DY KUAJT

dy kuajt perralla shqip

DY KUAJT

Një kalë thatanik të cilit i numëroheshin
brinjët, me kurrizin gjithë plagë të vrara
nga samari, ishte ngarkuar me dru dhe po ecte në
për vapë i tërhequr prej kapistre nga i zoti. Në të
njëjtën rrugë ecte serbes një tjetër kalë, dori i bëshëm
me këmbë të forta, me kreshtën që i valavitej
në ajër, me lëkurën të lëmuar që i ndrinte. Mbi të
kishre hipur një kalorës i bukur. Ky ecte revan dhe
turfullonte. Dukej sikur fluturonte. Kalorësi hipur
mbi shalën e tij e përkëdhelte herë mbi zverk, herë
mbi shpatull. Kali krenar hingëllinte nga gëzimi dhe
përpiqte thundrat të mbathura me patkonj të fortë.
I ndritnin sytë nga krenaria.

Kali tjetër të cilit i numëroheshin brinjët, e shikoi
me zili të vëllanë dhe i tha këto fjalë prekëse:
— O vëllai im i bukur, meqenëse jemi të të njëjtës
familje, ki pak mëshirë për mua. Shikomë si jam
katandisur. Tim zot më përdor shumë keq, ai s’ka
zemër fare. Punoj tërë ditë e ditës edhe ushqimin
s’e kam mjaftë. Unë as di ç’është përkëdhelja. Ti që
je i fortë, i bëshëm, i bukur, më thuaj të paktën një
fjalë ngushëllimi dhe tregome si t’ia bëj hallit.
Kali kryelartë, në vend që të prekej nga fjalët e
të vëllait, nisi të turfullojë me përbuzje dhe
mos përfillje:

— Ti qenke fare hajvan! Si guxon e krahasohesh
me mua? Ti je si gomari, kafshë ngarkese. Ç’punë
ke me mua?
Duke psherëtitur kali thatanik iu përgjigj:
— Kush jam unë? Unë jam kalë si ti. Edhe unë
dikur ecja serbes si ti. Edhe mua më përkëdhelnin
kur më ndrite lëkura si ty. Edhe mua më lëshonin
patkonjtë shkëndija kur ecja revan. Pastaj më ranë
hallet mbi kokë dhe nga pleqëria u katandisa kështu
siç më sheh. Por unë në rininë time nuk i kam
përbuzur kurrë vëllezërit e mi edhe pse ishin të
dobët dhe të shkuar nga mosha.

Doriu kryelartë, në vend të përgjigjes, hingëlliu
me të madhe dhe ia dha vrapit si vetëtima pa vënë
re se aty pranë ndodhej një hendek. I shkau këmba
dhe u përplas për toke me gjithë të zonë. Kur u
ngrit ecte çalë-çalë dhe i zoti fshinte gjakun që i
rridhte nga koka. Kali krenar nuk pati guxim të
kthente kokën prapa për të dëgjuar fjalët e të vëllait
që me një hingëllimë të hollë i tha:
— Kështu e pësojnë ata që mbajnë hundën përpjetë
dhe perbuzin vëllezërit e tyre në fatkeqësi.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!