Gaforrja e zgjuar dhe Oktapodi i keq

gaforrja e zgjuar dhe oktapodi i keq perralla shqip

Gaforrja e zgjuar dhe Oktapodi i keq

Njëherë e një kohë, në thellësitë e oqeanit jetonte një oktapod i keq. Ai sulmonte këdo që i zinte syri. Shtrihej në fundin e detit si i vdekur, fshihej mirë dhe i kollofiste me një kafshatë kafshët e vogla të detit, që i afroheshin duke mos e vënë re. Ndonjëherë i mërzitej shpirti dhe sulmonte edhe kafshë të tjera më të mëdha se vetja. Në të njëjtin oqean, jetonte edhe një tufë gaforresh.

Gaforret ishin të urta dhe nuk cenonin askënd. Jetonin në lirinë e tyre. Një ditë, gaforret po luanin bashkë. Me sa duket bënin aq zhurmë, saqë zërat e tyre shkuan deri në veshin e oktapodit. A rri rehat oktapodi, tani, që i dëgjoi këto zëra!? Pa humbur kohë u drejtua për te vendi nga ku vinin zërat. Kur arriti në vendin, ku po luanin gaforret, ç‛të shihte: një tufë gaforresh po luanin të shkujdesura.


– Motra! Disa prej miqve tanë ranë pre e atij oktapodi tiran. Dhimbja jonë është e madhe. A do të presim kështu pa bërë asgjë? Nga ta dimë se, ai, oktapod nuk do të kthehet përsëri? Prandaj duhet të organizohemi të gjitha së bashku kundër tij. Dhe duhet të jemi shumë të kujdesshme.
-Mirë, po çfarë duhet të bëjmë? Si të mbrohemi prej oktapodit gjigand? –ndërhyri një gaforre. -Unë jam më e moshuara nga të gjithë ju…,

-tha gaforrja e mençur. Përvoja ime është e madhe. Nëse bëni çfarë ju them unë, do ta mundim atë oktapod. Madje, mund të marrim edhe hakun e motrave tona. Të gjitha gaforret e pranuan propozimin e gaforres së moshuar e të mençur.

Këtej e tutje, kur të ishin duke luajtur, do të vendosnin një roje, e cila do t‛i lajmëronte, nëse u afrohej ndonjë rrezik. Nuk vonoi dhe oktapodi u duk përsëri. Gaforrja-roje i lajmëroi menjëherë shoqet e saj, të cilat u fshehën dhe oktapodi u kthye duarbosh në strofullën e tij. Oktapodi, nga që nuk arriti të kapte asnjë gaforre, u nxeh shumë.

Madje, prej zemërimit të madh, sulmoi edhe një peshkaqen, që po kalonte andej. Por mezi shpëtoi prej atij peshkaqeni. Ndërkohë, sulmet e shpeshta të oktapodit, po e mërzisnin shumë gaforren e moshuar. Ajo duhej të gjente një rrugëzgjidhje. Edhe ajo e kishte parë ngjarjen, kur oktapodi sulmoi peshkaqenin. Ishte frikësuar edhe më shumë. Mirëpo, patjetër duhej gjetur një mënyrë për të shpëtuar prej tij.

I erdhi në mendje një ide e mrekullueshme. Ajo do të kërkonte ndihmën e peshkaqenit. Duke vënë jetën në rrezik, shkoi pranë peshkaqenit. Kur peshkaqeni e pa gaforren, deshi ta hante, por gaforrja tha:
-O vëlla! Më parë më dëgjo, pastaj më ha po deshe.

Gaforrja ia tregoi peshkaqenit të gjitha një nga një. Sapo dëgjoi emrin e oktapodit, peshkaqenit as që i shkoi më në mendje të hante gaforren, sepse ishte shumë i nxehur me oktopodin. Menjëherë bënë një plan së bashku me gaforren. Sipas planit, ndërkohë që gaforret do të luanin, peshkaqeni do të fshihej diku në një vend. Kur të vinte oktapodi, gaforret do të vraponin drejt peshkaqenit. Kështu që sheshi i luftës do t‛i ngelej peshkaqenit.


Ditën tjetër, gaforret filluan të luanin duke bërë zhurmë të madhe. Qëllimi i tyre ishte të tërhiqnin oktapodin aty ku po luanin. Dhe ashtu ndodhi. Oktapodi e dëgjoi zhurmën. La strofullën dhe nisi t‛i afrohej gjahut. Ndërkohë, peshkaqeni kishte zënë pozicion. Sapo e panë oktapodin, gaforret vrapuan drejt peshkaqenit, sipas planit. Oktapodi nisi t‛i ndjekë gaforret. Po kur e pa peshkaqenin përballë, u hutua dhe nuk dinte çfarë të bënte. E zuri paniku. Ikte e nuk dinte nga ikte. Por peshkaqeni ishte më i shpejtë se oktapodi, dhe pas një ndjekjeje të shkurtër, e kapi atë.

Me dhëmbët e tij të mprehtë, peshkaqeni i kafshoi krahun oktapodit. Por krahët e oktapodit i zunë sytë e peshkaqenit, dhe oktapodi i frikësuar jashtë mase, rrëshqiti menjëherë dhe… arriti të fshihej. Peshkaqeni e kërkoi shumë e shumë, nuk arriti ta gjente dot.

Oktapodi ishte mjeshtër për t‛u fshehur. Peshkaqeni i humbi shpresat, ndaj dhe u largua i mërzitur. Vërtetë oktapodi arriti t‛i shpëtonte peshkaqenit, por nxori një mësim të mirë nga plaga që mori. Ndërsa gaforret kuptuan se asgjë nuk mund ta mposhte zgjuarsinë dhe bashkëpunimin. Kjo ishte fitorja e gaforreve. Plani i gaforres së moshuar e të mençur e kishte gjunjëzuar oktapodin e keq. Që prej asaj dite, oktapodi vazhdon jetën e tij, kurse gaforret jetojnë pa e pasur më frikë atë.

Lexoni edhe – Permbytja e GaforresLufta e Gaforreve

Degjoni Perrallen Gaforrja e zgjuar dhe Oktapodi i keq

Listen to “Përrallë – Gaforrja e zgjuar dhe oktapodi i keq” on Spreaker.
Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!