Vajza dhe Xixëllonja

vajza dhe xixellonja perralla shqip

Vajza dhe Xixëllonja

Mbrëmjeve të verës vajza dhe familja e saj hanin darkë në kopsht. Në një mbëmje si këto, kur po ngriheshin nga tavolina, asaj i zunë sytë një dritë që ndizej dhe shuhej nëpër pemë në fund të kopshtit. Nuk e zgjati, por, menjëherë shkoi të shihte çfarë po ndodhte atje dhe, për habinë e saj vuri re një insekt që hidhej degë më degë. Ky insekt ishte shumë i ndryshëm nga ata që ishte mësuar të shihte ditën. Ai lëshonte dritë kur fluturonte.

Insekti ndaloi së fluturuari për një çast dhe iu afruar vajzes:”Përshëndetje,” foli ai. “Ti dukesh shumë e çuditur. Më ke vështruar për një kohë të gjatë. Unë quhem Xixëllonjë.”

“Po, ashtu është. Të vështrova sepse nuk kam parë kurrë më parë një insekt që xixëllon me dritë kështu si ti. Nga trupi yt dalin rreze të verdha në të gjelbër. Më kujtohet se, kur preka njëherë një llambë të ndezur, ma dogji dorën. Po kjo dritë, nuk të djeg ty?”

Xixëllonja miratoi me kokë dhe ia ktheu: “Ke të drejtë. Vërtet, llambat nxehen shumë kur ndriçojnë. Ato përdorin energjinë elektrike për të prodhuar dritë dhe, një pjesë e kësaj energjie shndërrohet në dritë. Kjo bën që llamba të nxehet. Por, ne, xixëllonjat nuk marrim energji nga jashtë për dritën që lëshon trupi ynë.”

Vajza atëherë e kuptoi dhe e pyeti: “Atëherë, kjo do të thotë se ti nuk nxehesh?”

“Po, ashtu është,” pranoi xixëllonja. Ne këtë energji e prodhojmë vetë dhe e përdorim me mjaft kujdes. Kjo do të thotë se asnjë pjesë e saj nuk shkon kot dhe ajo nuk e nxeh trupin tonë, gjë që do të na dëmtonte shumë. Kur fluturojmë, ne i përplasim krahët shumë shpejt. Sigurisht, që kjo është një punë që kërkon shumë energji. Por, për shkak se drita jonë nuk harxhon shumë energji, ne nuk kemi asnjë vështirësi me të.”

Vajza kishte edhe diçka tjetër për të cilën donte ta pyeste xixëllonjën: “Përse e përdorni ju xixëllonjat dritën?”

Shoqja e saj e gatshme i shpjegoi: “Ne e përdorim atë për të shkëmbyer mesazhe midis nesh dhe për t’u mbrojtur. Kur duam t’i themi diçka njëra-tjetrës, ne flasim duke xixëlluar dritat tona. Në raste të tjera, ne i përdorim ato për të frikësuar armiqtë tanë dhe për t’i mbajtur larg ata.”

Vajza buzëqeshi duke i thënë: “Faleminderit. Ajo që më tregove ishte vërtet tërheqëse.

“Tani më duhet të shkoj. Ishte kënaqësi që të takova. Shpresoj të të shoh përsëri…”

Tek po hynte në shtëpi, duke medituar për krijesen e bukur, vajza mezi priste t’u tregonte familjes së saj për bisedën me shoqen e saj të vogël.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!