Çerdhja

cerdhja zogu perralla shqip

Çerdhja

Na ishte një herë… një zog i vogël që kishte rënë nga çerdhja. Nuk dinte akoma të fluturonte dhe i trembur u struk në mes të shkurreve. Pas një farë kohe u përpoq të fluturonte, por më kot. Kërceu sa andej këndej dhe u gjend në një pyll të dendur… Po i pushonte zemra nga rrahjet e shpeshta dhe të forta. Dy arushë të zinj, duke lozur me njeri-tjetrin, po vinin drejt tij. Këta ishin Bibi dhe Bobo. Arushët panë zogun dhe qëndruan. Zogu dridhej ndonëse e ndjeu se arushët nuk do t’i bënin gjë të keqe, përkundrazi kërkonin ta ndihmonin.
Po vinte nata. Mamaja më ka thënë se nata është shumë e frikshme, – tha zogu i vogël duke iu dridhur zëri. Dy arushët e kuptuan se ai kishte frikë. Nuk mund ta braktisnin. Kërkuan ca kashtë e disa shkarpa dhe ndërtuan një çerdhe të vogël. E vendosën zogun në folezë. Aty ai ndjehej më mirë. U përpoqën ta vendosnin çerdhen në degët e një druri, por degën vetëm për pak nuk e arrinin dot.
Atë çast një ketrush i shkathët u ngjit mbi trupat e tyre dhe e vendosi çerdhen në degën e gjelbërt.
Zogu u qetësua. E ndjente se tanimë nuk e rrezikonte asnjë lloj rreziku dhe se kishte një çerdhe aq të mirë sa nuk e kishte zog tjetër.
Të dy arushat dhe ketrushi u kthyen në shtëpi të gëzuar. Në mëngjes zogjtë e kishin shpërndarë në të gjithë pyllin se dy arushët e vegjël kishin shpëtuar zogun e vogël dhe kishin ndërtuar një çerdhe shumë të bukur.
Shkuan të gjithë për të parë çerdhen e sapo ndërtuar.
Një rosak mbeti kaq i mahnitur, sa që këmbënguli që arushët të ndërtonin një çerdhe të madhe me shumë dhomëza ku të gjithë zogjtë e pyllit të qëndronin sëbashku pranë njeri-tjetrit ashtu siç jetojnë edhe njerëzit nëpër qytete. Edhe ketrushi kishte të njëjtin mendim me rosakun. Në një rast të tillë zogjtë do të gjendeshin pranë e do ta ndihmonin njeri-tjetrin.
Ishte një 💡 interesante.
Zogjtë rrethuan Bibin dhe Bobon dhe me një cicërimë të përbashkët i shpjeguan se çfarë kërkonin.
Bibi tha: “Duhet baltë!”
Bobo tha: “Duhet kashtë!”
Ketri bëri një kotollumbë dhe filloi nga puna. Edhe zogjtë u shpërndanë sa andej-këtej, sollën kush një pupël, kush një shkarpë, e kush diçka tjetër.
Punuan shumë dhe e ndërtuan çerdhen, por ajo ishte aq e madhe sa nuk e vendosnin dot në degët e drurëve.
Babai i Bibit dhe Bobos që kishte ndjekur nga larg me vëmendje të vegjëlit, që po ndërtonin një çerdhe të madhe u afrua pranë tyre dhe sëbashku e vendosën çerdhen me shumë dhomëza në degët e drurit të lartë.
Në degët e drurit çerdhja e madhe ishte mahnitëse. Zogjtë nuk e përmbanin veten nga gëzimi. Edhe ata kërkonin t’u dhuronin diçka arushëve. Qukapikët me sqepat e fortë, çukitën dhe shpuan disa vrima në lugun e drurit dhe e kthyen në një dush gigand. Arushët vrapuan për të bërë banjë. Përqark zogjtë fluturonin të gëzuar, ndërsa dy arushët e vegjël klithnin dhe lagnin njeri-tjetrin me ujin e ftohtë të rrëkezave.
Zogjtë kënaqeshin me lojën e arushëve.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!