MIU NË RESTORANT

miu ne restorant perralla shqip

MIU NË RESTORANT

Një mi i vogël ish përpjekur më kot tërë ditën
që të gjente diçka për ta brejtur me
dhëmbët e tij të vegjël. Mbasi nuk e duronte dot
urinë, shkoi tek e ëma dhe i tha:
— Mama, ti që i di të gjitha cfërkat e fshehta të
fqinjëve, tregomë ndonje vend ku mund të vete të
ngopem Se vdiqa urie.

E ëma, që ishte një mi i madh me shumë përvojë
dhe që e çmonin të gjithë pèr dinakërinë e saj,
mbasi gjithnjë u kish shpëtuar rrjetave dhe helmeve,
u mendua pakëz dhe tha:

— E shikon, biri im, atë vrimën atje? Hyrë në të,
dhe do të dalësh në një restorant ku ka lloj-lloj
ushqimesh; veçse ki kujdes, mos e mbush shumë
barkun, se mund të të ngjasë ajo që i ngjau tët vëllai.
Unë e kisha lajmëruar, por ai nuk ua vuri veshin
këshillave të mia.

I biri i premtoi s’ëmës se do t’i dëgjonte këshillat
e saja. Dhe hyri në vrimë. Aty, pasi hëngri e
hëngri, duke pasur parasysh fjalët e nënës, u mat që
të dilte; por një copë djathë taze sikur ja bëri me sy
dhe s’duroi dot; iu afrua dhe kullufiti. Kur u ngop
mir’ e mirë, iu kujtuan fjalët e nënës dhe nisi të
kthehet. Medet! Barku ishte fryrë aq shumë sa
smund të dilte andej nga hyri.

Atëhere u përpoq që ta zgjeronte vrimën me
anën e dhëmbëve të tij të fortë, por tamam në atë
çast hyri i zoti me maçokun. Miu u tmerua, u vërtit
andej-këtej në restorant por, maçoku, me një të
hedhur, e kapi prej gryke dhe e bëri copë-copë.
Nëna e priti e priti, por më kot. Atëhere e kuptoi
se ç’kishte ngjarë dhe tha, e dëshpëruar:
— Si djalin e parë, ashtu dhe të dytin e mori më
qafë grykësia.
Dhe dy lot i ndritën në sy.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!