Njeriu mëson nga e bukura

femijet ne klase

Njeriu mëson nga e bukura

Erdhi një nxënës me flokë kaçurel, me
fytyrë si të hequr, me sy të zgjuar në
klasën tonë. Për çudi e pranuan edhe
pse kishte kaluar gjysëmvjetori i parë,
pjesërisht edhe i dytë dhe ishim në
pranverë. Më vonë u pa që ai flokë
kaçureli kishte qenë një nxënës i mirë.
Kaloi bile shembullorë. Mësuesi i tha të
ulej në bankën e pestë afër dritares. Ai
zuri vënd. Por gjatë asaj ore, ai
vazhdimisht shikonte degën përtej
dritares. Në degë ishte çerdhja e kumrisë.
Në çerdhe ishin dy zogjtë e saj.
Ata ishin të verdhë, të njomët, të artë!
E puhiza luante me degën, luante me
çerdhen, luante me zogjtë e njomë.
Vogëlushi kurrë nuk kishte parë çerdhe
aq afër. Ishte hutuar duke e parë saqë mësimin
e kishte harruar fare. Mbas pak erdhi nëna Kumri. Zogjtë hapën sqepat e artë.
Ajo u lëshoi ushqim nga sqepi i saj. Zemra e vogëlushit rrahte nga gëzimi.Ti që erdhe sot ?! – u dëgjua zëri i mësuesit.
Kot. Vogëlushi ishte hutuar duke parë dashurinë e
nënës Kumri ndaj të vegjëlve.

Afrim! – u dëgjua një zë në klasë.
Kot. Ai ishte hutuar duke parë syçkat e zogjve në çerdhe.

Ty, po të flas! – këtë herë e trembi zëri i thekshëm i mësuesit. Ai u skuq.
U ngrit në këmbë.

Urdhëroni?!

Ç’je hutuar ?!

Kjo çerdhe kaq e bukur, shoku mësues, më falni…

Ih, çerdhja, u dëgjua një zë që përherë ,,ia mban’’ krahun mësuesit duke u
shtrir më i miri në klasë. Mësuesi vazhdoi mësimin. Nuk e qortoi nxënësin e ri. Ne menduam që do ta qortonte, madje, me zë të lartë, por jo. Duke shpjeguar mësuesi ndoshta ka menduar: Këtë mësim që po e shpjegoj do ta mësosh, por çastin e bukur të çerdhes në degë dhe të zogjve s’do të mund ta zësh kurrë më në jetë. Punë e madhe pse s’më ke dëgjuar për disa çaste. Njeriu mëson nga e bukura, nga dashuria, nga puplat e verdha, të arta të zogjve, nga gjethet, nga gjithçka që na rrethon…

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!