Dhelpra dhe gjelat e detit

dhelpra dhe gjelat e detit

Dhelpra dhe gjelat e detit

Kohë më parë, një tufë gjelash të egër deti, bukuroshë sa nuk bëhet më,  flinin në degët e një druri të moçëm në një pyll të dendur. Atje lart, në kurorën e drurit plak, ndjeheshin të qetë dhe gjumi vinte i ëmbël. Aty, lart, nuk ngjiteshin dot as dhelprat, as çakejtë dhe as ujqërit. Gjatë ditës, gjelat e detit uleshin në kullotë, luanin me njëri-tjetrin, ngrefosnin bishtin si kurorë me shumëngjyra e nuk e kuptonin si afrohej mbrëmja. Kur mbrëmja afrohej, ata rrihnin krahët e fluturonin përsëri lart në degët e drurit plak.

Gjumi i merrte shpejt dhe ishte gjithnjë një gjumë i qetë dhe i lehtë. Dhelprat dhe egërsirat e tjera, shkonin dhe vinin rreth trungut të drurit plak, por tufën e gjelave të detit nuk e arrinin dot. Ndonjëherë, dhelprat provonin të ngjiteshin lart në kurorë ku flinin gjeldetat, ngulnin kthetrat në trung, por më kot. Ngjiteshin gjer diku, e më pas rrëzoheshin e largoheshin tutje pa e kthyer kokën prapa. Gjelave të detit u pëlqente të shikonin si rrëzoheshin dhelprat e saporritura dhe dhelprat e moshuara. Por një mbrëmje, ndodhi diçka e papritur.

Një dhelpër provoi të ngjitej në trungun plak dhe u rrëzua. Provoi përsëri dhe u rrëzua. Provoi dhe një herë tjetër, dhe ra, u shemb me forcë në tokë. Kaloi një kohë e gjatë dhe dhelpra nuk po ngrihej më.

-Kaq e kishte edhe dhelpra, -nxitoi të thoshte më i riu i gjelave dhe tufën e pushtoi hareja. Por, më plaku i gjelave të detit, nuk i hiqte sytë nga dhelpra. Ndërsa tufa e gjelave të detit nuk përmbahej nga hareja, ai dalloi se bishti i dhelprës po tundej lehtë e gëzueshëm.

-Ajo po shtiret si e ngordhur, -tha më plaku i tufës.

Tufa e gjelave të detit shtangu e nuk i shqiste më sytë nga dhelpra. Dhelpra e kuptoi se nuk kishte më kuptim të qëndronte shtrirë. Loja e saj kishte mbaruar. U ngrit, kërceu edhe një herë tjetër në trungun plak dhe u largua.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!