Fati i Princit

Fati i Princit perralla shqip per femije

Fati i Princit

Një mbret u bë me djalë. U gëzua aq shumë sa nuk mund të thuhet. Fëmijë tjetër nuk kishte. Thirri një zanë të parashikonte fatin e princit të vogël. Zana, parashikuesja e fatit dukej si e shtangur.

-Ç’fat do të ketë im bir? -e pyeti mbreti.

-Madhëri, -tha zana me zë të mekur, -princin e pret një rrezik i madh. Kur të bëhet tetëmbëdhjetë vjeç do të vritet nga një dre gjigant.

Kaluan vite. Princi rritej. Kur u bë tetëmbëdhjetë vjeç i kërkoi mbretit të shkonte i vetëm për gjah. Babai nuk e lejoi dhe i tregoi parashikimin e zanës së fatit.

-Të më vrasë një dre? Mos ki frikë baba. Kjo nuk mund të ndodhë kurrë.

Babai psherëtiu. Atë natë në gjumë, princi pa një ëndërr të keqe. I sulej një dre gjigant, me brirë të mëdhenj dhe të mprehtë dhe ai nuk i bënte dot ballë.

U zgjua i mbuluar me djersë. Edhe pse nuk e kishte dhënë veten, e ndjente se fjalët e babait i kishin mbetur në mendje më shumë nga sa do ta besonte. Ëndërrat me drerin gjigant i përsëriteshin pothuajse çdo natë. Nuk e përballonte dot më këtë gjendje të trazuar dhe një mëngjes, pa folur me ndokënd, mori harkun dhe shigjetën dhe u nis për gjah.

Shkonte thellë e më thellë pyllit. Befas pylli po i dukej i panjohur, i heshtur. Nuk dëgjohej asnjë cicërimë, nuk fëshfërinte asnjë gjethe. Të dukej sikur rreth e qark ishte mbretëria e vdekjes.

Pas pak arriti buzë një liqeni të ngrirë. Akulli ishte i fortë dhe princi provoi të kalonte në bregun tjetër. Kishte ecur vetëm pak kur befas, në breg, jo larg tij, u shfaq një dre gjigant, i njëjtë me atë që ndeshej në ëndërr.

-Ai është, -tha djaloshi dhe vendosi një shigjetë në hark. Kafsha u largua me të katra dhe princi e ndoqi pas. E ndoqi gjatë… Hë këtu dhe hë atje, sa herë që bëhej gati të qëllonte nuk mundëte dot. Ndërsa ndiqte drerin, papritur një mjergull e madhe e mbuloi pyllin.

Princi u end gjatë nëpër mjergull dhe humbi udhën. Kur mjergulla u lehtësua u gjend përpara një njeriu gjigant të veshur si me rroba mbretërore.

-Po ndiqja një dre dhe nuk po e shoh më. -tha princi.

-Nuk mund ta kapësh dot. U kthye në zog dhe fluturoi në qiell…

-Të foli?

-Sigurisht! Jam mbreti i zogjve dhe kafshëve të pyllit. Ti ke shkelur në mbretërinë time dhe vështirë se mund të largohesh i gjallë që këtej.

Princi heshtëte e nuk dinte se çfarë të thoshte.

Shkuan në pallatin e gjigantit. Gjiganti kishte tri vajza. Të tri vajzat ishin të bukura, njëra më e bukur se tjetra. Gjiganti i caktoi princit detyrën e parë. Nëse nuk e kryente do t’i këpuste kokën.

Duhej të ruante se mos vinte gjumi dhe i merrte vajzën e parë. Pra, princi nuk duhej të flinte. Nëse do t’i mbyllte sytë qoftë edhe një çast e priste vdekja.

Princi shkoi të ruante vajzën e madhe se mos vinte dhe e rrëmbente gjumi. Vajza e madhe ishte shumë e bukur. Dhe asaj i mbetën sytë tek princi. Erdhën shërbëtorët dhe u sollën për të ngrënë. Princi ishte i uritur por vajza e këshilloi të mos hante se gjellët ishin gjumë ndjellëse.

Vajza e madhe e gjigantit, që s’ishte gjë tjetër veçse një zanë pylli, i tha se do ta merrte në mbrojtje princin e do ta ndihmonte t’i kapërcente rreziqet. Princi atë natë nuk i mbylli sytë. As vajza nuk i mbylli sytë dhe gjumi nuk i mori dot. Princi e kishte kapërcyer pengesën e parë.

-Ke edhe dy pengesa të tjera, -i tha gjiganti

Natën tjetër princi duhej të ruante vajzën e dytë. Edhe kjo ishte një zanë pylli. Ajo ishte edhe më e bukur se vajza më e madhe e gjigantit, mbretit të pyllit. Dukej si e shejtë.

Edhe asaj i erdhi keq për princin që ishte aq i mirë dhe aq i sjellshëm. Edhe ajo i premtoi se do të kishte mbrojtjen e saj e do t’i shpëtonte jetën. Folën gjithë natë pa pushuar me njërit jetrin, dhe gjumi nuk erdhi dot që t’i merrte.

Natën e tretë princi duhej të ruante se mos vinte gjumi dhe rrëmbente vajzën më të vogël. Ajo ishte më e bukura e të trija vajzave. Edhe asaj i mbetën sytë tek princi. Folën me njëritjetrin gjithë natën. Nuk i shqisnin sytë nga njëri tjetri.

Ajo i tregoi të fshehtën e gjigantit që mund të kthehej në dre. Gjumi nuk i rrëmbente dot. Nuk e kuptuan si erdhi mëngjesi. E kuptuan se ishin krijuar për njëri tjetrin dhe dhanë fjalën se do të martoheshin sëbashku. Gjiganti i tha se që të martohej me të bijën duhej të kapërcente edhe tri pengesa.

Pengesa e parë, duhej të priste brenda ditës pyllin e dendur pas pallatit. Princi u dëshprua. Si mund të pritej brenda ditës ai pyll aq i dendur? Kur ishte në kulmin e dëshprimit erdhi për t’i sjellë bukën princesha më e vogël.

Princi hëngri ushqimin që i kishte sjellë zana e vogël dhe e zuri gjumi. Princesha nxorri një shami dhe e flakëroi në ajër.

Miqtë e mi…Jam këtu…Ndihmë pres…Nga ju…

Pa mbaruar mirë fjalët zana a e vogël, mbinë nga dheu mijëra xhuxha me sopata në duar dhe u sulën mbi drurët. Kur u zgjua princi e pa pyllin të prerë dhe nuk po u besonte syve. Kishte dhe dy pengesa të tjera. Duhet të pastronte kënetën e të krijonte një liqen me peshq.

Djali ngriti supet. U dëshpërua edhe më shumë. Gjithsesi shkoi të provonte. Kur ishte në kulmin e dëshpërimit erdhi zana më e vogël dhe i solli bukën. Hëngri bukë dhe e zuri gjumi. Zana e vogël nxorri shaminë.

Miqtë e mi…Jam këtu…Ndihmë pres…Nga ju…

Xhuxhat u shfaqën sa hap dhe mbyll sytë. Kur princi u zgjua, gjendej buzë një liqeni me ujë të kthjellët si loti dhe dukeshin shumë peshq që notonin lehtësisht. Detyra e tretë ishe akoma më e vështirë. Duhet të shembësh malin dhe ta shndërosh në një pallat mbretëror brenda një ditë. Kjo ishte vërtetë e pa mundur. Princesha nuk vonoi t’i çonte bukën. Princin e zuri gjumi. Vajza nxorri shaminë magjike.

Miqtë e mi…Jam këtu…Ndihmë pres…Nga ju…

Xhuxhat brenda ditës ndërtuan një pallat të mahnitshëm mbretëror. Shtruan një darkë të madhe. Princi i kërkoi mbretit të martohej me të bijën. Mbreti nuk pranonte pa u martuar më parë dy vajzat e tjera. Kur banketi mbaroi princi dhe zana e vogël dolën për të bërë një shëtitje rreth e qark pallatit. Hynë në pyll dhe ia dhanë vrapit.

-Duhet të shkojmë në pallatin tim, -tha djaloshi, -dhe atje do martohemi.

Vrapuan të gjithë natën. Në mëngjes ishin të raskapitur nga lodhja. Zana e vogël mbajti vesh.

-Babai po na ndjek…

Ajo e shndërroi princin në rosak, u kthye vetë në rosë dhe filluan të notojnë në liqen. Gjiganti nuk i dalloi kush ishin, u lodh duke kërkuar dhe u kthye në pallat i dëshpruar. Kështu dhe kështu i tha mbretëreshës. Mbretëresha e kuptoi se kush fshihej si rosak dhe kush si rosë. U ngrit dhe shkoi tek liqeni.

Rosa u bë vajzë; rosaku u bë djalë.

-Shkoni në mbretërinë e princit dhe jetoni të lumtur.

Princi dhe princesha shkuan në kështjellën mbretërore. U pritën me festime të mëdha. Është e kotë të thuhet se jetuan të lumtur.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!