Ulliri dhe Vapa

Ulliri dhe Vapa

 

Në majë të një kodre qëndron një ulli. Sa herë fryn veriu, i përkund krahët dhe i përkëdhel kraharorin. Njëherë gjithë verën bëri thatësirë e madhe. Kishte ardhur mesi i gushtit dhe s’kishte rënë asnjë pikë shi. Gjethet dhe kokrrat e ullirit po fishkeshishin.

Ulliri u lutej erërave që ti binin ndonjë re me shi, po ato, si për inat, i dërgonin retë larg, lart në male. – Erë, o erë, më sill një re me shi, – përsëriste gjithnjë ulliri, kurse era i përgjigjej: – Më duhet shi për luginat e maleve. Një mëngjes, kur frynte veriu, ulliri i tha diellit: – Diell, o diell, të lutem, po pate mundësi, të rrish ca ditë i ftohtë, se m’u thanë rrënjët nga nxehtësia e madhe.

Dielli ngriti vetullën prej ari mbi mal, nxori syrin e zjarrtë plot xixëllima dhe tha me një buzëqeshje të ëmbël: – ngrohtësia e rrezeve të mia është për të mirën tënde, o ulli, është për të gjitha pemët. – Ne nuk kemi ftohtë, përkundrazi, ndjejmë vapë. Dielli u ngrit dhe ca më lart e i tha ullirit: – Po te mos jetë ngrohtësia ime, nuk piqen as kokrrat tuaja, as pemët e tjera. Bota do të bëhet e shkretë.

Kështu foli dielli e u ngrit lart e më lart në kupën e qiellit. Ditët kalonin dhe ulliri shihte me dëshpërim si filluan të binin përtokë disa kokrra të tij. Në një ditë me vapë, tek rrinte i menduar, ai ndjeu se aty, midis rrënjëve të tij, po lëviznin dheun. Ç’po ndodh me mua?! – pyeti veten ulliri me dëshpërim dhe lëshoi dy-tri kokrra të vyshkura, si të lëshonte pika loti.

Kokrrat e vyshkura të ullirit ranë mbi kryet e fëmijëve që po hapnin gropën nën kurorën e tij. Ulliri, që s’po kuptonte se ç’bënin fëmijët, fëshfërinte si me psherëtimë duke lëshuar gjethe të fishkura. Pas pak fëmijët u bënë larg njëri pas tjetrit deri te burimi, ku mbushnin kovat me ujë dhe, dorë pas dore, ia çonin ullirit te gropa. Uji futej futej në tokën e tharë, prej ku thithej nga rrënjët e ullirit.

Që të nesërmen ulliri filloi t’i shtohej gjelbërimi. Gjethet iu shëndoshën dhe kokrrat iu forcuan. Të vegjëlve u pëlqente shumë të luanin nën hijen e tij. Ulliri i mbronte nga rrezet përvëluese të vapës dhe të vegjëlit, tek loznin atje çdo ditë, ia shpërblenin duke ia freskuar rrënjët me ujë.

Back To Top
error: Përmbajtja mbrohet !!