TË DY TRËNDAFILAT

TË DY TRËNDAFILAT

Nje trendafil i kuq, që porsa e kishin këputur,
nxori kryet buzë një vazoje të
kristaltë, plot me ujë të freskët.
Në të njëjtën tryezë, në një kup prej porcelani
të pikturuar shumë bukur, ishte vendosur një tjetër
trëndafil me petale prej cope mëndafshi të kuq
shumë të bukur, dhe i punuar me aq mjeshtëri, sa
dukej sikur ish një trëndafil i vërtetë si ai që kishin
këputur në kopsht.
Trëndafili i gënjeshtërt mburracak i tha atij të
vërtetit me tallje:

— Ti që mburresh se je mbreti i gjithë luleve,
shiko sa lehtë qenka për njerinë që, me zotësinë e
tij, me mjeshtrinë e tij, të krijojë një lule po aq të
bukur dhe ndoshta më të bukur nga ti. Ti nesër
pasnesër do të fishkesh, do të thahesh, ndërsa unë
do të vazhdoj të jem i bukur dhe të mbretëroj në
këtë sallon. Bukuria ime është e përjetshme, ndërsa
e jotja është e përkohshme.

Në këtë çast, nga dritarja e hapur hynë disa flutura
krahëshkruara dhe filluan të rrotullohen rreth
të dy tredafilave. Njera flutur, ajo më e bukura, iu
afrua trëndafilit fals prej mëndafshi, i mori erë, u
mendua pak, pastaj u largua prej tij, dhe fluturoi e
u ul mbi trëndafilin e vërtetë. Kështu bënë njëra
pas tjetrës te gjitha fluturat e tjera; ato e shikonin
me perbuzje trëndafilin prej mëndafshi dhe shkonin
e përkëdhelnin atë që kish krijuar natyra.

Dhe ja pse ngjau kjo: Kur iu afruan trëndafilit
prej mëndafshi, fluturat ndjenë ftohtësinë e stofës,
ndërsa kur prekën trëndafilin e vërtetë, ndjenë
ngrohtësinë e fletëve të petaleve, aromën
kundërmonjëse që ia ka dhuruar natyra vetë.
Kjo aromë s’mund t’i gabojë kurrë insektet,
mbasi është shpirti i vërtetë i lules. Trëndafili i
mëndafshtë dhe i vërtetë u përngjasin dy vetave që
kanë të njëjtën bukuri. Mirëpo njëri është me ndjenja,
me zemër të ngrohtë e bujare, ndërsa tjetri është i ftohtë
si akulli, kryelartë, pa ndjenja si trëndafili fals.
Prandaj nuk i afrohet njeri që t’i marrë erë.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!