NJË MËSIM PËR UJKUN

NJË MËSIM PËR UJKUN

Dhelpërushi dhe ujku ishin miq të mirë.
Bashkë shëtisnin, bashkë gjuanin. Kjo miqësi e
krijuar ishte në favor të dhelpërushit, sepse
ujku ishte më mjeshtër në gjah. Ai kapte pre
më të mëdha se dhelpërushi. Kurse ato që kapte
dhelpërushi ishin kafshë të vogla e të imta.
Këtë gjë e dinte dhelpërushi, por nga që ishte dinak,
bënte veprime të tilla që nuk e linte ujkun të
kuptonte qëllimin e tij. Ai e kishte fituar besimin e
ujkut. Dhe kjo i duhej atij jo vetëm për të sotmen,
por më shumë për të ardhmen.
Një ditë prej ditëve, dy miqtë dolën për gjah.
Mirëpo ata nuk zunë asnjë kafshë. Zorrët, nga uria,
filluan t‛u bënin zhurmë. Papritur, dhelpërushi dinak
pa një lepurush, që po luante në një ferrë dhe tha
me vete: “Që të fitoj plotësisht besimin e ujkut, ja
ku e kam rastin… Pasi ta kap menjëherë lepurushin,
do ta ndaj me të. Më pas… do ta mbush barkun
falas me muaj të tërë.”
Dhe ashtu bëri… e kapi menjëherë. Pastaj iu
drejtua ujkut:
– Unë kap një lepurush të vogël, kurse ti një dre
të madh. Unë kap një thëllëzë, kurse ti një kaproll.
– Sa mik i mirë që je, o dhelpërush!
Pandehja se do të ngordhnim nga uria, por në saje të zgjuarsisë tënde
e mbushëm barkun sot. Ne miq ishim, por këtej e tutje
jemi edhe më shumë se miq.
Prej asaj dite, ujku nuk e harroi të mirën e
dhelpërushit dhe në çdo rast që gjente, ia shpërblente.
Ai gjuante, dhelpërushi hante. Ai gjuante,
dhelpërushi hante. Me një fjalë, dhelpërushi ia
kalonte për bukuri e pa u lodhur aspak.
Kaluan muaj të tërë dhe dhelpërushi
vazhdonte të jetonte si mbret në sajë të ujkut.
Një ditë, dy miqtë kishin dalë përsëri për të
gjah. Ujku filloi të ndiqte një kaproll të madh.
Ndërsa dhelpërushi, priste që ujku të kapte gjahun
dhe ta sillte. Mirëpo, kësaj here nuk shkoi ashtu siç
mendonte, sepse ujku kishte thyer këmbën gjatë
ndjekjes së gjahut. Ndiente dhimbje të mëdha e të
padurueshme.
– Dhelpërush, vëlla! Më ndihmo, më ndihmo të
lutem! Mbarova, mbaroovaaaa! Dhelpërushi i shkoi
pranë. Po ç‛të shihte! Ujku ishte shtrirë përtokë
me këmbë të thyer. Të gjitha planet që kishte
bërë deri atëherë, iu prishën sa hap e mbyll sytë.
Tashmë nuk do të kishte ndonjë dobi prej ujkut.
– Ujk, vëlla! Deri këtu ishte miqësia jonë. Këtu
ndahen rrugët tona. Unë të hodha dy lepuj para
hundës, ndërsa ti më ushqeve për muaj të tërë.
Në këtë gjendje që je katandisur, nuk mund të më
ushqesh më. Tani nuk më hyn më në punë…
Dhelpërushi iku. Ujkun e la në gjendje të
mjeruar. Nisi të kërkojë ndonjë shok tjetër për të
plotësuar dëshirat e tij.
– Ah sa pa mend që jam! Mirë ma bëri
dhelpërushi dinak. Por vetë e kam fajin… E
meritova!.. – tha ujku dhe ashtu duke kërcyer me
tri këmbë humbi nga sytë.
Nga veprimi i dhelpërushit, ujku mësoi se
miqësia e vërtetë, njihet në ditë të vështira. Pas
asaj dite, u mundua t‛i zgjidhte me shumë kujdes
miqtë e tij…

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!