Kater Stinet

4 STINET tregim per femije ne shqip

Kater Stinet

Të gjithë e dimë se viti ka katër stinë, Pranverën, Verën, Vjeshtën dhe Dimrin. Genci i donte shumë të gjitha. Pranvera çelte pemët, Vera kishte plazhin e dashur, në Vjeshtë fillonte shkolla, ndërsa Dimri sillte borën e bukur.

Sapo kishte trokitur Pranvera. Në shtëpinë e Gencit u shfaqën dallëndyshet.

Shumë shpejt ato e ndërtuan folenë në ballkonin e tij dhe filluan të ngrohnin vezët.

Çdo ditë, Genci hipte mbi një karrige dhe shihte në fole, nëse kishin çelur vezët.

Dhe ja katër zogj të vegjë dolën shumë shpejt. Ballkoni mbushej plot gjallëri nga cicërimat e tyre.

Pak nga pak ata u rritën dhe mësuan fluturim. Një ditë, kur shpendët e tjera po bëheshin gati për t’u larguar në vendet e ngrohta, Genci nuk i dëgjoi më zërat e dallëndysheve në ballkonin e tij. Hipi sërish mbi karrige dhe vuri re se ato dergjeshin në fole të sëmura, ndërsa nëna e tyre rrinte e shqetësuar.

“Nënat janë njerëzit më të shtrenjtë në botë, – mendoi Genci. – Gjithmonë shqetësohen shumë për fëmijët. Unë do t’i ndihmoj të shërohen dhe të shkojnë në vise të ngrohta, pa u dëmtuar.”

Mori veterinerin për t’i vizituar. Ai i tha se dallëndyshet do të shëroheshin por do t’u duhej pak kohë të qëndronin aty, sa të merrnin veten për udhëtim të gjatë.

Por nuk kishte shumë kohë, vjeshta po ikte shumë shpejt.

Kështu, trokiti në shtëpinë e katër stinëve. Ato asnjëherë nuk rrinin të katërta bashkë, pasi mund të dëmtonin njëra-tjetrën.

Pranvera ishte ulur mes luleve, Vera në breg të detit, Vjeshta mes frutave, ndërsa Dimri po bënte Plakun e Borës.

Kur panë se u kishte ardhur një vizitor u afruan.

Genci i përshëndeti dhe u tregoi historinë e dallëndysheve, pastaj iu drejtua Vjeshtës.

  • Të lutem moj Vjeshtë, mund të zgjasësh dhe pak ditë më shumë?
  • Duhet t’ia kërkosh këtë gjë vëlla Dimrit. Sepse duhet të ha nga ditët e tij. – i tha ajo.
  • Unë nuk mund t’i shkurtoj ditët e mia, – tha Dimri rëndë-rëndë. – Çdo ditë e muajit fillon nga data 1. Në qoftë se do të shkurtoja ditët, atëherë do të mbetemi pa festën e Vitit të Ri.

Pas shumë diskutimesh stinës Pranverë i lindi një ide.

  • Ti vëlla Dimër mos i shkurto ditët e tua, por vetëm ndrysho, mos ji i ashpër dhe i ftohtë, në mënyrë që dallëndyshet të largohen pa u dëmtuar në vendet e ngrohta. – i tha Pranvera.Dimri premtoi se kështu do të bënte.

Pas disa ditësh, dallëndyshet u shëruan.

Ditët e para të dhjetorit nuk ishin të ftohta, ndaj ato e panë të arsyeshme të niseshin për udhëtim.

Por, shumë shpejt një mot i acartë pushtoi vendin dhe ato të gjorat ngrinë brenda copave të akullit në degët e pemëve ku kishin ndaluar të çlodheshin.

Genci e kuptoi që dallëndyshet duhet t’i kishte zënë i ftohti rrugës, ndaj shkoi sërish në shtëpinë e stinëve.

  • Ti më premtove se do të ndryshoje! – i tha ai Dimrit.
  • Mendova se do të ishte një kohë e mjaftueshme për dallëndyshet. Me përcjelljen e tyre në viset e ngrohta merret motër vjeshta. Unë nuk e dija sa ditë u duhej të largoheshin. – tha dimri duke u ndjerë në faj.
  • Këtë gjë mund ta zgjidhim, – tha stina e Verës.

Ajo lëshoi diellin e nxehtë dhe shkriu akullin, dallëndyshet u çliruan prej tij. Vjeshta zbuti kohën. Ato mbërritën të qeta dhe të lumtura në vendet e nxehta.

Kjo gjendje zgjati vetëm pak, pasi Dimri lëshoi shirat e rrëmbyer, stuhitë dhe flokët e borës. Toka zbardhi anë e mbanë.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!