Vajza me zemer te arte

Vajza me zemër të artë

Shumë e shumë kohë më parë jetonte një vajzë jetime, me njerkën plakë dhe me vajzën e njerkës. Vajza jetime ishte e bukur, rrezatonte mirësi e ëmbëlsi në fytyrë. Vajza e njerkës, ishte jo vetëm shumë e shëmtuar por edhe një dembele e madhe.

Njerkës nuk i pëlqente ta lodhte të bijën dhe të gjitha punët e shtëpisë së madhe, i bënte jetimja e vogël. Ajo edhe pse lodhej, rritej e zbukurohej çdo ditë. Rritja dhe bukuria e saj e bënte njerkën të pëlciste nga inati. Një ditë, ndërsa ishte lodhur duke tjerrë leshin, shkoi në grykën e pusit për të mbushur kovat e për t’u freskuar, por shpoi gishtërinjtë dhe furka që tirrte i shpëtoi nga duart.

Vajza e ndoqi me sy rrokullimën e shpejtë të furkës dhe i ngriu gjaku kur furka fluturoi në grykën e pusit. Vajza u ngrit vetëtimthi. Furka përplasej me rrokullimë të çmendur, herë në një anë të pusit dhe herë në një anë tjetër. Furka, u end një kohë mbi ujëra dhe pastaj humbi në thellësi të pusit. Vajza qëndroi gjatë në grykën e pusit dhe nuk e dinte se ç’duhej të bënte. Dridhej teksa mendonte tërbimin e njerkës dhe vajzës së saj.

Njerka, kur mësoi se furka kishte rënë në thellësi të pusit, u bë edhe më e tërbuar nga sa e kishte menduar vajza. Ajo, në kulmin e tërbimit, e urdhëroi jetimen që të hidhej në pus dhe ta merrte furkën e humbur.

E shkreta vajzë, kaq shumë e kishte mbërthyer frika kur mendonte se duhej të hidhej nga gryka në thellësinë e pusit saqë i dukej se nga çasti në çast do t’i ndalej fryma e do t’i binte të fikët. Njerkën nuk e kundërshtonte dot dhe nuk i mbetej gjë tjetër veçse të kapte furkën. E mblodhi veten dhe u hodh. Pas pak humbi në thellësi të pusit.

Kur u përmend, gjendej në një lëndinë të bukur, të mbushur plot me lule shumëngjyrëshe. Ajo u mundua një çast t’i numëronte lulet një e nga një, por kjo ishte e pamundur. Kurrë në jetë nuk kishte parë aq shumë lule. Lart mbi kokën e saj dielli kishte një ndriçim të butë dhe në degët e drurëve zogjtë cicëronin gëzueshëm. Ngado dukej se buronte një muzikë e bukur.

Vajza ecte e mrekulluar mes lëndinave me lule. Papritmas u gjend pranë një furre buke dhe dëgjoi disa thirrje drithëruese.

-Ndihmë, ndihmë! Nxirrmë jashtë se po digjem!

Në furrë bukët po digjeshin nga zjarri. Vajza nuk kishte si të mos i ndihmonte. Ajo kishte një zemër shumë të gjërë e shumë të ndjeshme. I shpëtoi bukët nga zjarri dhe vazhdoi më tutje mes lëndinave të bukura.

Pas pak, vajza u gjend përballë një peme të madhe të rënduar nga mollët e pjekura. Pema ishte aq e moçme dhe aq e rënduar saqë të dukej, se nga çasti në çast, degët e saj do të thyheshin.

-Të lutem ndihmomë. Degët po më thyhen nga frutat e pjekura, -tha pema. Vajza e shkundi pemën dhe mollët e pjekura u rrëzuan nga degët. Vajza u largua më tutje.

Ec dhe ec… Vajza shkonte më tutje. Pas çdo kodrine, i shfaqej një pamje edhe më mahnitëse. Befas u gjend para një shtëpie të vogël e të bukur. Çatia e shtëpisë së bukur, ishte e mbuluar me një kashtë në ngjyrë të artë. Në derën gjysmë të hapur, qëndronte një plakë. Plaka e mirë, dukej e rënduar nga mosha.

-Unë jam zonja Hole, -tha plaka, -të lutem ndihmomë. Nuk i kryej dot më punët e shtëpisë.

Vajzës i pëlqeu kjo zonjë e mirë që i fliste me atë zë të butë që i mungonte prej kohësh dhe pranoi ta ndihmonte. E pastroi shtëpinë në çdo skaj, ndezi zjarrin, gatoi, lau enët dhe rrobat. Shtëpia e plakës xixëllonte nga duart e palodhura të vajzës.

Ditët kalonin… Edhe pse mrekullohej nga mirësia e zonjës Hole, përsëri vajza ndjehej e trishtuar. E merrte malli për shtëpinë e saj, për oborrin, rrugicat dhe gjithçka tjetër që e lidhte me fëmijërinë. Zonja Hole e pyeti pse ndjehej e trishtuar dhe vajza i tregoi të vërtetën. Zonjës Hole i vinte shumë keq të ndahej me vajzën, por nuk e pengoi të largohej. E zuri përdore dhe i tregoi udhën që do ta nxirrte në botën e zakonshme.

Vajza, në çastin që u hap porta e do të merrte udhën për t’u larguar, shtangu. Kishte nisur të binte një shi jo i zakonshëm. Ajo po lagej nga një shi i artë.

-Ky shi i artë është për ty, -tha zonja Hole. -Ti ke një zemër të artë dhe meriton të mbulohesh me ar nga koka tek këmbët.

Vajza e falenderoi zonjën e mirë dhe u largua mes lotësh…

Porta e zonjës Hole u mbyll. Vajza e ktheu edhe një herë tjetër kokën prapa, por zonja Hole nuk ishte më aty. Vajza ndoqi udhëzat e lëndinave të mbuluara me lule dhe nuk e kuptoi si u gjend në oborrin e shtëpisë së saj. Gjeli në majë të çatisë e njohu vajzën nga larg dhe filloi të këndonte:

“Kirikiii, kirikiii,

ja po kthehet në shtëpi

vjen mbuluar në flori…”

Edhe njerka, edhe e bija, u verbuan nga vezullimi i artë. Njerka e befasuar, kërkonte të mësonte sesi kishte ndodhur mrekullia e shndërrimit të jetimes në një vajzë të artë. Vajza ishte shumë e sinqertë. Edhe pse njerka dhe e bija, i kishin shkaktuar vetëm vuajtje dhe të këqia, i tregoi për udhëtimin mes luleve, për takimin me zonjën Hole, për mrekullinë e ditëve që kishte kaluar në shtëpinë saj dhe për çudinë e shiut të artë. Njerka e keqe e dëgjoi me vëmendje. Ajo mendonte se edhe vajza e saj duhej të mbulohej nga ari.

Vajza e njerkës zbriti në pus dhe u gjend në lëndinën e mbushur me lule. Kaloi pranë furrës, dëgjoi thirrjet për ndihmë, por vazhdoi më tutje si të ishte e shurdhër. Më tej, vajzës dembele iu duk një punë e lodhshme të vilte frutat e pjekura dhe të shpëtonte pemën e moçme nga pesha e rëndë. Ajo shkoi më tutje mes lulesh dhe u gjend në shtëpinë e zonjës Hole. Zonja Hole i kërkoi vajzës ta ndihmonte në punët e shtëpisë. Vajza e njerkës, që kurrë nuk kishte kryer një punë në shtëpinë e saj, nuk mund të pranonte të pastronte shtëpinë e zonjës Hole.

Kaluan disa ditë. Vajza e njerkës nuk e hiqte mendjen nga shiu i artë. Duke menduar për arin që e priste, një ditë i kërkoi zonjës Hole të largohej. Zonja Hole e përcolli gjer tek porta, por kur kanatat e saj u hapën, nga lart u derdh katran në formën e shiut.

Vajza përtace u përpoq gjatë të gjithë udhës t’i pastronte njollat e katranit, por më kot, ato nuk shuheshin. Gjeli në grykën e pusit zuri të këndonte:

Kiriki, kirikiii

vjen e ndotur

në shtëpi…

Vajzës së njerkës, edhe pse mëmë e bijë u munduan shumë, njollat nuk iu shqitën më. Njollat e së keqes mbeten e nuk hiqen të gjithë jetën. Njollat bëheshin edhe më të dukshme, kur përballë qëndronte vajza me zemër të artë.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!