Nusja me Flokë të Artë

Nusja me Flokë të Artë

Na ishte njëherë një djalë i vogël, që kishte një gjyshe. Nëna dhe babai i tij shkonin për ditë në punë dhe djali i vogël më të shumtën e ditës qëndronte me gjyshen. Si gjithë fëmijët edhe ai ishte kureshtar. Për çdo gjë pyeste gjyshen dhe ajo mundohej ta mësonte me ato fjalët e saj të urta gjithë mençuri. Një mëngjes , kur po ngrohej moti, djali e pyeti gjyshen: – Gjyshe! Ç’farë është vera? Ajo qeshi. Fërkoi nipin nga flokët e i tha: – Vera është një nuse e bukur me cipë të kaltër, me fustan të gjelbërt e me flokë të artë.

Kishte kaluar një kohë që atëherë dhe djali ende nuk e kishte parë verën. Atij s’po i durohej dhe prapë e pyeti gjyshen: – Gjyshe, po kur do ta shoh unë ndonjëherë verën. Gjyshja qeshi përsëri, e fërkoi nga flokët e i tha: – Kur të këndojë gjinkalla do ta shohësh me siguri. Ikën dhe dy-tri javë e ja, një ditë, djali erdhi te gjyshja me një gjinkallë në dorë. – Gjyshe, – i tha, – shikoje gjinkallën si po këndon. – E shoh, xhan, e shoh. – Poa s’më the se do ta shoh verën, kur të këndojë gjinkalla? – Po, xhan, do ta shohësh. Ja, dil në rrugën kryesore të fshatit dhe ke për ta parë me siguri.

Doli djali në rrugët e fshatit me gjinkallën në dorë. Vështronte me kujdes, por verën nuk po e shihte, ashtu si i pati thënë gjyshja. Me gjinkallën në dorë si u kthye përsëri tek ajo. – Edhe sot që po këndon gjinkalla, unë asgjëkundi nuk e pashë verën o gjyshe, – i tha. S’ke vënë re mirë, prandaj nuk e ke parë. – Unë shikoja me kujdes, po asgjëkundi s’ma zunë sytë. Nga e djathta e rrugës pashë lëmin dhe njerëzit që shihnin grurin e tërshërën. Nga ana tjetër gjelbëronte misri e pambuku. Disa njerëz, gra e burra, prashisnin e ujisnin. Po në asnjë vend s’dukej vera ashtu si më ke thënë ti.

Gjyshja vuri buzën në gaz e i tha. – Po ja , ajo që ke parë ti është vera. Djali e pa i habitur e i tha: – Unë s’po të kuptoj gjyshe. A nuk më ke thënë se vera është një nuse me cipë të kaltër, me fustan të gjelbërt e me flokë të artë? – Po, xhani im, ashtu të thoshja. Po a nuk është e kaltër cipa e qiellit pa re? A nuk gjelbërojnë kudo arat e mbjella? A nuk duket toka si e veshur me fustane të gjelbërta.

– Po ti më thoshje se ka flokë të artë! – Ashtu, bir, ashtu, të thoshja. Po a nuk vure re lumenjtë, s’vure re kashtën e grurit e të tërshërës? Ja, për ato thoshja “flokë të artë”. Atëherë djali përqafoi gjyshen. Pastaj tok me të e lidhi g jinkallën me një pe të bardhë në mes dhe doli. Gjinkallës i tha të fluturonte, por perin s’e lëshonte nga dora.

Gjinkalla e lidhur fluturonte përpara duke kënduar, kurse ai e ndiqte nga pas me vrap gjithë gaz. Në krye të arës e tërhoqi perin ngadalë duke e mbështjellë derisa e futi gjinkallën në grusht, e zgjidhi me kujdes për të mos e lënduar dhe i tha: – Fluturo, mikja ime. Ti je këngëtarja e verës. Unë tani e di kush është nusja me flokë të artë.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!