Bilbili dhe Trëndafili

Bilbili dhe Trëndafili

Asnjë trëndafil të kuq, në tërë kopshtin tim! thërriste studenti. Dhe sytë e bukur i mbusheshin me lot. Ah ! nga sa pak gjë varet lumturia ! Kam lexuar gjithë ç’kanë shkruar të urtët ; zotëroj të gjitha sekretet e filozofisë dhe ja tani, jeta ime e thyer thjesht për një trëndafil të kuq.

Ajo më ka thënë se do të vallëzonte me mua vetëm po t’i sillja trëndafila të kuq, shfrynte studenti i ri, por në kopshtin tim ska asnjë të tillë.

Nga foleja e vet në një dru qarri, bilbili e dëgjoi. Vështroi përmes gjetheve dhe u mrekullua.

Asnjë trëndafil të kuq, në tërë kopshtin tim ! thërriste studenti. Dhe sytë e bukur i mbusheshin me lot. Ah ! nga sa pak gjë varet lumturia ! Kam lexuar gjithë ç’kanë shkruar të urtët ; zotëroj të gjitha sekretet e filozofisë dhe ja tani, jeta ime e thyer thjesht për një trëndafil të kuq.

Ja më në fund i dashuruari i vërtetë, tha bilbili. I kam kënduar për çdo natë, ndonëse s’e njoh ; për çdo natë ua them yjeve historinë e tij, dhe tani po e shoh me sytë e mi. Flokët e errët si lulja e zymbylit, dhe buzët e kuqe si trëndafili që dëshiron, por ja që pasioni ia ka zbehur fytyrën dyll të verdhë, dhe pikëllimi ia ka vënë vulën mbi ballë.

Princi organizon një ballo nesër mbrëma, mërmëriste studenti i ri dhe dashuria ime do të jetë në festë. Po t’i sjell një trëndafil të kuq, do ta shtrëngoj në krahë. Do ta prehë kokën mbi supin tim dhe do të më shtrëngojë dorën. Por s’kam asnjë trëndafil të kuq në bashtinë. Kështu që do të mbetem i vetëm dhe ajo do të më shpërfillë. S’do të m’i hedhë as sytë dhe do të më çahet zemra.

Ja, pikërisht i dashuruari i vërtetë, tha bilbili. Vuan për gjithçka që këndoj unë : gjithçka që është gëzim për mua, është dhimbje për të. Sigurisht, dashuria është një gjë e mrekullueshme, më e çmuar se zmeraldët dhe më e shtrenjtë se gurët më të çmuar. As perla as shega s’mund ta paguajnë, sepse ajo s’del asnjëherë në treg. As s’mund ta blejmë tek shitësi, e as ta peshojmë në një peshore për ta blerë me peshën e vet në ar.

Muzikantët do të rrinë në podiumin e tyre, thoshte studenti i ri. Do t’iu bien veglave me korda dhe dashuria ime do të vallëzojë nën tingullin e harpës dhe violinës. Do të kërcejë aq lehtë sa as këmba s’do t’i zerë në parket dhe njerëzit e oborrit të veshur hareshëm do t’i nxitojnë pranë, por ajo s’do të kërcejë me mua, sepse s’kam një trëndafil të kuq që t’ia jap. Dhe binte përmbys në lëndinë, e mbulonte fytyrën me duar dhe qante.

Përse qan ky ? pyeste një hardhucë e vogël e gjelbër, tek po kalonte pranë tij, me bishtin në ajër.

Përse, vërtet ? thoshte një flutur që rrihte flatrat duke ndjekur një rreze dielli.

Po përse pra ? i mërmëriti një luleshqerrë fqinjes së vet me një zë të butë e të ëmbël.

Qan për shkak të një trëndafili të kuq.

Për një trëndafil të kuq ? Sa qesharake !

Dhe hardhuca e vogël, që ishte disi cinike, qeshi me të madhe.

Por bilbili e kuptoi sekretin e vuajtjeve të studentit, ndenji i heshtur në qarr dhe u mendua për misterin e dashurisë.

Befas i shpalosi flatrat e murrme për të fluturuar dhe mori vrull. Kaloi përmes drurëve si një hije dhe, si një hije e përshkoi bashtinën.

Në qendër të ledhit ngrihej një ferrë trëndafili e bukur dhe, kur e pa, fluturoi drejt saj duke iu ulur mbi një degë të imët.

Më jepni një trëndafil të kuq, thirri ai, dhe do t’ju këndoj nga këngët e mia më të ëmbla.

Por ferra tundi kokën.

Trëndafilët e mi janë të bardhë, u përgjigj ajo, të bardhë si shkuma e detit dhe më të bardhë se dëbora në mal. Por shkoni tek ajo motra ime që rritet aty afër orës së vjetër diellore dhe mbase do t’jua japë ajo çfarë kërkoni.

Atëherë bilbili fluturoi tek ferra që rritej pranë orës së vjetër diellore.

Më jepni një trëndafil të kuq, i tha ai, dhe do t’ju këndoj nga këngët e mia më të ëmbla.

Por ferra tundi kokën.

Trëndafilët e mi janë të verdhë, u përgjigj ajo, aq të verdhë si flokët e sirenave që ulen mbi një trung peme, më të verdhë se narcizi që lulëzon në livadhe, para se kositësi të vijë me kosën e vet. Por shkoni tek ajo motra ime që rritet poshtë dritares së studentit dhe mbase do t’jua japë ajo çfarë kërkoni.

Atëherë bilbili fluturoi tek ferra që rritej poshtë dritares së studentit.

Më jepni një trëndafil të kuq, i thirri ai, dhe do t’ju këndoj nga këngët e mia më të ëmbla.

Por ferra tundi kokën.

Trëndafilët e mi janë të kuq, u përgjigj ajo, aq të kuq si këmbët e pëllumbave dhe më të kuq se freskoret e koraleve që oqeani i përkund në thellësitë e tij, por dimri m’i ka ngrirë damarët, ngrica m’i ka tharë sythet, uragani m’i ka thyer degët dhe s’do të kem trëndafil të kuq gjatë gjithë vitit.

Më duhet thjesht një trëndafil i kuq, i thirri bilbili, vetëm një. A ska ndonjë mënyrë që ta kem ?

Ka një mënyrë, u përgjigj ferra, por është aq e tmerrshme sa s’guxoj t’jua them.

Ma thoni, ia bëri bilbili. S’jam aq i ndrojtur.

Nëse ju duhet një trëndafil i kuq, tha ferra, ju duhet ta ndërtoni me nota muzikore nën dritën e hënës dhe t’i jepni ngjyrë me gjakun e zemrës suaj. Do të këndoni për mua, me gushën të mbështetur mbi gjemba. Do të këndoni tërë natën dhe gjembat do t’ju shpojnë zemrën : gjaku juaj do të rrjedhë në damarët e mi dhe do të bëhet i imi.

Vdekja është një çmim i lartë për një trëndafil të kuq, ia ktheu bilbili, dhe të gjithë e duan jetën. Është gjë e ëmbël të ulesh në një pemë në pyllin e gjelbër, të vështrosh diellin në qerren e vet të artë e hënën në qerren e vet prej perlash. Është e butë, aroma e murrizeve. Janë të ëmbla, lulezilkat blu që fshihen në luginë dhe shqopat që mbulojnë kodrinën. E megjithatë, dashuria është më e mirë se jeta dhe fundja, e ç’është zemra e një zogu në krahasim me zemrën e një njeriu ?

Atëherë ai i shpalosi flatrat dhe mori vrull në ajër. Kaloi si një hije përmes bashtinës, dhe si një hije i përshkoi drurët.

Studenti i ri ishte ende i shtrirë mbi bar, aty ku e kishte lënë bilbili dhe lotët ende s’i ishin tharë në sytë e bukur.

Jini i lumtur, i thirri bilbili, jini i lumtur, do ta keni trëndafilin tuaj të kuq. Do ta ndërtoj me nota muzikore nën dritën e hënës dhe do t’i jap ngjyrën e gjakut të zemrës sime. Si shpërblim, do t’ju kërkoj thjesht që të jeni një i dashuruar i vërtetë, sepse dashuria është më e urtë se filozofia, sado e urtë qoftë kjo, dhe më e fortë se fuqia, sado e fuqishme të jetë. Flatrat i ka në ngjyrë zjarri dhe trupin ngjyrë flakësh, buzë të ëmbla si mjaltë dhe hukamën si erë temjani.

Studenti ngriti sytë nga bari, mbajti vesh, por s’mund ta kuptojë ç’i thoshte bilbili, sepse dinte vetëm gjërat e shkruara nëpër libra. Por qarri e kuptoi dhe u trishtua, sepse e donte shumë bilbilin e vogël që e kishte ndërtuar folenë e vet në degët e tij.

Më këndoni dhe një këngë të fundit, mërmëriti ai. Do të jem shumë i trishtë kur të ikni.

Atëherë bilbili këndoi për qarrin dhe zëri i tij ishte uji që gurgullon nga një burim i argjendtë.

Kur e mbaroi këngën, studenti u ngrit dhe nxori nga xhepi një fletore dhe një laps.

Bilbili, thoshte me vete ai duke shëtitur në rrugicë, bilbili ka një bukuri të pamohueshme, por a ka ndjenjë ai ? Mendoj se jo. Në fakt, ai është si shumë artistë, tërë stil, pa asnjë sinqeritet. Nuk flijohet për të tjerë. Mendon thjesht për muzikën e vet dhe, siç e dinë të gjithë, arti është egoist. Sigurisht, s’mund të mohohet që zëri i tij nxjerr nota shumë të bukura. Çfarë fatkeqësie që e tërë kjo ska kuptim, pa asnjë qëllim praktik. Dhe vajti në dhomën e vet, u shtri në shtrat dhe zuri të mendojë për dashurinë e vet. Nuk vonoi dhe fjeti.

Dhe kur hëna shndriste në qiell, bilbili fluturoi tek ferra dhe e vendosi gushën për gjembash. Gjatë tërë natës, këndoi me gushën e mbështetur aty, dhe hëna e ftohtë kristalore u ndal dhe e dëgjoi tërë natën. Kështu këndoi ai dhe gjembat i hynin gjithnjë e më shumë në gushë, me gjakun që i rridhte jashtë trupit.

Në fillim, këndoi për lindjen e dashurisë në zemrën e një djali dhe vajze, dhe në degën më të lartë të ferrës, lulëzoi një trëndafil i mrekullueshëm, petal pas petali, ashtu si këngët që pasonin njëra-tjetrën. Fillimisht, trëndafili ishte i zbehtë si bryma që pluskon mbi lumë, i zbehtë si këmbët e mëngjesit dhe i argjendtë si flatrat e agimit. Trëndafili, që lulëzonte në degën më të lartë, dukej si shëmbëllimi i një trëndafili në një pasqyrë të argjendtë, si shëmbëllimi i një trëndafili në një liqen. Por ferra i thirri bilbilit që t’iu mëshonte pak më shumë gjembave.

Mbështetuni pak më fort, bilbil i vogël, thoshte ferra, ose do të agojë dhe trëndafili s’do të jetë gati.

Atëherë bilbili iu mëshoi më fort gjembave dhe kënga e tij rrodhi më shpërthyese, sepse këndonte se si lind pasioni në shpirtin e një djali dhe një virgjëreshe. Dhe një kuqëlim delikat u shfaq në petalet e trëndafilit ashtu siç skuqet fytyra e një të fejuari që puth buzët e të fejuarës. Por gjembat s’e kishin arritur ende zemrën e bilbilit, kështu që zemra e trëndafilit mbetej e bardhë, sepse vetëm gjaku i zemrës së një bilbili mund ta skuqë zemrën e një trëndafili. Dhe ferra i thirri bilbilit që të shtrëngohej më fort pas gjembave.

Mbështetuni pak më fort, bilbil i vogël, thoshte ferra, ose do të agojë dhe trëndafili s’do të jetë gati.

Atëherë bilbili iu mëshua më fort gjembave dhe këta të fundit i arritën në zemër, ku ai ndjeu një dhimbje të egër e mizore. Sa më e hidhur ishte dhimbja, aq më e gjallë i dilte kënga, sepse tani i këndonte dashurisë së përkryer nga vdekja, dashurisë që nuk vdes në varr. Dhe trëndafili i mrekullueshëm u skuq si trëndafilët e Bengalit. E purpurt ishte ngjyra e petaleve dhe e purpurt si një rubis ishte zemra.

Por zëri i bilbilit u fashit. Flatrat e vogla filluan t’i rrihnin dhe sytë iu mveshën me një vello. Kënga iu bë gjithnjë e më e dobët. E ndjeu se diçka e mbyste në grykë. Atëherë kënga e tij lëshoi dhe një shpërthim të fundit. Hëna e bardhë e dëgjoi dhe e harroi agimin dhe u vonua në qiell. Edhe trëndafili i kuq e dëgjoi ; ai u drodh i tëri nga ekstaza dhe i hapi petalet në ajrin e ftohtë të mëngjesit. Jehona e mori me vete drejt shpellës së vet të purpurt mbi kodrina dhe zgjoi nga ëndrrat bagëtitë e fjetura. Kënga u end mes kallamishteve të lumit dhe ato e çuan lajmin drejt detit.

Shikojeni, shikojeni, thirri ferra, trëndafili u mbarua.

Por bilbili nuk u përgjigj : kishte rënë në bar, me zemrën të shpuar nga gjembat.

Nga mesdita, studenti hapi dritaren dhe hodhi një sy jashtë.

Oh ç’fat i mirë i çuditshëm ! thirri ai, ja një trëndafil i kuq ! S’kam parë kurrë një trëndafil të tillë në jetën time. Është aq i bukur sa jam i sigurtë se në latinisht duhet të ketë një emër të ndërlikuar.

Dhe u përkul dhe e këputi.

Atëherë e vuri kapelen dhe vrapoi tek profesori, me trëndafilin në dorë.

E bija e profesorit ishte ulur tek pragu i derës. Po shpështillte mëndafsh blu nga një rrokel dhe qeni i vogël i ishte tek këmbët.

– Ju më patët thënë se do të vallëzonit me mua po t’ju sillja një trëndafil të kuq, i tha studenti. Ja trëndafili më i kuq në botë, i tha studenti. Sonte do ta vendosni pranë zemrës dhe kur të kërcejmë bashkë, ai do t’ju thotë sa shumë ju dua.

Por vajza e re ngrysi vetullat.

Kam frikë se ky trëndafil nuk më shkon me fustanin, u përgjigj ajo. Madje nipi i oficerit të mbretit më ka dërguar ca stoli të vërteta dhe gjithkush e di se stolitë kushtojnë më shtrenjtë se lulet.

Oh ! sa mosmirënjohëse që jeni ! tha studenti me një ton të zemëruar.

Dhe e hodhi trëndafilin në rrugë ku ra në kanalin e kullimit të ujrave. Aty kaloi një karrocë e rëndë dhe e shtypi.

Oh, mosmirënjohëse, thoni ju ! ia bëri vajza e re. Mund t’ju them se jeni i paedukuar. Po ju, kush jeni ju, fundja ? një student i thjeshtë. Pfff ! nuk besoj se do të keni ndonjëherë unaza të argjendta në këpucët tuaja, siç i ka nipi i oficerit të mbretit.

Dhe u ngrit nga karrikja e u kthye në shtëpi.

Ç’marrëzi, kjo dashuria ! thoshte studenti duke u kthyer. S’është as sa gjysma e logjikës, sepse s’mund të vërtetojë asgjë dhe flet gjithmonë për gjëra që s’do të ndodhin, dhe i bën njerëzit të besojnë në gjëra të pavërteta. Shkurt, s’është fare praktike dhe, meqë në kohën tonë ideja është që të jesh praktik, po shkoj atje tek filozofia ime e po studioj metafizikën.

Dhe këtu, studenti u kthye në dhomë, hapi një libër të madh të pluhurosur dhe zuri të lexojë.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!