drejt e në sy. -Mbi gjithçka?

Mbreti tregoi planetin e tij, planetët rreth e rrotull dhe të gjithë yjësinë.

-Mbi të gjithë këta…
Mbreti besonte se sundonte jo vetëm planetin e tij, por mbarë universin.

-Dhe yjet ju binden ju? -Sigurisht që më binden. Unë nuk e pranoj mosbindjen.

Princi i vogël u mahnit nga pushteti i mbretit dhe natyrisht e vështronte me çudi. Ai po të mundej do të sodiste jo dyzet e katër perëndime në një ditë, por shtatëdhjetë e dy, ose mbi njëqind apo dyqind perëndime, pa e lëvizur karrigen nga vendi për asnjë çast.

I rënduar nga trishtimi i kujtimeve që e lidhnin me planetin e tij të vogël që ai kishte braktisur, guxoi t’i kërkonte mbretit ndihmë.

-Unë do të doja të sodisja një perëndim, …, a mundeni ju madhëri të më krijoni një privilegj dhe ta urdhëroni diellin të perëndojë?

Mbreti filloi të filozofonte.

-Nëqoftëse unë e urdhëroj një gjeneral të hidhet nga një lule në tjetrën si një flutur, ose të krijojë një dramë tragjike, ose të kthehet në një zog deti dhe gjenerali nuk e zbaton urdhërin tim, kush e ka fajin, unë apo ai? -pyeti mbreti.

-Ju, -tha i vendosur Princi i vogël.

-Saktë. Ne duhet t’i japim dikujt një detyrë që mund të kryhet, -tha mbreti.

-Zbatimi i një komande, varet shumë në është apo jo e arsyeshme. Nëse një pushtetar e urdhëron popullin e tij të mbytet në det, ai do të ngrihet në protesta. Unë dua të bindem se urdhëri që lëshoj është i drejtë.

-Po urdhëri për perëndimin tim? – e pyeti Princi i vogël i brengosur.

-Ju do ta keni perëndimin tuaj, -tha mbreti. -por sipas dijeve të mia shkencore, kjo ka për të ndodhur në çastin e përshtatshëm.

-Dhe kur do të jetë ky çast i përshtatshëm? -pyeti Princi i vogël.

-Hëm! Hëm! -u kollit mbytur mbreti siç e kishte zakon kur do t’i përgjigjej ndonjë pyetjeje të vështirë, ndërsa shfletonte një kalendar.

-Hëm, hëm! Kjo ka për të ndodhur, rreth orës shtatë e dyzet minuta të mbrëmjes. Dhe jam i bindur se ju do ta shijoni atë qetësisht. Princi i vogël u mërzit.

-Unë nuk kam pse të qëndroj më këtu, -i tha ai mbretit. -Do të largohem.
-Mos u largo, -tha mbreti i kënaqur që kishte edhe dikë tjetër në mbretërinë e tij.
-Mos shko! Unë do të bëj ministër! -Ministër të kujt?
-Ministër të drejtësisë.
-Por këtu nuk ka asgjë për të gjykuar…

-Unë mendoj se një mi plak është fshehur në një skutë të planetit tim. I dëgjoj kërkëret e tij natën. Ju mund ta kërkoni dhe ta dënoni. Duhet ta dënoni me vdekje. Ai do të kërkojë tek unë faljen e jetës. Unë do ta kthej edhe një herë çështjen tek ju dhe ju do t’i falni jetën. Nuk ka pse ta dënojmë me vdekje. Vetëm miu është këtu.

– Unë nuk mund të dënoj ndokënd me vdekje. Dhe tani duhet të shkoj.
-Jo, -tha mbreti.

Por Princi i vogël e kishte menduar se ç’duhej të thoshte për të marrë pëlqimin e mbretit plak.

-Në qoftëse madhëria juaj më urdhëron të largohem sa më shpejt, unë do ta zbatoj në çast urdhërin tuaj. Besoj se rrethanat janë të përshtatshme për t’u larguar.

Mbreti nuk dha ndonjë përgjigje dhe Princi i vogël u trishtua një çast. Pastaj duke psherëtirë u kthye me shpinë nga mbreti.

-Unë do të bëj ambasadorin tim, -nxitoi të thoshte mbreti me një zë të rëndë me shpresë që Princi i vogël të ndryshonte mendje.

-Të rriturit, janë shumë të çuditshëm, -po thoshte me vete Princi i vogël dhe u largua.

  1. Planeti imburravecit

Në planetin e dytë që vizitoi Princi i vogël, jetonte një mburravec.

-Ah, ah, po vjen një admirues dhe një ndjekësi im, -tha me mburrje ai, kur dalloi nga larg Princin e vogël. Ai mendonte se qëndronte një shkallë më lart se çdokush tjetër.

-Mirëmëngjes, -tha princi i vogël. -Kapelja që ke mbi kokë duket shumë qesharake.

-Këtë kapelë e kam për të përshëndetur, -u përgjigj mburraveci. -Atë e ngre nga koka kur njerëzit kërkojnë të më nderojnë. Për fat të keq askush nuk kalon këtu.

Princi i vogël që nuk po e kuptonte ç’kërkonte të thoshte ai që kishte përballë.

-Përplasi pëllëmbët me njëra tjetrën, -e mësoi mburraveci Princin e vogël.

Princi i vogël përplasi pëllëmbët. Mburraveci hoqi kapelën nga koka dhe përshëndeti Princin e vogël.

-Kjo qenka më interesante dhe më argëtuese se vizita tek mbreti, -mendoi Princi i vogël dhe vazhdoi të përplaste papushim pëllëmbët.

Pak minuta më vonë, Princi i vogël ndjehej i lodhur dhe loja iu duk e mërzitshme.
-Po kur të bie kapelja, ç’bën ti? -e pyeti Princi i vogël.

Mburraveci bëri sikur nuk e dëgjoi. Mburravecët nuk dëgjojnë kur nuk u pëlqen të dëgjojnë.

-A më admiron mua shumë? -pyeti ai Princin e vogël.

-Unë nuk e di kuptimin e fjalës “admiroj”.

-Të më admirosh do të thotë të më konsiderosh mua njeriun më të zgjuar, më të pashëm dhe më të fuqishëm të planetit.

-Kjo nuk ka kuptim sepse ti je njeriu i vetëm në këtë planet.

-Bëje këtë për mua. Thuaj se më admiron.

-Unë të admiroj, -tha Princi i vogël duke ngritur supet i çuditur. -Por pse të intereson kjo kaq shumë? -e pyeti Princi i vogël dhe u largua.

-Të rriturit janë vërtetë të çuditshëm, -po thoshte me vete ndërsa vazhdonte udhëtimin e tij.

  1. Planeti i pijanecit

Planeti i tretë banohej nga një pijanec. Edhe pse aty qëndroi fare pak, Princit të vogël i shkaktoi një dhimbje të thellë pamja e tjetrit.

-Çfarë po bën këtu? -e pyeti ai pijanecin që ishte ishte ulur pranë një tavoline të mbushur me një grumbull shishesh me pije alkolike, një pjesë të boshatisura dhe një pjesë të mbushura plot.

-Jam duke pirë, -tha pijaneci me një pamje të çoroditur. -Përse pi kaq shumë? -e pyeti Princi i vogël.
-Sepse dua të harroj, -tha pijaneci.

-Çfarë kërkon të harrosh? -pyeti Princi i vogël i trishtuar nga pamja e tij.

-Të harroj turpin, -tha pijaneci me kokën që po i varej poshtë.

-Për çfarë turpi e ke fjalën? -nguli këmbë Princi i vogël që kërkonte ta ndihmonte.

-Turp nga pija, -tha pijaneci që dhe u rrëzua në dysheme.

Princi i vogël, qëndroi dhe pak dhe u largua. -Të rriturit janë të çuditshëm aq sa nuk ta merr mendja, -thoshte ai me vete ndërsa vazhdonte në udhën e tij.

  1. Planeti i tregtarit

Princi i vogël vizitoi planetin e katërt. Ai banohej nga një tregtar. Tregtari, personi i vetëm që banonte aty, ishte i humbur pas llogarive dhe nuk tregoi asnjë vëmendje për ardhjen e Princit të vogël.
-Mirëmëngjes, -e përshëndeti Princi i vogël. Tregtari atë çast po kryente mbledhjen e shifrave.
-Pesëqind milionë.
-Çfarë? -pyeti Princi i vogël.
-Pesëqind milionë xixëllime, -tha tregtari që e ngrinte kokën herë pas here në qiellin e natës.
-E keni fjalën për yjet?
-Po. E kam fjalën për yjet…

Princi i vogël e kuptoi që tregtari po llogariste yjet dhe e pyeti se çfarë lidhje kishte ai me këta miliona yje. Tregtari i tha se këto yje do t’i pronësonte. Pasi t’i pronësonte ata, do të ishte i vëmendshëm që të blinte yje të tjerë të panjohur, të gjithë yjet që mund të zbuloheshin.

Ai ndjehej krenar që askujt më parë nuk i kishte shkuar në mendje të pronësonte yjet. Princi i vogël i habitur e pyeti se si mund t’i kthente yjet në pronë të tij, kur ata ishin në qiell dhe ai nuk mund t’i merrte me vete. Për tregtarin kishte rëndësi që t’i regjistronte diku dhe kaq mjaftonte që të ktheheshin në pronë të tij.

Princi i vogël ra në mendime.
-Në planetin tim ka një lule, -i tha ai tregtarit. -Lulen time e ujis çdo ditë. Ka edhe tre vullkanë që i pastroj çdo javë. Unë jam i nevojshëm për lulen dhe vullkanet e mi. Ju nuk u duheni yjeve dhe nuk mund t’i përdorni ata. Tregtari ishte harruar pas shënimeve të tij dhe nuk po e ndiqte bisedën. Princi i vogël, qëndroi edhe një çast dhe u largua.

-Këta, të rriturit, janë të papërfytyrueshëm, -thoshte me vete Princi i vogël ndërsa ndiqte udhën e tij.

  1. Planeti i ndezësit të fenerëve

Planeti i pestë ishte shumë i veçantë. Ai ishte shumë i vogël, më i vogli i të gjithë planetëve. Kur arriti aty, Princi i vogël përshëndeti ndezësin e fenerëve. Planeti mjaftonte për ndriçuesin e vetëm dhe ndezësin e tij. Edhe pse për Princin e vogël, ishte e pakuptueshme se çfarë mund të duhej ndriçuesi në një planet aq të vogël ku nuk kishte as njerëz dhe as shtëpi, ndezësi i fenerëve ishte më interesant se të gjithë personazhet e tjerë që ai kishte vizituar në planetët e tjerë. Planeti i vogël rrotullohej në një minutë rreth vetes dhe kjo do të thoshte se dita dhe nata aty zgjasnin nga një minutë. Çdo minut ndezësi duhej të ndizte dhe të shuante fenerin. Princit të vogël i dukej se çdo minutë që rindizej feneri, një yll i ri ndriçonte në qiell dhe për të kjo ishte një gjë e bukur. Ngaqë ishte e pamundur që në atë planet të qëndronin dy njerëz, princi i vogël vendosi të largohej. Ai ishte i trishtuar që po ndahej me ndezësin e fenerëve dhe me planetin ku brenda njëzet e katër orëve, kishte 1440 perëndime.

  1. Planeti i gjeografit

Planeti i gjashtë, më i madhi i të gjithë planeteve, banohej nga një dijetar plak, përkulur mbi libra të mëdhenj. Plaku i urtë i tha Princit të vogël se ai ishte një studiues i gjeografisë dhe dinte saktësisht vendndodhjet e detrave, të maleve, të qyteteve apo të shkretëtirave. Dijetari u interesua për planetin e Princit të vogël që ta shënonte edhe atë në librat e tij të mëdhenj.

Princi i vogël i tha se planeti nga vinte nuk ishte edhe kaq i veçantë. Aty kishte tre vullkane dhe një lule. Gjeografi plak, i tha se ai nuk mund ta trajtonte lulen në librat e tij sepse lulet janë “kalimtare, jetëshkurtra”. Princi i vogël u trondit kur mësoi se lulja e tij do të ishte kalimtare, jetëshkurtër. Ai i kërkoi gjeografit t’i jepte një mendim se cilin planet të vizitonte dhe gjeografi e këshilloi të vizitonte tokën.

-Toka, -i tha ai, -është një planet shumë interesant. Princi i vogël u largua i ngarkuar me dhimbjen se lulja e tij ishte kalimtare dhe jetëshkurtër.

  1. Toka planeti i shtatë

Unë i shpjegova Princit të vogël se Toka nuk është një planet i zakonshëm. Në tokë ka shumë mbretër, gjegrafë, tregtarë, pijanecë… Në tokë ka rreth dy miliardë njerëz. Që të kishte një ide për madhësinë e tokës, i thashë se para shpikjes së elektricitetit aty kishte 462511 ndezës fenerësh. Ajo, pamja vezulluese e fenerëve, e vështruar nga lart, ishte e mrekullueshme.

Të gjithë ndriçuesit ndizeshin rregullisht çdo mbrëmje pothuajse në mbarë botën, po të përjashtosh, ato të polit të Veriut dhe të Jugut, që ndizeshin dy herë në vit.

  1. Fillimisht në Afrikë

Princi i vogël u çudit kur preku tokën. Më vonë jam përmendur se përshkrimi im për tokën e ka çoroditur dhe i ka krijuar atij një përfytyrim të gabuar, sepse vetëm zona të caktuara të saj kanë dyndje popullsie. Njerëzit në tokë, për të rriturit e kam fjalën, besojnë se janë po aq të rëndësishëm sa edhe baobabët.

Princi i vogël kishte shtangur sepse asgjëkundi nuk shihte ndonjë njeri. Ai kishte mendur se kishte gabuar dhe kishte zbritur në ndonjë planet tjetër. Në atë kohë kishte dalluar një përdredhje të artë nëpër rërë. Unaza e artë që përdridhej ishte një gjarpër. Nga gjarpëri mësoi se gjendej në shkretëtirën e Afrikës ku nuk ka njerëz. Princi i vogël e vështroi gjarpërin me vëmendje për një kohë të gjatë.

-Keni një pamje shumë qesharake, -tha më në fund Princi i vogël, -dhe nuk jeni më i trashë se një gisht.

-Por unë jam më i fuqishëm se një mbret, -tha gjarpëri. Princi i vogël buzëqeshi.

-Ti nuk je aq i fuqishëm; nuk ke këmbë dhe nuk mund të udhëtosh gjatë.

-Unë mund të të çoj andej ku nuk të çon dot ndonjë anije, -tha gjarpëri.

Gjarpëri u mbështoll vetëtimthi si një unazë, rreth kyçit të këmbës së Princit të vogël dhe i tha se ai vetëm me një të pickuar mund ta kthente në planetin nga kishte ardhur. -Ti je ndryshe nga njerëzit e zakonshëm. Kam mëshirë ngaqë je kaq delikat. Por nëqoftëse një ditë kërkon të kthehesh në planetin tënd, unë mund…

-Oh! Të kuptoj shumë mirë, -tha Princi i vogël, -Po pse gjithnjë flet si me gjëegjëza?

-Sepse e zgjidh lehtë të fshehtën e tyre, -tha gjarpëri. Dhe ata heshtën.

  1. Lule me tre petale

Ndërsa ecte nëpër shkretëtirë me shpresën se do të takonte njerëz, Princi i vogël dalloi një lule me tre petale. Pranë lules, kohë më parë, kishte kaluar një karvan me gjashtë apo shtatë njerëz. Ata, njerëzit, nuk kishin rrënjë që të qëndronin në një vend, por ishin larguar tutje… Ndoshta i kishte rrëmbyer era.

  1. Në majë të malit

Dhe ndërsa shkonte tutje, përpara Princit të vogël, u shfaq një mal i lartë. Një mal aq të lartë nuk kishte parë kurrë. Tre vullkanet e planetit të tij që i kishte menduar si male, i arrinin gjer tek gjunjët. Njërin prej tyre, vullkanin e shuar ai e shfrytëzonte si një karrige për t’u ulur.

-Nga një lartësi e tillë, -tha ai me vete, -unë me një vështrim do të mund të shoh të gjithë tokën dhe njerëzit e saj… Ai u zhgënjye kur u ngjit dhe nga maja e malit, u shfaq një pamje e trishtuar, me shkëmbinj e humnera që të kallnin frikën. Kur ai thërriste, ehoja e zërit që përplasej në faqet e malit, kthehej përsëri dhe atij i bëhej se i përgjigjeshin njerëz të tjerë. Princi i vogël u habit.

-Si qenka toka, -tha i çuditur. -Këtu paska vetëm pamje të shkreta, të thata, maja të thyera, të pakalueshme. Princi i vogël ishte në mëdyshje në duhej të qëndronte apo jo më gjatë në këtë planet të egër që nuk të afronte asnjë lloj miqësie, me ca njerëz të fshehtë që përsërisnin fjalët që ai thoshte.

Ai solli ndërmend me mall, lulen e bukur të planetit të tij që gjithnjë kishte dëshirë të të fliste.

  1. Trëndafilat

Dhe pas një mundimi të gjatë dhe të lodhshëm, duke u endur herë në rërën e shkretëtirës, herë nëpër shkëmbinj, dhe herë nëpër dëborë, Princi i vogël gjeti një shteg të ngushtë që të nxirrte në rrugën e madhe.

Dhe rrugët, të ngushta apo të gjëra, të shtruara apo të pashtruara, të çojnë në fshatra, të çojnë në qytete, të çojnë tek njerëzit. E ndërsa ecte i hutuar mes njerëzve e mahnitej duke vështruar me çudi fytyra të panjohura, shtangu para një kopshti.

Kopshti ishte i mbushur me trëndafilë.

-Mirëmëngjes, -përshëndeti Princi i vogël. -Mirëmëngjes, -i kthyen përgjigje trëndafilët.

Princi i vogël po i shihte me vëmendje trëndafilat, krejt të ngjashëm me lulen e tij.

-Kush jeni ju? -pyeti Princi i vogël i çuditur.

-Ne jemi trëndafilët, -u përgjigjën trëndafilët. Dhe ai u trishtua. Lulja e tij i kishte thënë se ajo ishte e vetme në gjithësi, ndërsa ai arriti të numëronte pesëmijë trëndafilë në një kopsht të vetëm.

Princit të vogël i erdhi keq për veten ndërsa mendonte se ishte princ mbi tre vullkanë të vegjël dhe një lule që e kishte menduar të vetme në gjithësi, por që në të vërtetë ishte një trëndafil i zakonshëm. Ndërsa mendonte se nuk ishte kushedi çfarë princi, krejt i parëndësishëm, u shtri mbi barin e gjelbërt e filloi të qante.

  1. Princi i vogël takon një dhelpër

Dhe, ndërsa qëndronte mbi barin e gjelbërt, pa një dhelpër nën një pemë. Ai i kërkoi asaj të luanin bashkë që të kalonte mërzinë.

-Unë nuk luaj me ty, -i tha dhelpra. -Unë nuk jam e zbutur. -Çdo të thotë e zbutur? -pyeti Princi i vogël.

Dhelpra i tha se zbutja është dalja nga egërsia, komunikimi me të tjerët.

-Gjermë tani, -tha dhelpra, -ju jeni për mua i panjohur, njëlloj si mijëra fëmijë të tjerë. Unë trembem nga ti, nuk të besoj. Nëqoftëse do të më zbusësh mua, do të jetë ndryshe. Princi i vogël u përmend se atë e kishte zbutur lulja e bukur e planetit të tij. Ai mund ta zbuste dhelprën, por ajo e humbi interesin kur mësoi se në planetin e tij nuk kishte zogj.

-Jeta këtu është pakuptim, -tha dhelpra. -Unë gjuaj zogjtë, njerëzit më gjuajnë mua. Mua, të gjithë zogjtë më ngjajnë me njëri-tjetrin dhe të gjithë njerëzit më ngjajnë me njëri-tjetrin, prandaj kam mbetur e egër. Por, nëqoftëse ju do të më zbusni mua, unë do ta vështroj botën ndryshe. Kur kaloj tani përshembull, pranë fushave me grurë, nuk më bën përshtypje asgjë, por kur të kaloj e zbutur, gruri do më kujtojë ngjyrën e artë të flokëve të tu.

-Si mund të të zbus? -pyeti Princi i vogël.

-Vështirë është, por duhet të tregohesh i durueshëm, -u përgjigj dhelpra. -Fillimisht mos u afro aq shumë, ulu atje në bar dhe unë do të ndjek me bisht të syrit. Mos thuaj asnjë fjalë. Fjalët janë burimi i keqkuptimeve. Dhe më pas, çdo ditë, afrohu ca më afër…

Dhelpra i theksoi atij se zbutja lind nga besimi që krijohet ndërmjet atij që zbut dhe asaj që do të zbutet. Në jetë gjërat e bukura krijohen nga zbutja. Dhe kështu, nga njëra ditë në tjetrën, Princi i vogël filloi të afrohej gjithnjë dhe më afër dhelprës. Dhe, duke pritur Princin e vogël, ditët e saj filluan të ndryshojnë, u bënë të ndryshme nga njëra tjetra.

Por shpejt, ora e largimit të Princit të vogël erdhi dhe dhelpra, që nuk e priste largimin e tij, ndjehej e mallëngjyer.

-Mbaje mend. Nuk janë sytë që shohin, -i tha ajo Princit të vogël -është zemra ajo që sheh.

  1. Ndërruesi i shinave

Princi i vogël vazhdoi udhëtimin e tij dhe takoi ndërruesin e shinave të trenit.

-Çfarë bën ti këtu? -pyeti Princi i vogël.

-Unë drejtoj udhëtarët të mos ngatërrojnë trenat e të marrin drejtimet e duhura. Disa i drejtoj në të majtë e disa në të djathtë.

Një tren kaloi me shpejtësi para tyre.

-Po përse nxitojnë kaq shumë? -pyeti Princi i vogël. -Askush nuk e di pse nxitojnë kaq shumë, -tha ndërruesi i shinave.

Një tren tjetër, edhe më i shpejtë, erdhi në drejtimin e kundërt.

-Si u kthye kaq shpejt? -pyeti i çuditur Princi i vogël.

-Ai nuk u kthye; është një tren tjetër, -tha ndërruesi i shinave.

-Këta njerëz që shkojnë dhe vijnë, ngjiten dhe zbresin, mos ndjekin njëri tjetrin? -pyeti Princi i vogël.

-Nuk ndjekin njëri tjetrin. Ata janë të rritur dhe të rriturit nuk dijnë se ç’bëjnë…

-Vetëm fëmijët e kanë të qartë se me çfarë merren, -tha Princi i vogël. -Ata e kalojnë kohën me kukullat e tyre dhe kukullat janë shumë të rëndësishme për ta. Nëse ndonjëri u merr kukullat dhe prish lojën e tyre, fëmijët fillojnë dhe qajnë.

-Ata ndjehen të lumtur me kukullat e tyre, -tha ndërruesi i shinave.

  1. Kokrra kundër etjes

Princi i vogël takoi një tregtar. -Mirëmëngjes, -i tha Princi i vogël. -Mirëmëngjes, -i tha tregtari që po shiste kokrra kundër etjes. Sipas tij, personi që do të pinte një kokërr të tillë në një javë, nuk kishte nevojë të pinte më ujë e nuk do ta ndjente etjen.

-Dhe pse të mos pijë ujë? -pyeti Princi i vogël. -Për të kursyer kohën, -tha tregtari. -Këto kokrra janë krijuar nga specialistët dhe specialistët kanë llogaritur se duke përdorur ato mund të kurseni pesëdhjetë e tre minuta çdo javë.

-Dhe çfarë mund të bëhet në këto pesëdhjetë e tre minuta?

-Atë që ju dëshironi, -tha tregtari.

-Nëqoftëse do të më pyesnin mua se ç’do të bëj, -tha Princi i vogël, -unë do t’u përgjigjesha se në këto pesëdhjetë e tre minuta, do të kërkoja një burim për të pirë ujë të freskët.

  1. Kërkimi i pusit

Kishin kaluar tetë ditë nga ulja e avionit dhe ndërsa Princi i vogël u kthye nga udhëtimi i tij në shkretëtirë, unë kisha mbetur pa një pikë ujë. Princi i vogël kishte dëshirë për të treguar dhe tregonte papushim.

-Ah, -i thashë Princit të vogël, -rrëfimet e tua janë shumë interesante, por unë nuk po e riparoj dot defektin, nuk kam më ujë për të pirë dhe më duhet të kërkoj nëpër shkretëtirë për të gjetur ndonjë pus uji.

-Dhelpra, mikesha ime…
Princi i vogël nisi një rrëfim tjetër, por unë e ndërpreva.
-I dashur vogëlush, kuptoje se nuk ka më rëndësi dhelpra.

-Përse nuk ka rëndësi? -u çudit Princi i vogël. -Sepse unë po vdes nga etja…

Ai më vështroi edhe një herë me vëmendje. -Edhe unë kam shumë etje, -tha Princi i vogël.

-Shkojmë dhe kërkojmë ndonjë pus.

Ne u endën shumë orë në kërkim të pusit, gjersa ra nata dhe qielli u mbush me yje. Princi i vogël u lodh dhe u ul në rërë. Edhe unë u ula pranë tij. Pas një heshtjeje të shkurtër, ai tha:

-Yjet bëhen të bukur për shkak të një luleje që nuk shihet. Edhe shkretëtira është e bukur sepse diku fsheh një pus.

Nuk e di pse m’u kujtua shtëpia e fëmijërisë. Të rriturit mendonin se diku në muret e saj të vjetër, ishin fshehur thesare. Unë mrekullohesha ndërsa përpiqesha të merrja me mend ku gjendeshin thesaret.

Më parë se Princin e vogël ta merrte gjumi, e ngrita në krahë dhe nisa udhën edhe një herë për të kërkuar një pus në shkretëtirë. Më dukej sikur ndjeja dhe hare dhe marramendje. Isha i bindur se në duar mbaja një perlë të çmuar dhe delikate, një të dashuruar marrëzisht me lulen e tij. Nuk besoj se mund të kishte një krijesë tjetër me një delikatesë të tillë në gjithësi.

Kur dita po zbardhte, nuk e kuptova si u gjendem përballë një pusi.

  1. Premtimi

Unë mbusha kovën. Pusi ishte krejt ndryshe nga të gjithë puset e shkretëtirës së Saharasë. Dukej si një pus fshati, edhepse rretheqark nuk kishte ndonjë shtëpi. E afrova kovën në buzët e Princit të vogël dhe ai piu symballazi. Edhe unë piva ujë symbyllazi.
-Njerëzit, këtu ku jetoni ju, kanë pesëmijë trëndafilë në një kopsht të vetëm, por nuk janë në gjendje ta kuptojnë dëshirën e një trëndafili të vetëm për një pikë ujë.

-Kjo është e vërtetë, -thashë unë.
-Sepse ata shohin me sy dhe jo me zemër, -tha princi i vogël. Ai heshti ca, pastaj mori frymë thellë.
-Ju nuk e mbajtët premtimin, -më tha Princi i vogël kur ishim ulur pranë e pranë.
-Çfarë premtimi?
-Ju më premtuat një turizë për qengjin. Unë i detyrohem asaj luleje…

Unë nxorra nga xhepi vizatimet që kisha sajuar. Princi i vogël zuri të qeshte.
-Baobabët që ke vizatuar, duken si lakra, -më tha, -por fëmijët do ta kuptojnë..

Unë vizatova një turizë dhe ia dhashë zemërthyer.
-Ti po më fsheh diçka, -i thashë unë. -Ke diçka për të më thënë dhe nuk po ma thua.
Ai nuk u përgjigj.
-A e di se nesër mbushet një vit nga ardhja ime në tokë? Nuk e pyeta më për të fshehtën e tij, por ndjehesha
i trishtuar. Ai më tha të shkoja pranë avionit dhe të kthehesha përsëri të nesërmen mbrëma.

  1. Rikthimi në planetin e tij

Pranë pusit kishin mbetur rrënojat e një muri të vjetër. Kur unë u ktheva të nesërmen në mbrëmje, e dallova nga larg Princin e vogël të ulur mbi murin e vjetër duke tundur këmbët si në një përpjekje për t’u hedhur. Ai po bisedonte me një gjarpër dhe nuk e ndjeu ardhjen time.

-Atëherë ti nuk e kujton, -i thoshte Princi i vogël gjarpërit. -Ky nuk është pikërisht ai vend ku ne u takuam. Këtu lart ti nuk më arrin dot dhe unë ndoshta duhet të hidhem nga muri.

Unë isha rreth njëzet metra larg nga muri dhe kërceva në ajër. E dija se pickimi i gjarpërit të verdhë që po bisedonte me Princin e vogël, të dërgonte në botën tjetër. Unë nxorra armën dhe gjarpëri që ndjeu zhurmë u largua e u zhduk mes gurëve. E mora në krahë Princin e vogël. Fytyra e tij ishte e zbehtë si dëbora. Ai më uroi që kisha rregulluar aeroplanin.

-Nga e mësove se e rregullova aeroplanin? -e pyeta unë. Ai nuk më dha përgjigje për pyetjen por më tha se do të kthehej në planetin e tij atë mbrëmje.

-Ai është larg dhe të ngjitesh atje, është shumë e vështirë, -tha Princi i vogël.

Pastaj Princi i vogël më kërkoi të largohesha e të mos kthehesha më aty atë natë. Nuk donte të mendoja se po vdiste. Unë nuk pranova që të largohesha atë natë. Mbaj mend, se ndërsa ne shëtisnim ai u përpoq të më mbushte mendjen se trypi ynë është vetëm një mbulesë.

-Unë jam nisur në një udhë të gjatë dhe trupi mund të mbetet këtu si një rrobë e braktisur. Duhet të shkoj tek lulja ime.

Dhe atë çast unë ndjeva një vetëtimë verbuese. Gjarpëri u rrotullua si një unazë rreth kyçit të këmbës së tij dhe përsëri si një vetëtimë u largua. Princi i vogël, u shkëput nga unë lehtë , pa zhurmë.

Gjashtë vjet më vonë unë u ula për të shkruar këtë histori. Kam bindjen se ai është kthyer përsëri në planetin e tij, është ngjitur atje lart në yje. Që atëherë gjatë natës dal dhe shikoj yjet. Më duket sikur dëgjoj tringëllima zilkash. Nuk e di çfarë ka ndodhur në planetin e tij. E ka ngrënë apo jo qengji lulen. Të rriturit e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë rëndësie ka kjo. Ju lutem, shikojeni me vëmendje këtë peisazh, mos e harroni. Po të gjendeni ndonjëherë në shkretëtirën afrikane, qëndroni aty dhe prisni shkëlqimin e një ylli. Po të ndodhë që një fëmijë me flokë të arta afrohet tek ju, është ai.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!