Haidi

Haidi

Haidi

Një herë e një kohë, na ishte një vajzë që e quanin Haidi. Prindërit i kishin vdekur dhe ajo ishte rritur nga tetoja e saj, Diti, në Mainfeld të Zvicrës. Kur Haidi u bë pesë vjeçe, Teto Diti i tha Haidit se do të shkonte të jetonte tek babagjyshi i saj në Alpet e Zvicrës.

Teto Diti kishte filluar punë diku larg dhe nuk kishte mundësi të kujdesej më për mbesën e vogël që e donte shumë. Gjyshi ishte goxha i moshuar dhe jetonte i vetëm në lartësinë e Alpeve mbi Mainfeld. Teto Diti gjer vonë, rregulloi plaçkat që i duheshin vajzës dhe të nesërmen u nisën herët në mëngjes.

Haidi e pyeti Teton se përse ishin nisur aq herët dhe Teto Diti i tha se shtëpia e babagjyshit ku ajo do të jetonte këtej e tutje, ishte thellë në male.

Haidi u trishtua. Asaj nuk i pëlqente të shkëputej nga Teto Diti. Por Teto Diti i premtoi se do të kthehej shpejt ta takonte. Haidi nuk tha më asnjë fjalë. Heshti gjatë të gjithë udhëtimit në male.

Ato udhëtuan gjatë e më në fund arritën në shtëpinë e babagjyshit. Babagjyshi kishte një pamje të ngrysur e dukej se nuk buzëqeshte kurrë. Teto Diti qëndroi vetëm pak dhe nxitoi të kthehej në shtëpinë e saj.

Kur Teto Diti u largua, Haidi u mërzit edhe më shumë. Atje ndjehej në një vend të huaj dhe babagjyshi i dukej i egër. Por më pas, edhe pse ngadalë, pafajësia e fytyrës dhe e shpirtit të saj, e zbutën zemrën e babagjyshit.

Ai filloi të mrekullohej nga lodrat e saj. Ai kujdesej çdo çast për Haidin dhe Haidi filloi ta kalonte kohën e saj me lumturinë që i afronte babagjyshit.

Haidi shpejt e kuptoi se atje ku jetonte babagjyshi, ishte shumë bukur. Rretherrotull kishte male të mbushur me bredha. Ajo u mrekullua sidomos kur takoi Piterin, një bari të vogël e të varfër, që jetonte aty pranë e që shpejt do të bëhej mik i ngushtë i saj.

Ajo zbulonte çdo ditë, diçka të re kur ngjitej lart në kullotat malore me Piterin. Çdo mëngjes, Piteri, me fishkëllima, e drejtonte tufën e tij në luadhet e luginat mes maleve. Në verë, kullotat ishin të mbuluara nga lulet, ndërsa në dimër, Alpet ndryshonin ngjyrë e mbuloheshin nga qilimi i bardhë, i dëborës.

Koha kalonte paekuptuar dhe Haidi nuk kishte se si të mos ndjehej e lumtur.

Haidi rritej çdo ditë dhe çdo ditë rritej edhe dashuria e saj për malet. Babagjyshi dhe Haidi ndjeheshin të lumtur me njeri tjetrin. Kishte kaluar pothuajse një vit dhe babagjyshi nuk ishte përmendur për ta dërguar Haidin në shkollë. Një ditë erdhi një zyrtar për t`i shpjeguar babagjyshit pse Haidi duhej dërguar në shkollë.

Babagjyshi nuk pranonte të dëgjonte se çfarë thoshte zyrtari. Kur biseda po acarohej, babagjyshi i tha Haidit të shkonte të kujdesej për tufën e bagëtive e të priste atje gjersa të vinte ai.

Haidi shkoi tek tufa e kecave. Zyrtari i tha babagjyshit se vajza e vogël duhej të mësonte të shkruante e të lexonte. Ai si babagjysh duhej të mendonte për të ardhmen e saj.

Babagjyshi ishte i bindur se në asnjë vend tjetër, ajo nuk mund të ndjehej më e lumtur se në kullotat malore, mes zogjve, kecave dhe fluturave. Zyrtari u çudit nga ky gjykim dhe u largua.

Koha kalonte. Haidit i pëlqente të endej në male e nuk kishte ndonjë dëshirë të shkonte në shkollë. Por një ditë Teto Diti u kthye përsëri. Ajo i tha Haidit se do ta çonte në Frankfurt për të shoqëruar Klarën, një vajzë të vogël që nuk ecte dot e lëviste me karrocë të sëmurësh. Klara ishte bijë e një tregtari të pasur, Zotit Sisman dhe Haidi do ta shoqëronte atë në kohën kur babai i saj ndodhej në punë.

Teto Diti i tha Haidit se do të shkonin bashkë në Frankfurt dhe atje ajo do të takohej me mikeshën e saj të re, Klarën. Haidi i tha se nuk dëshironte të shkonte atje dhe se i pëlqente të qëndronte me babagjyshin dhe me mikun e saj Piterin.

Diti i tha Haidit se ato do të ktheheshin shpejt në Alpe dhe do të sillnin shumë dhurata për babagjyshin dhe Piterin. Haidit iu prish mendja nga dhuratat që do t`i sillte babagjyshit dhe Piterit dhe pranoi të shkonte me teton e saj.

Të nesërmen ato shkuan në Frankfurt. Në shtëpinë e Klarës takuan fillimisht, kujdestaren e shtëpisë. Asaj, Haidi iu duk si një memece e nuk mund të vlente si një shoqëruese për Klarën. Kjo bindje iu forcua kur mësoi se Haidi nuk dinte të shkruante e të lexonte.

Klara dhe Haidi u miqësuan përnjëherësh. Haidi sillej lirshëm në shtëpi dhe e çudiste Klarën me kukafshehjet apo me lodrat e tjera të saj. Disa ditë, babai i Klarës gjendej në ca udhëtime të gjata dhe Haidi, me pastërtinë e shpirtit të saj, u bë e afërt për Klarën. Haidi i tregonte Klarës ndodhi nga Alpet dhe shtëpia e babagjyshit. Klara kishte shumë dëshirë të shkonte e të shihte ato vende të bukura si në përralla.

Atje përpiqej të përfytyronte ato pamje të mbrekullueshme alpesh dhe atë jetë të çuditshme thellë maleve. Duhej të ishte një jetë krejt ndryshe nga jeta e saj e zymtë dhe e vetmuar. Një ditë Haidi solli një kotele të bukur. Klara dhe Haidi u kujdesën për kotelen gjersa kujdestarja e shtëpisë e diktoi dhe e nxorri në rrugë.

Edhe pse e kalonte kohën duke luajtur me Klarën, Haidin e rëndonte jeta e qytetit. Ajo ndjente mungesën e maleve, mungesën e babagjyshit, të blegërimave, të miqve të saj e sidomos të Piterit. Në shtëpinë e Klarës, vinte nganjëherë mjeku i saj që tregohej i ngrohtë me Haidin. Aty ishte edhe gjyshja e Klarës që dukej e rreptë, por rreptësia e saj e detyroi Haidin të mësonte shumë mirë e të shkruante shumë bukur. Të gjithë habiteshin me zgjuarsinë e Haidit. Ajo ishte në gjendje të mësonte në pak ditë, atë që fëmijëve të tjerë do t`u duheshin muaj për ta mësuar.

Por Haidi rëndohej gjithnjë edhe më shumë nga malli për babagjyshin e saj. Ngadalë kaloi një vit mes Klarës së butë dhe kujdestares së shtëpisë që sillej shumë egër dhe e qortonte në çdo hap që hidhte. Një ditë, kur Klara dhe Haidi po luanin me njëra tjetrën, një vazo u rrëzua e u thye. Kujdestarja e shtëpisë, iu vërsul kaq egërsisht sa Haidi u tremb.

Nga dita në ditë, ajo u bë edhe më e mbyllur dhe ngjante si një e përhumbur. Një natë kur Haidi, fliste si e përçartur në gjumë, erdhi në dhomën e saj babai i Klarës dhe doktori i saj. Haidi duhej të ishte kaq keq sa ata e dërguan në mes të natës në spital.

Doktori e këshilloi babain e Klarës, ta kthente Haidin tek babagjyshi i saj. Ajo vuante nga malli e mund të rëndohej dita ditës.

Kur Klara mësoi për largimin e Hajdit u trishtua. Për ta qetësuar, babai i dha fjalën se do ta dërgonte edhe atë në male tek Haidi pas disa ditësh.

Pas një udhëtimi të gjatë, Haidi arriti në Alpe. Babagjyshi dhe Piteri u lumturuan nga kthimi i saj.

Por atje në Frankfurt, Klarës i mungonte mikesha e saj e vogël. Haidi dhe Klara i shkruanin letra njëra tjetrës. Klara i kujtonte premtimin e babait se do ta dërgonte në Alpe. Babai, edhe pse i kishte dhënë fjalën, nguronte sepse mendonte se natyra dhe kushtet e atjeshme mund të ishin të vështira e të papërballueshme për Klarën delikate.

Por Klara nuk hiqte dorë nga dëshira për ta takuar mikeshën e saj. Babai u detyrua që ta dërgonte të bijën në Alpe bashkë me doktorin e saj për çdo të papritur.

Haidi, babagjyshi dhe Piteri nxituan ti mbushin mendjen doktorit se ai ishte vendi i duhur për Klarën. Aty ajo mund të provonte forcën e këmbëve të saj. Ndërkohë Klara ndjehej e lumtur që u takua me Hajdin dhe Haidi sikur fluturonte nga gëzimi i ardhjes së Klarës. Ajo i dha fjalën Klarës se do ti tregonte të gjitha bukuritë e botës së maleve.

Pas disa ditësh erdhi në Alpe edhe gjyshja e Klarës. Ajo ishte e shqetësuar për shëndetin delikat të mbesës. Gjyshja ndjeu një ndryshim të madh tek Klara dhe mbeti e çuditur.

Haidi mundohej çdo ditë t`i tregonte Klarës diçka të re në Alpe dhe gjithnjë e më shumë, Klarës po i pëlqente ky vend i bukur. Por kishte një njeri që ndjehej keq. Ky ishte Piteri që i dukej se Hajdi për shkak të Klarës e kishte harruar atë. Një mëngjes, kur vajzat nuk ishin zgjuar, ai e rrokullisi tatëpjetë karrigen e Klarës dhe ajo u bë copë e çikë në shpatet e maleve.

Gjyshi i Haidit e mori Klarën në krahët e tij. Ditët e mëpastajme, Haidi u kujdes edhe më shumë për Klarën. Një ditë, Klara kishte dëshirë të shihte lulet e sapoçelura. Ajo mbahej tek Haidi e të dyja ecnin ngadalë. Paekuptuar e mbushur plot gaz nga ngjyrat e luleve dhe bari i gjelbërt i lëndinës së Alpeve, ajo kishte harruar të mbështetej tek Haidi dhe po ecte vetë.

Një çast, pasi kishte ecur gjatë në lëndinën e maleve, Klara u përmend dhe befas thirri me sa fuqi që kishte: “Haidi! Unë jam duke ecur vetë!… Oh, unë jam duke ecur vetë!…”

Kishte ndodhur një mrekulli atje lart në male! Piteri ishte penduar për çfarë kishte bërë dhe i kishte kërkuar ndjesë Klarës. Gjyshja e Klarës dhe të gjithë miqtë e saj që gjendeshin aty, ndjeheshin të lumtur e dukej sikur nuk u besonin syve teksa shihnin Klarën duke ecur.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!