Vjersha per 28-29 Nentorin

https://www.youtube.com/watch?v=PSfA347i9Hs

Në Ditën e Flamurit.

Në Ditën e Flamurit, në një shpi të vjetër
Një nënë shqipëtare, e kish marrë një letër
Me shkronja të kuqe është mbushur letra e bardhë
Nëna ime e dashur të përshëndes me mall

Bëhu nënë e fortë, mos nxirr lotë nga sytë
Më i fortë se burgu është bërë djali yt
Edhe pse këtë letër po e shkruaj në errësirë
Gëzohem që lexohet në ditën tonë të lirë

A kënduan bilbilat nënë sivjet në Shqipëri?
A u ngrit flamuri me 28 nëntor?
A u vesh rinia oj nënë kuq e zi?
A i kish hije Shqipes me valëzuar në liri?

A krisën me pushkë nënë krushqit e lirisë?
A pati dasmë të madhe në zemër të Shqipërisë?
A u vunë kurora dëshmorëve në varre?
A oshtoi Himni, kënga jonë shqiptare.

Flamuri

Skenderbeu kur jetonte
Shqipëria lulëzonte.

Ishe e fortë, ish e zonjë
Kish në flamur një shqiponjë
Një shiponjë me dy krerë
Ai lirisht hapej në erë.

Kur armiku na vërvitej
Flamuri i kombit ngrihej



Gjëmonin një mij trumbeta
Suleshin treqind mij veta.

Derdhjin gjakun si të marrë
Që të mbaheshin Shqipëtarë.

Derdhjin gjakun pa peshuar
Për flamunrin e bekuar.

Po trimat shkuan përjetë,
Shqipëria mbet e shkretë

Trimat shkuan edhe vanë
Kordhët po ndryshken mënjanë.

Kordhët ndryshkën e në baltë
Na ra flamuri i naltë!

Na ra flamuri i naltë
Mbeti e u kalb në baltë!

Sot kan dalë ca zuzarë
Që ulërtinë shqipëtarë,

Po këtë emër e lanë
U bashkuan me aganë

E punojnë nat’ e ditë
Që të mebtemi pa dritë,

O zuzar, o tradhëtorë
Ne na bëjtit shërbëtorë,

Na e vuatlitë lirinë
E na shkeltë Shqipërinë.

Rrëmbyet e po rrëmbeni
Gjith se ç’patmë e se ç’kemi!

Po mjaft! Koha ësht afër,
Kur të ndizet luft’e ashpër,

Lufta tri her’e bekuar
Që na ka pët të shpëtuar,

Jo luftë kundrë Turqisë,
Jo kundrë mbretit Shqipërisë,

Po luftë për ca zuzarë
Që u lindnë shqipëtarë

E, armiq të Shqipërisë,
I fryjnë dritës së lirisë,

S’na lënë dhe ne të tjerët,
T’dalim nga gjum’i errët,

Po ç’dëgjojnë ven’ e thonë,
E ç’shohin e tradhëtojnë

Eshtë turp prej kësi krimbash
Të mundohet një komb trimash!

Ngrehuni, o shqipëtarë,
T’i shtypim këta zuzarë!
                                       – Faik Konica

Kuq e zi


Bir ky është Flamuri
Që ka mbajtur gjyshi im
Më të na mbuluan në djep
Kush se dinë sa i ka vjet

Në luftë e beteja për liri
Ky Flamur ishte i pari
Që nga Skënderbeu
Të Adem Jashari

Amanet bir po ta lë
Me mbulo prapë më të
Aty pran varrit me ndaj prej tij
Në mermer kthema përsëri

Në hapësirën shqiptare
Dardani e Iliri
Shqiptarët i fali Zoti
Një komb Kuq e Zi!

  • Arben Dreshaj

Hymni i Flamurit Kombëtar

Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit
Po rrehë Flamuri i Shqypnis,
E thrret t’ bijt e Kastrijotit
Me mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.

Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!
A ngadhnyesë a t’ gjith deshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

Per mbas Flamrit t’ vet Shqyptari,
Kur rrokë armët per t’ drejta t’ veta,
Atje lufta ndezet zhari,
Atje anmiku vehet m’ t’ leta.

Bini, Toskë!….

Mbi njatë Flamur Perendija
Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:
“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;
Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!”

Bini, Toskë!….

Shka? A thue ‘i mend se atë tokë t’ bekueme,
Qi vetë Zoti na ka dhanun,
Sod me e shkelë kamba e poshtnueme
E nji t’ huej’t na kem m’ i a lanun?

Bini, Toskë!….

Ah; jo, kurr. Njiqind herë para
Kem’ me u shkri me gra, me fmi!
Kem’ me mbetë kortarë nder ara,
Se me shkelë lamë t’ huej’n n’ Shqypni.

Bini, Toskë!…

M’ kambë, Sokola të Shqypnis!
Flamri ynë, qé, n’ ajr po shtiellet
Si pol veshet t’ Perendis,
Kah na ban hije prej qiellet.

Bini, Toskë!….

Ma mirë dekë me u shue nen hije
T’ Flamrit t’onë në fushë t’ mejdanit,
Se me rrnue nji jetë robnije
Per nen sukuj t’ huejë t’ Balkanit.

Bini, Toskë!….

Armët e Besen na i njeh bota;
Trima n’ zâ kem’ pasun t’ Parët,
Luften né na e msoi Kastrjota:
Kè, thue, frigë do t’ kenë Shqyptarët?!

Bini, Toskë!…

Urra! Djelm, eh ‘u u dhashtë e mbara!
Sod a kurr, me dekë p’r Atdhé!
Flamri i ynë, qé, u nis perpara:
Ndimo, Zot, per Atmè e Fé!

Bini, Toskë!….

  • Gjergj Fishta

Hymni i Flamunit

O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.

Fortesë shkëmbi tmerr tirani,
S’të trëmp Romani, as Venecjani,
As Sërp Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli

Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Me Skënderben’ u-lavdërove
Dhe në furtun’ i funtmi u-shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.

Sa shpesh pastaj për-dhe u-shtrive
Me zjarr e zi u-ndeze u-nxive,
Po çdo mizor me shpat’ e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.

Përpjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintj’a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek për fqinë
Për botën ëndr’ e qjell i ri.

  • Fan Noli

Flamuri ynë

Një flamur plotë me gjak,
një flamur plotë me dëshmorë,
një flamur plotë me nëna qe qajnë,
nje flamur që na bashkon!

Kombin SHQIPËTARË,flamurin kuq e zi
ma kan lënë stërgjyshërit amanet
se luftëra të përgjakëshmekanë kaluar
SHQIPËRINË për ta çliruar

Si foshnja për nënën,
si hapsira pëe zogun,
si liria për njeriun,
është i dashur për mua atdheu

Shqiponja ne mes të flamurit,
flamuri kuq e zi,
trimat qe s’vdesin kurrë,
e bashkojne SHRIPËRINË!

  • Demir Kasami

Për një shqipe, për një flamur.

Po i thërret Kruja Vlorës
-Ku na i le bijtë e Kosovës?
Për t’ i m ‘bluar nën krahë t ‘shqiponjës
Që u qëndis prej Marigonës!

Krahët e gjatë palë më palë
Nën një çerdhe, gjithë shqiptarët
Thërrasin ‘malet e Naimit,
-Të bashkohemi n’ log t ‘kushtrimit!

O moj shqipe qofsh bekuar
Njëqind vjet duke luftuar,
Me gjak tonin t’ kem paguar,
Sot erdh dita për t’ u bashkuar!

Jem një shtat që s’ ndahet kurrë,
Veç një shqipe në flamur!
Për Kosovë, o sot, o kurrë!
Luftuam për ditë t’ lirisë
Na erdh Ditë e Pavarësisë!

Sot po mbushen njëqind vjet
Kthehet shqipja n ‘truall të vet
Na thërret Vlora e Tirana,
Se sot bashkë do na bëjë Nëna!

                                                          – Sahit Shala

Për ty atdhe.

Po kush m’bën t’ndihem krenar
Kush më ndrit porsi fanar
Kush ma bën ditën të lehtë
Kush më bën të flij i qetë

Tek ti i kam trojet gjyshnore
Ballëlarta e hyjnore
Tek ato pllajat përrallore
Zura hapin, e pashë rrëzën
Mësova fjalën edhe besën

Atje kam unë fis e farë
Ku këndon shqip flladi i bardhë
Ku me ëndje i puq puhiza
Kodra, fusha, gërxhe, mriza

Hirësi e butë, si rreze
Që na dha Nënën Tereze
Shtatë miliardë bota që di
Ia thonë emrin me lakmi

Atje kemi fis e farë
Me njëmijë heronj kombëtarë
Që veç Zoti di e i falë
Veç drangoj e engjëj t ‘bardhë

Skënderbeu, Fishta e Noli
Bacë Ademi e Mic Sokoli
Shtigjeve t ‘luftës, në gjinj t ‘martinës
Oso Kuka i V’raninës
Njëqind vjet t’i kem me rend
Nuk do t ‘mundem t’i përmend
Po kush është ai burrë, shkua burrit
Që i afrohet Bajram Currit
Sa kem shumë trima, shkua trimit
Legjendar Isë Buletini

Ismail Beu, Hasan Prishtina
Mendjemprehtë si vetëtima
Por për fund, ju kam rixhanë
Bijve t’ shqipes kudo janë
-Me një gjë, kurrë mos nxitoni
Vatrat tuaja mos i lëshoni

Lum ai shpirt që rri pranë kokës
T’ varrit t’gjyshit e të lokes
Ku ka vdekje më hyjnore
Se të shtrihesh n’tokën arbnore

  • Sahit Shala

Ku kemi lere.

Në ç’vend kemi lerë?
Ku na bëjnë nderë?
–Në Shqipëri.

Po njeriu vetë,
cilë do në jetë?
–Do vend’ e tij.

Ku i duket balta
m’ë e ëmbël se mjalta?
–Në vend të tij.

Ku munt të gëzojë
dhe me nder të rrojë?
–Në Shqipëri.

Përse të punojë
dhe të lakëmojë?
–Për vend’ e tij.

Himni i flamurit

Rreth flamurit të përbashkuar,
me një dëshirë e një qëllim,
të gjithë atij duk’iu betuar
të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ai largohet
që është lindur tradhëtor,
kush është burrë, nuk frikohet,
po vdes, po vdes si një dëshmor!
Në dorë armët do t’i mbajmë,
të mbrojmë atdheun në çdo kënd,
të drejtat tona ne si ndajmë;
këtu armiqët s’kanë vend.
që kombe shuhen përmbi dhe,
po Shqipëria do të rrojë,
për të, për të, luftojmë ne!
O flamur, flamur, shenj’ e shtrenjtë
tek ti betohemi këtu,
pë Shqipërin, atdheun e shtrenjtë,
për nder’edhe lavdimn e tu.
Trim, burrë quhet dhe nderohet
atdheuet kush iu bë therror.
Përjetë ai do të kujtohet
mbi dhe, nën dhe si një shenjtor!

MEMEDHEU


Memedhe quhet toka
ku me ka rene koka
ku kam dashur meme e at
ku me njeh edhe guri i ngrate
e ku jam rritur me therrime
e ku kam folur ku kam folur
gjuhen time
e ku kam fis e ku kam fare
e ku kam qeshur e ku kam qare
ku rroj me gaz e shpres
ku rroj me gaz e shpres
ku kam deshire deshire te vdes

Moj e bukura more (kolazh)



O moj e bukura more
si te lash e me s’te pash(2 here)

si te lash si te lash
si te lash e me s’te pash(2 here)

atje kam un zotnin tate
atje kam un zonjen mem(2 here)

Atje kam atje kam
atje kam edhe tim vella (2 here)

Vajta kalova te gjith kalabrine
askund nuk gjeta si arberine
vajta kalova te gjith kalabrine
askund nuk gjeta si shqiperine

dy manushaqje ne doren time
ja zgjata njeren arbreshes sime (2 here)

e lule lu, e lule lu, e lule lu, e lule lu, e lule lu e baca baca,
e une per ty, e une per ty, e une per ty, e une per ty,
e une per ty mor djale plasa,
e ndalo pak, e ndalo pak, e ndalo pak, e ndalo pak,
e ndalo pak eshte e vertete,
se zemra ime, se zemra ime, se zemra ime, se zemra ime,
se zemra ime je ti vete.

O TRIMA LUFTETARE



O Trima luftetare
Ju binjt e Skenderbeut
Kerkoni ju shqiptare
Lirine e memedheut

Se mjaft ne roberi
o e mjera Shqiperi
o djem rrembeni pushketo
ja vdekje ja liri!

Nentori i lirise



Oh sa me gëzim e pritëm,
Këtë liri te çmuar,
Që me shekuj të tërë,
Vetëm kishim ëndërruar!

Feston mbarë shqiptaria,
Se në këtë muaj erdhi Pavarsia.
Muaj i shenjt është ky Nëntor
Shumë trima luftuan me shpatë e pushkë  në dorë.


O malet e Shqipërisë.

O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!
Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.

Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.

Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë zemëra s’e ka harruar.

  • Naim Frashëri

Atdheu

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka
Më je nënë, më je motër, më je vlla.
Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.
Ty përditë të pat parë ime nënë,
Dheu yt në fund atë e pati ngrënë.
Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj.
Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj.
Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi,
Edhe eshtërat tretur ua ke po ti.
Nga ti, o shpirt-o kurrë s’qenë ndarë.
Pranë teje patën qeshur, patën qarë.
Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,
Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë,
Numri prapë në vend mbetet kurdoherë.
Begatoje, o Zot, ti këtë vend!
Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend!
Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij!
Gas përjetë paçin zotërit e tij!
I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
Një të ardhme pastë plot me lumturi!

  • Naim Frashëri

Shqipëri o jetëgjatë.

Shqipëri, o jetëgjatë,
ty të kemi mëmë e atë
dhe për ty do të luftojmë
gjersa të të trashëgojmë.
Për ty të gjithë, ditë dhe natë,
mendohemi gjerë e gjatë,
ti kurrë s’prishesh, s’shkretohesh,
as drobitesh, as rrëgjohesh,
më ke gjithë bukuritë
e tëtëra mirësitë,
ke fusha me lule shumë.
lumenj të mëdhenj pa gjumë,
male të lart’ e të veshura,
buzën e detit të qeshur,
Mëje dritëz në dritë
me të gjitha mirësitë.
……………………………..
Shqipëri, të qofsha falë,
të kam mëmë e më ke djalë

  • Naim Frashëri

Kam shumë shpresë.

Kam shumë shpresë
Te Perëndija.
Që të mos jesë
Kshu Shqipëria,
Po të ndritohet
Të lulëzohet.

Pa vjen një ditë
Që të na sjellë
Të madhe dritë
P’ajo të pjellë:
Qytetërinë,
Fatbardhësinë.

Vëllazërija
Edhe bashkimi
E njerëzija
Është shpëtimi,
Lum kush t’arrijnë!
Pa do të vijnë.

Që Shqipërija
Do të ndritohet
Dhe ligësija
Do të mërgohet.
Jak’ e vërtetë!
Pse rri e qetë?

Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vinë
Shkoj errësira,
Lum kush të rronjë,
T’a shohë zonjë!

Se Shqipëtari
E gjuh’ e tija
Venë së mbari
Dhe Shqipërija,
Lum kush t’a shohë
Për pakë kohë.

Pa dituritë
Dhe mbrothësija
E mirësitë
Dhe njerëzija
Do të burojnë
Nukë mënojnë.

  • Naim Frashëri

Skënderbeu

Kush nuk e di Skënderbenë,
që nderojti
mëmëdhenë?…
Dhe sot nga armët e tija
Kullon fjeshtë trimërija!
E di njerëzi e tërë
Atë Zot ç’punë ka bërë:
‘Kur hiq Skënderbeu
Shpatë
Trimave u jepte datë!
Burra të veshur në hekur,
Dhe luftëtarë të pjekur,
Q’ishin në luftë kaluar
Përmbi kuaj’ të harbuar,
Kur hiq me kordhët të prehtë
Q’ishte si pendëz’ elehtë,
Porsi pjepërin e priste,
Në vdekje pa ndjer i klliste,
Njerin’ e kalin e çante,
Të dy më katër i ndante!
Mirësin’ e trimërinë,
Me mendjen e urtësinë
T’ati Zoti njeri kurrë
S’e ka pasur nonjë burrë.
Vet’ aty burr’ e trim ishte,
Edhe shokëtë që kishte:
Si Tanushi me Uranë,
E Mojsiu me Hamzanë
Si Maneshi e Muzaka,
Që hidheshin posi flaka,
E si Lekë Dukagjini,
Si Perlati e Mardini
Zenebisha, Araniti.
Gjon-Koka, q’ish si hastriti,
Kont, prens, mbretër e të tjerë,
Burra të vler e të ndjerë,
Qenë trima të vërtetë,
Nuk u bënë rop në jetë,
Opopo, ç’kanë lëftuar,
E ç’punë kanë punuar!
Sa mbretër e prensë qenë
Njohnë të madh Skënderbenë,
Zun’ udhën e urtësisë,
Ishin larg marrëzisë…
Madhëritë nuk i donin,
Po kishin vëllazërinë,
S’e qasninë djallëzinë,
Pa lan’ emërë për jetë.
Zotërinjtë e vërtetë…
S’kishin ata thash`e theme
Të këqija e të rreme,
Donin gjithë mëmëdhenë
Dhe kombin e Skënderbenë.

  • Naim Frashëri

Sa të dua Shqipëri.

Sa të dua, o Shqipëri,
sa me mall ndiej e sa dëshirë,
për ty gaz e dashuri
mu në zemër më ka mbirë!

Se për mua, o Atdhe,
je një lule aq e vyer,
sa nuk gjendet përmbi dhe
shpirtintim për të ushqyer!

  • Asdreni

I dashur Atdhe

Me vite jam larguar,
i dashur Atdhe,
por nuk të kam harruar,
se shumë i ëmbël je.

Kjo zemra më këndon
për ty, o Shqipëri,
por prapë më lëngon,
se je në varfëri.

Të fala të dërgoj,
këndej ku jam Atdhe,
gjithnjë po të kujtoj,
se birin tënd më ke.

  • Asdreni
Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!